Autizmi, rreziku më i lartë te fëmijët e lindur para kohe

669
Rezultatet e një kërkimi të fundit kanë zbuluar se te fëmijët e lindur para kohe, rreziku i autizmit është më i lartë. Këtë fakt e kanë treguar vëzhgimet që i janë bërë trurit dhe konkretisht deformimeve të tij Fëmijëve të lindur përpara 30 javëve të shtatzënisë u kanoset një rrezik më i madh për t’iu zhvilluar shqetësime të spektrit autik (DSA) në krahasim me fëmijët e lindur në kohën e duhur dhe kjo mund të vijë nga një zhvillim cerebral anormal ose nga dëmtime të lidhura me lindjen e tyre të parakohshme. Identifikimi i asaj se çfarë nuk shkon në drejtimin e duhur, do të lejonte një ndërhyrje të parakohshme dhe sidomos zhvillimin normal të këtyre fëmijëve, përpara shfaqjes së simptomave.

Një studim i kryer në Australi tek 172 fëmijë të lindur para kohe me diagnozë autizmi, ka treguar prezencën e anomalive cerebrale, me një probabilitet më të madh të dëmtimit të substancës së bardhë dhe të volumit cerebral, inferior në krahasim me fëmijët e tjerë. Studimi në fjalë sapo është publikuar në “Autism Research”. “Nëpërmjet këtij studimi, është bërë një hap përpara e tepër i rëndësishëm për të zbuluar anomalitë strukturore të të sapolindurve që potencialisht shoqërohen me zhvillimin e DSA-së”, ka thënë mjekja Alexandra Ure, përgjegjësja e studimit. “Në veçanti, rezultatet evidentojnë faktin se, reduktimi i vëllimit cerebral mund të parashikojë zhvillimin e DSA-së te fëmijët prematurë”.

Sigal

Rëndësia e identifikimit të anomalive cerebrale

Implikimet klinike të identifikimit të hershëm të fëmijëve me anomali specifike strukturore dhe funksionale, përfshijnë aftësinë për të monitoruar zhvillimin e trurit dhe për të bërë një ndërhyrje në kohë, përpara se të shfaqen simptomat përkatëse. “Shqetësimet si DSA-ja janë shpesh të vështira për t’u diagnostikuar te fëmijët e lindur shumë para kohe, për shkak të mbivendosjes së simptomave të çrregullimeve të tjera gjatë zhvillimit të tij biologjik. Kjo është arsyeja për të cilën identifikimi i biomarkatorëve për DSA-në është kaq i rëndësishëm në këtë grup fëmijësh”. (Një biomarkator është një substancë e përdorur si një tregues i një gjendjeje biologjike në fusha të ndryshme ndërdisiplinore.)

Reduktimi konjiktiv i trurit të fëmijëve prematurë

Zbulimi se në çfarë mënyre ndikon lindja premature në zhvillimin e trurit, ishte objektiv i një studimi mbi lidhjen funksionale dhe strukturore, i cili është prezantuar para dy ditësh në takimin e rëndësishëm të neuroshkencës, në kongresin e “Society for Neuroscience SfN”, në Çikago. Studimi i rezonancës dhe i tratografisë (DTI) është kryer nga “Neonatal Development Research Lab”, në Universitetin e Uashingtonit, tek 58 të sapolindur dhe tek 78 prematurë. Nga analizat doli se te këta të fundit, disa qarqe kyç të trurit, si ato të vëmendjes, të komunikimit dhe të emocioneve, paraqitnin lidhje më të dobëta. Për të kuptuar më mirë evolucionin e këtyre anomalive cerebrale dhe rolin e tyre në shfaqjen e shqetësimeve, si ato të spektrit autik dhe njohës, nga të cilët prematurët janë më të rrezikuar, studiuesit po vazhdojnë të monitorojnë fëmijët, që janë parë edhe më përpara e të cilët i përkasin moshës nga 2 deri në 5 vjeç, ndërsa ata do të ndiqen deri në moshën 10 vjeç. Shkencëtarët po përpiqen tashmë që të kuptojnë më mirë rrugët e ndryshme etiologjike, duke u përqendruar mbi faktorë me rreziqe biologjike e mjedisore dhe në informacionet gjenetike. Çdo vit, në botë lindin 15 milionë fëmijë prematurë, pra të lindur përpara javës së 37 të shtatzënisë. Falë progresit të mjekësisë edhe te të sapolindurit, mbijetesa e tyre është përmirësuar në mënyrë domethënëse.

Çfarë është autizmi?

Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, pjesë e çrregullimeve të spektrit autik. Sot, të paktën 1 në 88 vetë diagnostikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA, të marra së bashku. Është diagnozë aq e gjerë, sa në të mund të përfshihen individë të vlerësuar me koeficientë inteligjence të përparuar apo edhe me vonesë të zhvillimit mendor. Individët me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodikë ose të çorganizuar.