Çfarë e shkakton Sindromën Vizive nga kompjuteri?

622
Shikimi në distancë të afërt realizohet nga kontraktimi i disa muskujve të veçantë brenda syrit, të cilët nëse punojnë pa ndërprerje, mund të mbeten të kontraktuar, madje edhe të shkaktojnë spazma, të cilat janë përgjegjëse për simptoma të tilla si; mosfokusimi dhe mos shikimi i qartë për larg pas punës në kompjuter, lodhja dhe rëndesa e syve, etj.
Defektet e pa korrigjuara të refraksionit mund të rrisin rëndësinë e simptomave që lidhen me Sindromën Vizive nga kompjuteri. 
Të shikosh një ekran kompjuteri ndryshon nga leximi i një fletë të printuar. Shpesh gërmat në ekran janë jo shumë të sakta dhe me konture më pak të mprehta, niveli i kontrastit të gërmave dhe sfondit të tyre është i reduktuar dhe prania e shkëlqimit dhe reflektimeve në ekran mund ta bëjë shikimin të vështirë.
Largësia dhe këndi i shikimit gjatë punës në kompjuter janë gjithashtu të ndryshme nga ato të leximit apo shkrimit normal. Si rrjedhojë, fokusimi dhe lëvizja e syve e nevojshme gjatë punës në kompjuter mund të mbingarkojë sistemin viziv.
Edhe personat që përdorin syze apo lente kontakti, mund të mos ndihen mirë me to në largësi të ndryshme nga ekrani i kompjuterit. Disa të tjerë përkulin kokën për të parë në kënde të ndryshme, sepse format dhe modelet e syzeve të tyre nuk janë të përshtatshme për punën në kompjuter. Disa afrohen më shumë se duhet, në mënyrë që të shohin më qartë. Qëndrimi i tyre mund të sjellë spazma muskulare apo dhimbje në qafë, shpatull apo kurriz.
Gjithashtu, puna me përqëndrim të lartë në komjuter dhe në mjedise me kondicionim (ku lagështimi i ajrit nuk është optimal), bën që të ndodhë një tharje kronike e syve, e cila është përgjegjëse për simptoma të tilla si djegie, ndjenjë e trupit të huaj në sy, etj.
Në më të shumtën e rasteve në rrezik më të madh për të patur Sindromën Vizive nga Kompjuteri, janë ata persona që shpenzojnë dy ose më shumë orë pa ndërprerje në kompjuter çdo ditë.
Si trajtohet Sindroma Vizive nga Kompjuteri?
Parandalimi ose reduktimi i problemeve të shikimit të lidhura me Sindromën Vizive nga Kompjuteri përfshin ndërmarrjen e disa hapave për të kontrolluar dritën dhe shkëlqimin e ekraneve kompjuterike, mbajtjen e largësisë dhe pozicionit të duhur të punës, pushimet gjatë orëve të punës dhe sigurimi i korrigjimit të duhur të defekteve sado të vogla të refraksionit.
Kujdesi për sytë
Personat që kanë defekte të refraksionit (nevojë për syze apo lente kontakti), janë më të predispozuar të vuajnë nga Sindroma Vizive nga Kompjuteri, nëse nuk korrigjohet me saktësi ky defekt. Në disa raste, edhe defekte relativisht të vogla të refraksionit mund të kontribojnë në shfaqjen apo përkeqësimin e kësaj sindrome. Për këtë arsye, shtrohet nevoja që çdo person që ka simptomat e përmendura më sipër duhet të kryejë një vizitë të plotë okulistike në mënyrë që të përjashtojë apo evidentojë nevojën për korrigjim me syze apo lente kontakti të një gabimi refraktiv të mundshëm.
Pozicionimi i saktë i trupit gjatë punës në kompjuter
Disa faktorë të rëndësishëm në parandalimin apo reduktimin e simptomave të Sindromës Vizive nga Kompjuteri, kanë të bëjnë me mënyrën e përdorimit të tij. Këtu përfshihen, ndriçimi i ambjentit të punës, rehatia e karrikes, vendndodhja e materialeve të punës (bllok shënimesh, libër, etj), pozicionimi i monitorit dhe pushimet e ndërmjetme.
Pozicionimi optimal i ekranit të kompjuterit duhet të jetë 15 deri në 20 gradë më poshtë se niveli i syve dhe 50 deri në 70 cm larg tyre.
Mbajtja e materialeve të punës (bllok shënimesh, libër, etj), duhet të bëhet në pjesën poshtë monitorit mbi tastierën. Qëllimi është që koka të mos lëvizë gjatë kalimit të shikimit nga ekrani në këto materiale.
Duhet të poziciononi ekranin në mënyrë të tillë që të evitohet shkëlqimi, sidomos nga ndriçimi i sipërm i dhomës apo nga dritarja. Mund të përdorni perdet apo të zëvendësoni ndriçimin e fortë të dhomës me një më të ulët.
Ekranet kundër-shkëlqim (anti-glare). Nëse nuk ka ndonjë mënyrë për të minimizuar shkëlqimin nga burimet e dritës, mund të konsiderohet përdorimi i filtrave kundër shkëlqimit, të cilët pakësojnë sasinë e dritës së reflektuar nga ekrani. Ekranet moderne të sotëm janë të pajisur me një sistem të tillë.
Pozicioni ulur. Karriket duhet të jenë të rehatshme dhe në përpjestim me përmasat e trupit. Lartësia e saj duhet të rregullohet që këmbët të qëndrojnë lirshëm mbi dysheme.
Nëse karriket kanë krahë, ato duhet të rregullohen që të mbajnë parakrahet, ndërkohë që përdorni tastierën.
Pushimet e ndërmjetme. Për të parandaluar lodhjen e syve gjatë përdorimit të kompjuterit për një kohë të gjatë, mundohuni të çlodhni sytë tuaj. Pas dy orëve punë në kompjuter, duhet të bëni një çlodhje të syve për të paktën 15 minuta.
Gjithashtu, çdo 20 minuta shikoni në distancë të largët për të paktën 20 sekonda, në mënyrë që t’i jepni mundësi syve të rifokusohen.
Ekzaminime të rregullta për sytë dhe zakone të duhura të shikimit në kompjuter ndihmojnë në parandalimin ose reduktimin e simptomave të shkaktuara nga Sindroma Vizive nga Kompjuteri.
Të qëndruarit me orë të tëra para një ekrani kompjuteri, sot është një pjesë rutinë e një dite të zakonshme pune. Dhe sot, në mënyrë të pashmangshme, në këto kohë moderne, një punë tejet komode në zyrë para një kompjuteri, të shndërron në një vartës të pandashëm ndaj ekranit dhe të sfidon për të mbijetuar ende… pa patur nevojë për syze.
Sigal