Çrregullimet e gjumit, mjekët apelojnë që të mos abuzohet me stimuluesit

489
Vështirësitë dhe stresi i jetës së përditshme rezultojnë të jenë ndër shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të gjumit tek popullata shqiptare. Por, ajo që shfaqet edhe më shqetësuese sipas bluzave të bardha, është tendenca që po shfaqet së fundmi e përdorimit të stimuluesve të blerë lirisht nëpër farmaci, pa u konsultuar më parë me mjekun specialist. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, fatkeqësisht tek një pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare, përdorimi i këtyre stimuluesve të gjumit po shfaq varësi. Ndërkohë që përdorimi i tyre në çdo rast duhet të jetë i autorizuar nga mjeku pas konsultës së bërë. Specialistja e shëndetit Lumturi Mërkuri bën të ditur se stresi, stili i jetës, por edhe përdorimi i vitaminave janë ndër faktorët më të shpeshtë që po nxisin pagjumësinë edhe tek shqiptarët.

Problemet që mund të shfaqen në organizëm si pasojë e mungesës së gjumit janë të mëdha, duke filluar nga dobësimi i sistemit imunitar, funksionimi jo i rregullt i sistemit nervor, humbja e kujtesës, si dhe vështirësia në të përqendruar. “Një shkak madhor gjumëprishës është stresi i jetës së përditshme. Edhe vitaminat mund të jenë shkak i një pagjumësie sepse duke qenë tonizues e bëjnë trurin tonik dhe nuk e lënë që të flejë, ndaj rekomandohen në mëngjes. Preparatet që përdoren për gjumë duhet të përdoren nën këshillën e mjekut sepse një pjesë e tyre japin vartësi. Ulja e nivelit të hormoneve, dëmtime të lidhura me funksionin e sistemit nervor, ulje të imunitetit dhe të gjitha këto kanë pasojat e tyre. Po ashtu përdorimi i tyre jep ulje të përqendrimit që mund të jetë shumë i domosdoshëm për drejtuesit e makinave. Madje një pjesë e mirë e aksidenteve që ndodhin janë pikërisht prej uljes së përqendrimit për shkak të pagjumësisë, ndikon në ulje të kujtesës etj,” bën të ditur mjekia Lumturi Mërkuri.

Për të qëndruar larg këtyre problemeve këshillohet që në asnjë rast të mos veprohet me blerjen e këtyre qetësuesve, nëse më parë nuk jeni konsultuar me mjekun specialist. Vetëm në këtë formë do të mund t’i shmangim vetes një sërë komplikacionesh të rënda shëndetësore. Ndër këshillat e thjeshta e praktike që ndihmojnë në ndreqjen e çrregullimeve të gjumit janë kryerja e kujdesshme e ushtrimeve fizike, shmangia e stimulantëve, konsumimi e lëngjeve, si dhe ndalimin e ngrënies së tepërt para gjumit.
Sigal