Disa këshilla mbi infeksionet e veshit

2271
Sigal

 

Gazeta Telegraf/


Infeksionet e veshit janë mjaft të shpeshta si në stinën
e ftohtë të dimrit ashtu edhe në stinën e verës. Fëmijët janë ata që
manifestojnë shqetësimet më të mëdha sa i takon dhimbjeve të veshit, të cilat
në rast se nuk marrin ndihmën e duhur mjekësore në kohë mund të mbartin pasoja
të rënda që çojnë deri në humbjen e dëgjimit. Qarkullimi i virozave dhe
gjendjeve gripale gjatë kësaj kohe, ka ndikuar në shtimin e problemeve dhe
ndërlikimeve të shfaqura sa i takon infeksioneve të veshit. Njohja e saktë e
llojit të infeksionit është edhe çelësi kryesor për përcaktimin e terapisë që
duhet të ndiqet, në mënyrë që të mos vihemi përballë rrezikshmërisë që mund të
dëmtojë dëgjimin tonë. Disa mjekë infeksionistë të Universitetit të Padovas
tregojnë se cilat janë infeksionet më të shpeshta që prekin veshin, si dhe
këshillat që nuk duhet t’i neglizhojmë për të shmangur në kohë ndërlikimet, kjo
veçanërisht tek moshat e vogla.

 


Cilat janë shenjat klinike më të shpeshta?


Simptomatologjia e infeksioneve të veshit është e
larmishme dhe varet nga lloji i infeksionit. Më të shpeshta janë dhimbjet e
veshit, kruajtje, ulje e lehtë e dëgjimit, rrjedhje të sekrecioneve, ulje të
oreksit, dhimbje koke, zhurma në vesh (gumëzhima), marrje mendsh (vertigo),
etj. Këto infeksione vijnë zakonisht pas infeksioneve të traktit të sipërm
respirator (bronkitet, sinusitet), në ndryshimet e papritura të presionit të
ajrit (për shembull gjatë fluturimit me avion), noti në pishina jo të pastra,
mykozate ndryshme, etj.

 


Format më të shpeshta të infeksioneve të veshit


Otitis eksterna, ose infeksioni veshit të jashtëm

Këto infeksione shfaqen
mjaft shpesh te notarët si rezultat i kontaktit të shpeshtë me ujëra,
shpeshherë jo me higjienën e duhur, por mund të vijnë edhe si pasojë e dëmtimit
mekanik gjatë pastrimit të veshëve me kunja. Është e këshillueshme që veshët të
pastrohen me shumë kujdes, pa ushtruar forcë, thjesht duke u fshirë me një
peshqir të butë pas larjes.

Otitis media ose infeksioni i veshit të mesëm


Kjo është patologjia më e shpeshtë e veshit, kryesisht e
fëmijëve të vegjël. Shfaqet më shpesh pas infeksioneve të aparatit të
frymëmarrjes. Në shumë raste çahet daullja e veshit duke pasur rrjedhje qelbi
në kanalin e veshit. Infeksionet e veshit të mesit mund të kronicizohen kur ato
përsëriten herë pas here. Gjithashtu mund të kemi edhe ndërlikime të
strukturave të tjera të brendshme të veshit (labyrinthitis), dëmtim të nervit
të dëgjimit që çon në ulje të dëgjimit deri në shurdhim të plotë, dëmtim të
nervit facial (i faqes) që mund të çojë deri në paralizë të fytyrës. Prandaj
këto infeksione duhen mjekuar sa më herët që shfaqen me përgjegjësi dhe
profesionalizëm. Është totalisht e gabuar të drejtohemi së pari në farmaci dhe
të marrim atje vetë mjekim. Kompetenca e përzgjedhjes së mjekimit i takon vetëm
mjekut. Mos hezitoni në asnjë rast të merrni këshillimin e mjekut të familjes
dhe është ai që kërkon konsultimin dhe terapinë e mjekut specialist (ORL).

nfeksionet që sjellin çarjen e membranës së veshit



Në rastin e çarjes së membranës kemi rrjedhje të qelbit
në kanalin e veshit. Kjo ndodh zakonisht në bebet e vogla deri në dy vjeç sepse
membrana e tyre është shumë e brishtë (fragile). Kjo vjen zakonisht pas
infeksionit të veshit të mesëm dhe karakterizohet nga grumbullimi i lëngjeve
brenda veshit të mesëm. Kur presioni i lëngjeve rritet shumë, bombohet membrana
dhe çahet. Përveç trajtimit lokal dhe të përgjithshëm në këto raste lind nevoja
edhe për trajtime kirurgjikale.


Infeksioni i njohur si myringitis


Ndërsa infeksioni i vetë membranës quhet myringitis. Edhe
në këtë rast shkaktarët mund të jenë të shumtë, viralë, bakterialë, mykotikë.
Daullja e veshit i 
përgjigjet infeksionit me dhimbje, gjendje ethore,
temperaturë. Infeksioni i veshit mund të përhapet edhe në kockat prapa veshit
(mastoiditis). Kemi në këtë rast skuqje dhe ënjtje (edemë) të lëkurës mbi këto
kocka, dhimbje të forta, ethe,temperaturë. Kjo është një gjendje e rëndë që mund
të pasohet me meningit, gjendje septike, paralizë faciale, etj.

Infeksioni i njohur si zjarri i natës


Zosteri i veshit (zjarri i natës) një infeksion viral që
shfaqet në zonën përreth veshit dhe brenda tij, në qafë e në ballë.
Karakterizohet nga dhimbje shumë të forta, vertigo (marrje mendsh). Terapia në
këto raste shkon gjatë, por ecuria është e mirë në përgjithësi.



Çrregullimi i ekuilibrit të veshit

Përmendim së fundi edhe një patologji tjetër të veshit që
është çrregullimi i ekuilibrit. Veshi i brendshëm përmban sistemin e
ekuilibrit. Një ndër shkaktarët e shumtë janë dhe infeksionet. Klinika përfshin
marrje mendsh, që janë të papritura dhe dramatike që mund të jenë të shoqëruara
me të përziera dhe të vjella. Ky sindrom ka edhe shkaqe të tjera, si për shembull
hipertensioni, spondiloartroza, udhëtimet me avion (ndryshimi i presionit të
ajrit).