Anila Kalleshi/ Si duhet të ushqehemi në festat e fundvitit

667
Sigal

*dietologe

Festat e fundvitit me ngarkesën kalorike që kanë, patjetër na bëjnë të jemi 3-4 kg më tepër mbi peshore dhe ca cm më shumë në perimetër. Pas ditëve të fundit të vitit, dieta që duhet të ndjekim në fakt nuk duhet të synojë vetëm humbjen e shëndetshme të kileve që janë marrë pa karar, por dhe një detox total të trupit që do të ishte mjaft i shëndetshëm. Ushqimi duhet të jetë i varfër në kalori, yndyra, por dhe i pasur në ujë, vitamina e kripëra minerale.

Fillimisht duhen respektuar vaktet dhe në veçanti vakti i mëngjesit. Asnjëherë nuk ndodh që nëse dikush ka abuzuar në darkë, ta kompensojë me shmangien e mëngjesit. Mëngjesi duhet të konsistojë në 1 fetë bukë thekre ose integrale, një kos natyral, kafe apo çaj, një porcion frutash (një fryt i gjallë, një komposto apo një lëng frutash pa sheqer) ose kos me tërshërë dhe fara lini. Frutat të përdoren më mirë në mëngjes se sa në drekë dhe darkë, pasi dreka dhe darka në rastet kur duam të humbasim peshë është më mirë që mos të mbyllen me sheqer. Kur ne konsumojmë fruta në mëngjes organizmi ynë i asimilon më mirë sheqernat në mes të ditës dhe i magazinon më pak. Mos hani më shumë se 250 gr fruta në ditë, pra jo me shume se 2 fruta në ditë. Thyejini vaktet e mëdha me pak bajame.

Shmangni të gjitha ushqimet që keni konsumuar gjatë festave, si ëmbëlsirat salcat, ushqimet e përpunuara dhe te procesuara, konservat dhe të skuqurat. Eliminoni yndyrat dhe sheqernat e këqija si ëmbëlsirat, karamelet, çokollatat, por edhe alkooli i çfarëdolloj, i cili është një bombë e vërtetë kalorish pasi 1 fr alkool përmban rreth 7 kalori. Yndyrat e këqija duhet te zëvendësohen me ushqime me më pak yndyrë si peshku dhe mishi i bardhë dhe të gatuara me avull, me presion apo të pjekura pasi mënyra e gatimit ka shume rëndësi në ruajtjen e vlerave ushqimore dhe kaloritë. Në sallatë përdorni vaj ulliri ekstra i virgjër. Vendosni në vaktet kryesore në pjesën më të madhe të pjatës ushqime të pasura në fibra. Përveç mëngjesit të plotë, kujdes me drekën dhe darkën. Në drekë, konsumoni një racion mish ose peshk të shoqëruar me perime të ziera, dhe dreka sa më e lehtë. Në tavolinat tona nuk duhet që të mungojnë kivi, portokallinjtë, dardhat. Portokallinjtë janë të pasur me vitamina C, forcojnë sistemin tone imunitar dhe na ndihmojnë t’i mbajmë larg sëmundjet. Dardhat, njihen për efektin e tyre laksativ, të pasura me ujë dhe me fruktoze, ideale për ata që e duan shijen e ëmbël. Por, mos të harrojmë as kivin, i cili është mjaft i rëndësishëm pasi përmban vitaminë C, fosfor dhe kalium, duke e përmirësuar lëvizshmërinë e zorrëve. Të gjitha këto janë te pasura në vitaminën C, por edhe fosfor, kalium te cilat përmirësojnë aktivitetin intestinal.
Veç tyre, zarzavatet duhet të jenë gjithmonë të freskëta. Në radhë të parë, spinaqi i cili është i pasur në hekur, po kështu edhe sallata, e cila është e varfër në kalori, por heq ndjenjën e urisë. Karota gjithashtu, e pasur me vitaminën A, finoku, janë të rekomandueshme në këtë periudhë. Nuk duhet të heqim dorë edhe nga orizi, mishi i pulës, por edhe supat, veçanërisht me bishtajore. Kopra dhe selinoja e majdanozi këshillohen shumë të përdoren për të përmirësuar tretjen. Lulelakra dhe brokoli janë të mrekullueshme pasi është vërtetuar se janë një thesar mineralesh dhe vitaminash. Ne duhet të mundohemi t’i kombinojmë këto perime me oriz të zier, mish të bardhë dhe në përgjithësi me ushqim sa më të thjeshtë të jetë e mundur. Gjithashtu, preferohen edhe supat, veçanërisht bishtajore, që e rrisin lëvizshmërinë e zorrëve dhe sigurojnë energji të nevojshme për ta luftuar të ftohtin. Filloni të konsumoni sa më shumë lëngje, në mënyrë që të pastrohet mëlçia. Pini çdo ditë çaj jeshil me limon ose qitro të shtrydhur. Zvogëlojeni porcionin e pjatës me 1/3.
Në mëngjes filloni një gotë ujë të ngrohtë me limon. Lëngu i limonit përmirëson tretjen dhe asimilimin e sheqernave dhe mineraleve. Një mënyrë shumë e efektshme për rënien në peshë gjatë gjithë vitit është aktiviteti fizik, në mënyrë që të rritet metabolizmi dhe të digjen kalori me lehtësi. Ekuilibrimi i ushqimit nuk do të thotë që të hiqet dorë nga ushqimet e këndshme të ditëve të festave. Ushqimet duhet të vazhdojnë të jenë me pamje të këndshme e të shijshme, si dhe të larmishme. Dieta nuk mund të japë maksimumin e saj nëse ajo nuk shoqërohet edhe me aktivitet fizik. Ushtrimet fizike janë shume te rëndësishme, ndaj filloni pra menjëherë pas festave me pesha, biçikleta, ushtrime te tjera fizike, por edhe me ecje dhe vrapime ne ajër te pastër.