Do hiqni dorë nga kafja, ja çfarë do i ndodhë trupit tuaj

Konsumimi i kafes në vend është 2.3 kilogramë për frymë në vit.

Kur vjen puna tek kafja, në botë ashtu si edhe në Shqipëri identifikohen lehtë tre kategori njerëzish: ata që nuk e imagjinojnë jetën pa kafe, ata që nuk e pinë kurrë kafenë dhe ata që duan të heqin dorë prej saj, por nuk e marrin guximin.
Po ti ku e gjen veten? Cilitdo grup t’i përkasësh do të mësosh më shumë për mënyrat se si të heqësh dorë shëndetshëm nga kafeja dhe lëngjet e gazuara me kafeinë, por edhe mbi atë se çfarë i ndodh trupit kur redukton kafeinën.
Shqiptarët janë të çmendur pas kafesë. Konsumimi i kafes në vend është 2.3 kilogramë për frymë në vit.
Shqiptarët konsumojnë 37 milionë filxhanë kafe ekspres në vit dhe 30 millionë kafe Turke. Kafenetë janë plot gjithë kohën.
Shqiptarët kalojnë 20% të kohës së tyre duke rrufitur nga 1 deri në 2 filxhanë në ditë. Kjo përkthehet në 7,505,000 kilogramë kafe për 2 milionë banorë.
Por, përpara se të vendosni për të lënë kafënë dhe të zgjasni duart drejt çajrave tuaj të preferuar, lexoni se çfarë ndodh me trupin kur lini kafeinën. Disa prej efekteve janë pozitive ndërkohë që të tjerat duan pak më shumë kohë.
Pasi të barazpeshoni negativet dhe pozitivet dhe të vendosni të lini kafenë, merr së pari informacionet e vlefshme që të ofron AgroWeb në mënyrë që ta kalosh këtë periudhë sa më lehtë të jetë e mundshme.
Do të keni dhimbje koke të cilat do të largohen me kohën

Kur lë kafenë, koka të rëndohet shumë dhe ajo që dëshiron të bësh është të rrish në krevat me një pako paracetamoli afër, për çdo rast.
Kafeja është një stimulues të cilën, pasi e ke konsumuar rregullisht të ka krijuar varësi.
Largimi ndaj saj vjen me disa pasoja dhe dhimbja e kokës është një prej tyre.
Arsyeja e saktë përse shtohen dhimbjet e kokës pas lënies së kafesë nuk është analizuar krejtësisht, por disa ekspertë të mjekësisë shpjegojnë që kafeina relakson enët e gjakut.
Kur nuk pi më kafe, enët e gjakut ngushtohen dhe shkaktojnë dhimbje. Lajmi i mirë është që pas shtatë deri në dhjetë ditë, dhimbja zvogëlohet.
Pas kësaj, nuk do të përjetoni dhimbjen që të mbyt kur nuk i nënshtrohesh kënaqësisë së filxhanit ditor të kafesë.
Mungesa e kafesë dhe lëngjeve të gazuara me kafeinë shkakton luhatje humori

Luhatjet e humorit, lodhja dhe acarimi janë të paevitueshme kur i thua kafesë ose pijeve me kafeinë, lamtumirë.
Që njerëzit të mos mendojnë se ke lajthitur, më mirë paralajmëroji që mungesa e këtyre lëngjëve të dëmshme shkakton këtë paqëndrueshmëri që fatmirësisht nuk zgjat shumë.
Do të keni më shumë energji

Është e pamundur të mohohet. Gjatë ditëve të para të heqjes dorë nga kafeina, me siguri do të ndihesh pa energji.
Por shumë shpejt energjia do të rikthehet fuqishëm. Njerëzit që konsumojnë kafe dhe lëngje stimuluese të gazuara veçanërisht në mbrëmje dhe në darkë nuk bëjnë një gjumë të qetë. Ata zgjohen të lodhur dhe kërkojnë më shumë kafeinë.
Kur ta heqësh këtë zakon, do të flesh më mirë dhe do të kesh më shumë energji pë të përballuar ditën.
Thuaji stresit lamtumirë

