Brikena Shehu:Mirënjohja për mjeken dhe humanisten Luljeta Laze

182

Një vit pa doktoreshë Luljeta Lazen!

Nuk është shtatori që më kujton largimin tënd të paqtë nga kjo botë. Thuajse që nga dita e largimit nga ne të kam kujtuar gjithmonë e më shpesh. Nuk është e lehtë të përballesh me ndarjen nga njerëzit e dashur, por gjithmonë duhet të mësohemi për të ecur në këtë jetë edhe pa ata.

E dashur mikja ime e mirë Luljeta, Duart më dridhen sa herë do duhet të shkruaj për ty… Sikur të kisha mundësi do doja shumë të ecnim përkrah njëra tjetrën në këtë jetë. Shpesh herë bie në trishtim kur mendoj se njerëzit që dua më shumë, më largohen papritur. Sa e sa herë më duket se ti je në mendimet e mia më shumë se kushdo. Të të them kam mall është shumë pak. Mungesën që ndiej për ty përpiqem ta zbus duke ndenjur më shumë me të dashurit e tu. Takimi dhe miqësia me ty filloi në mënyrë të natyrshme. Bisedat tona ishin për gjëra të thjeshta, por mendja jote e bukur i gërshetonte me dijet dhe kulturën e gjerë që kishe brenda shpirtit. Më mungon kaq shumë zëri yt i ëmbël dhe i qetë. Çdo moment gëzimi që kemi kaluar së bashku ti e ke veshur me një petk që s’mund ta ndesh tek askush tjetër. E konsideroj veten me fat që të dyja jemi nuse në një derë. Një mrekulli do ta quaja lidhjen tonë të mëtejshme, e cila sa vinte edhe forcohej. Shpesh herë bisedat tona gërshetoheshin dhe ne të dyja mund të rrinim me orë të tëra duke biseduar. Sot e them pa droje se i kam pasur zili Përparimin, Sidin dhe Dean që kishin mundësi të rrinin me ty kohë pa kohë. Largimi yt i beftë ka mbuluar si re fytyrat e tyre. Mes trishtimit kanë përballuar në mënyrë dinjitoze mungesën e madhe që ke lënë pas. Njohja, miqësia dhe afrimiteti me ty rridhte natyrshëm. Me atë butësinë që rrallë e ndeshim në botën e vrazhdë që na rrethon, ishe si një engjëll i dërguar në tokë. Për gjithë këto 365 ditë, që nuk të kemi pasur të pranishme vetëm fizikisht, nuk besoj se ka kaluar ndonjë ditë që nuk e kam lakuar emrin dhe nuk kam vlerësuar këshillat e tua të vyera. Të kam kërkuar në të gjitha vendet që kemi shkelur së bashku. Kujtoj ato shëtitje ku me aq ëndje kundroje punët e dorës dhe sa me respekt i trajtoje njerëzit e punës. Sa herë çelin lulet, apo sa herë ndërrohen stinët kërkoj mes tyre shpirtin tënd të bukur. Më ka rastisur të kaloj në ato vende ku jemi takuar rastësisht, që siç thoshe ti njerëzit janë shkëmbim energjish dhe aty kam takuar të afërmit e tu. Në sytë e tyre ndiej dhimbjen dhe dashurinë e madhe që nipërit e mbesat kanë për ty e dashur. Ke dhënë shumë dashuri dhe ata përpiqen ta përcjellin tek çdo i afërm e mik yti. Pak fjalë për të nderuarën dhe respektuarën doktoreshën pediatre Luljeta Laze.

