Bufi mban sekretin e dëgjimit të përhershëm

Shqisa e dëgjimit dhe ajo e shikimit nuk mbeten të njëjta për njeriun që nga lindja e deri në momentin që vdes.

Por, në ndryshim nga njerëzit, shkencëtarët besojnë se zogjtë ruajnë dëgjimin deri në sekondat e fundit të jetës së tyre dhe pikërisht studimi i shpendëve mund të na çojë në zbulimin e një kure për riparimin e tij.

Studiuesit në Universitetin e Oldenburg thonë se ndryshe nga shikimi, të paktën ditën, dëgjimi sidomos i bufëve është i njëjtë përgjatë gjithë jetës së tij, madje dëgjimi i mprehtë është mekanizmi kryesor që ata përdorin për të gjuajtur.

“Qelizat ndijuese të njeriut nuk mund të riparohen po u dëmtuan e për pasojë dëgjimi i humbur pjesërisht, apo plotësisht nuk mund të rikthehet. Por bufët janë në gjendje që të riparojnë këto qeliza njësoj siç njeriu shërohet nga një plagë e lehtë në trup”, thotë Georg Klump, udhëheqës i studimit.

Në studim u përdorën 7 bufa të kapur, që më pas u orientuan vetëm përmes tingujve që të gjenin ushqimin e tyre dhe u vu re, se edhe bufi më plak, që ishte 23 vjeç (në vite njerëzore mbi 100-vjeçar) arrinte ta gjente me të njëjtën shpejtësi si bufët e rinj ushqimin dhe prenë e vet. 

Studiuesit thonë se deri në moshën 65-vjeçare njeriu humbet 30 decibel nga shqisa e dëgjimit.