Kur konsumon produkte me kafeinë, adrenalina shtohet ndjeshëm dhe në mënyrë të panevojshme, së bashku me stresin.
Kur të heqësh dorë prej këtyre produkteve, do të ndihesh më pak në ankth dhe në stres. Për më tepër, kafeja dhe pijet e tjera me kafeinë kanë ndikim në buxhetin tënd përsonal, ndaj si rrjedhojë do të ndihesh më pak i stresuar edhe për shpenzimet.
Kujdes luhatjet e peshës

Nëse pijet me kafeinë janë të mbushura me kalori, sheqer ose ëmbëlsues natyralë, pasi të hiqni dorë prej tyre do të ndihmoni organizmin të bjerë në peshë.
Por nga ana tjetër, nëse dëshironi të hiqni dorë nga zakoni i të pirit çaj të freskët jeshil ose kafe të zezë, kjo do t’ju bëjë të shtoni në peshë. Arsyeja: kafeja zvogëlon përkohësisht oreksin dhe shton ritmet e metabolizmit.
Në mënyrë që të pakësoni dëmet, pini më shumë ujë dhe konsumoni shumë fruta dhe perime.
Kujdes me antioksidantët

Heqja dorë nga pijet me kafeinë, bën që të përfitosh më pak antioksidantë.
Besoje ose jo, kafeja është burimi primar i antioksidantëve në vaktet ditore. Antioksidantët janë luftëtarë të zotët kundër radikaleve të lira. Ato zvogëlojnë gjasat e zhvillimit të tumoreve të gjirit dhe mushkërisë.
Çaji është gjithashtu një pije e mbushur me antioksidantë që ndihmojnë qelizat e shëndetshme kundër dëmëve kancerogjene. Si rrjedhojë, duhet të konsumosh rregullisht ushqime të pasura me antioksidantë, si frutat e pyllit, arrorët, argjinare etj.
Kujdes me kujtesën

Studimet kanë treguar që kafeina ka një ndikim pozitiv në kujtesën afatgjatë dhe atë afatshkurtër.
Ndaj, kur të heqësh dorë prej saj do të kesh problem të kujtosh ku ke vendosur çelësat, syzet apo edhe emrat.
Kafeina nga ana tjetër mund të ndihmojë kundër degjenerimit të trurit dhe sëmundje si Alzheimer, ndaj para se të vendosësh të reduktosh kafeinën merre në konsideratë këtë fakt.
Buzëqeshja jote do të jetë plot dritë

Nëse ke vënë re një ngjyrosje jo të këndshme të dhëmbëve, atëherë fajëso kafeinën. Pijet me kafeinë përmbajnë acide të quajtura taninë të cilat çojnë në njollosjen dhe çngjyrosjen e dhëmbëve.
Nëse heq dorë, dhëmbët e tua do të jenë të bardha dhe buzëqeshja plot dritë.
A je gati të heqësh dorë përfundimisht?
Konsumo një mëngjes të bollshëm energjik, ul sasinë e kafesë dhe pijeve me kafeinë në mënyrë graduale, programo kohën e lirë me shëtitje në ajër të pastër, zgjidh sa më pak pije me kafeinë, merru me aktivitete të ndryshme, evito gjithçka që lidhet me kafeinën si, makinat e kafesë në shtëpi apo raftet e pijeve me kafeinë në supermarket dhe fli më shumë.
Heqja dorë nga pijet me kafeinë nuk është një mision i pamundur. Ju duhet të siguroheni që të konsumoni ushqime të pasura me proteina dhe vitamina, të bëni ushtrime fizike, të bëni gjumë të qetë dhe të mos bini pre e tundimeve.