Luljeta Laze u rrit në një familje të thjeshtë e me tradita patriotike. Për edukimin e saj u kujdes nëna e saj, vëllai e motrat më të mëdha, pasi babai e la fare të vogël. Duke e njohur dhe biseduar me Luljetën e kuptoje menjëherë sa shumë dashuri e përkujdesje kishte marrë ajo nga familja e saj e thjeshtë, por me tradita. Luljeta fliste me dashuri dhe mirënjohje edhe për gjyshërit e saj të dashur. Me qetësinë dhe çiltërsinë që e karakterizoi Ajo ia kushtoi gjithë jetën dhe punën e saj në dobi të qenies njerëzore, duke mos e kursyer aspak veten. Miqtë e kolegët e saj e dinë mirë se ajo ishte një Doktoreshë e zonja, një grua e papërtuar dhe e kudondodhur në çdo kohë. Me buzëqeshjen e saj të dëlirë, fjalën e butë e të shtruar përpiqej sadopak të lehtësonte këdo në problematikën shoqërore apo mjekësore. Një femër e brishtë dhe inteligjente që shkëlqeu në të gjitha fazat e edukimit të saj. Edukimi dhe formimi i saj në profesionin e nderuar të Mjekut kishte mbrujtur brenda saj dashurinë e fortë për qenien njerëzore. Në një moshë disi të konsiderueshme fati e deshi që ajo të shkonte në Toronto, Kanada. Pavarësisht gjithçkaje Luljeta bëri gjithçka dhe arriti të diplomohej dhe integrohej në shoqërinë perëndimore. Nuk kishte asgjë që mund ta pengonte apo zmbrapste Luljetën. Kur një profesor iu drejtua që si ka mundësi që ju arrini rezultate më të larta se një 20-vjeçar, Luljeta me qetësinë që e karakterizonte i thotë: “Mua nuk më premton koha!” Luljeta vraponte dhe pasurohej çdo ditë me dije, kulturë e dashuri njerëzore. Pasioni më i madh i saj në jetë ka qenë letërsia dhe dashuria për njeriun e natyrën. Me natyrën e saj të mrekullueshme arriti të ishte e kudondodhur, për të zgjidhur çdo problem apo shqetësim të njerëzve, pavarësisht, nëse i përkisnin apo jo gjakut të saj. Diku kam lexuar një shprehje të Gorkit që mendoj se i shkon më shumë karakterit të fortë dhe personalitetit të saj të palëkundur: “Kënaqësia më e madhe dhe gëzimi më i madh i jetës është ta ndjesh veten të nevojshëm e të afërt për njerëzit e tjerë”. Me Luljetën mund të shkëmbeje biseda dhe ajo të shpjegonte me qetësi për gjithçka që ndodh në botën tonë të madhe. Duke vënë re shqetësimin e saj për shumë fenomene njerëzorë që përballemi çdo ditë i thosha se e mundon shumë veten. Dhe ajo qetësisht të kthehej: “Çdo gjë që kam bërë në këtë jetë më ka mbushur shpirtin.” Për të gjithë ata që e kanë njohur Luljeta do të mbetet gjatë në kujtesën e cilitdo për buzëqeshjen, sjelljen, mirësinë dhe dashurinë e pakushtëzuar që përcolli kudo që shkoi e për këdo që takoi në këtë jetë.

Luljeta kishte zgjedhur që të mos i përkiste vetëm familjes ku ajo u rrit, familjes ku u prit nuse apo familjes së saj të vogël, të cilën e krijoi si një familje model. Luljeta ishte një grua e rrallë, një bijë e dashur, një motër e dhembshur, një bashkëshorte e denjë, një nënë e përkryer dhe një gjyshe e mrekullueshme. Me jetën e saj të vrullshme, me mënyrën e veçantë sesi Luljeta përballoi çdo vështirësi e sfidë të jetës, forcën me të cilën luftoi sëmundjen e pashërueshme bën krenare Familjen e saj, vëllanë, motrat e dashura, bashkëshortin e saj të dashur e të nderuar Përparimin, fëmijët e saj të mrekullueshëm të rritur e edukuar me shumë kujdes e vëmendje Marsidin dhe Dean, e veçanërisht për dashurinë dhe përkujdesjen e madhe ndaj mbesës së dashur Hera. Buzëqeshja e Luljetës dhe fjala e ëmbël nuk do i mungojë vetëm familjes, por gjithë miqve e të afërmve të saj.

Brikena Laze (Shehu)