Sigal

Sipas stomatologëve shqiptarë, në vitet e fundit janë shtuar rastet e pacientëve me probleme dentare, sidomos në radhët e të rinjve. E gjitha kjo vjen si pasojë e një mungese kulture për të mbajtur siç duhet shëndetin oral. Është shumë e rëndësishme të tregoni kujdesin e duhur për dhëmbët tuaj, pasi ato do t’ju shoqërojnë për pjesën më të madhe të jetës suaj dhe janë aspekti më i bukur i buzëqeshjes. Ndaj, bëni mirë t’i zbatoni këshillat e mëposhtme në mënyrë të përpiktë.

Lajini dhëmbët tuaj të paktën dy herë në ditë për një kohë prej 2-3 minuta çdo larje. Përdorni një furçë të butë dhe larjen bëjeni në mënyrë vertikale nga lart-poshtë, jo në mënyrë horizontale, pasi kështu jo vetëm që nuk i pastroni siç duhet dhëmbët tuaj, por dëmtoni edhe mishrat e dhëmbëve. Larja e përditshme ka rëndësi të madhe për parandalimin e dëmtimit të dhëmbëve, sidomos nga kariesi dentar.

Bëni kujdes me dietën ushqimore. Mos konsumoni shumë ushqime të thata, apo ushqime me shumë karbohidrate. Ekziston një bakter i quajtur Streptokoku Mutans, i cili shumohet në kushtet e një mjedisi oral të pasur me karbohidrate. Ky bakter në këto kushte, bëhet shkaku kryesor i kariesit dentar, ndaj bëni shumë kujdes me dietën tuaj.

Pini vazhdimisht ujë dhe kujdesuni që pasta e dhëmbëve të ketë sasi të mjaftueshme fluori. Fluori bën të mundur frenimin e rritjes së bakterit të mësipërm, ndaj sigurohuni që pasta juaj e dhëmbëve të ketë sasinë e duhur të tij, ndërsa uji shërben për tretjen e sheqernave apo ëmbëlsirave që keni marrë dhe mund të jenë grumbulluar në hapësirat e dhëmbëve tuaj, duke u bërë ushqim për bakterin e mësipërm.

Përpara se të flini gjumë, sigurohuni edhe të keni përdorur fillin dentar për të pastruar çdo pjesë të dhëmbëve tuaj, të cilat mund të mos kapen ndonjëherë edhe nga furça e dhëmbëve. Pasi të përfundoni me këtë procedurë, përdorni një shpëlarës (Listerinë) dhe flini pa konsumuar gjë tjetër më vonë.

Bëni kujdes gjithashtu të ndërroni furçën tuaj të dhëmbëve brenda një periudhe 3-6 muaj dhe të bëni kontrolle periodike tek stomatologu juaj për ta ndjekur në mënyrë të vazhdueshme shëndetin tuaj oral dhe për të marrë masat e duhura në kohën e duhur, nëse diçka nuk po shkon siç duhet.