7 mitet që duhet të dimë rreth obezitetit

492
Pesha
Dëshironi të dobësoheni, por jeni të rrethuar nga mitet që ju pengojnë të hiqni kilogramët e tepërt dhe të luftoni obezitetin? Një grup ekspertësh kanë demaskuar informacionin e gabuar për mbipeshën Popullata botërore po shëndoshet në mënyrë gjithnjë e më të pakontrolluar, pavarësisht faktit se paralajmërimet e dëmit shëndetësor nga obeziteti janë në rritje. Me gjithë dëshirën për të kontrolluar peshën, ka disa mite që janë formuar rreth obezitetit dhe që pengojnë shumë persona ta kuptojnë vërtet këtë gjendje. Të zemëruar nga ky keqinformim, një grup i madh mjekësh dhe shkencëtarësh u mblodhën për të shkruar këtë artikull mbi informacionin e gabuar që shkon kundër provave shkencore. Këto janë shtatë mitet kryesore që ata identifikuan.
Miti 1: Humbja e peshës nga një dietë e veçantë dhe një program ushtrimesh është e parashikueshme dhe konsistente.
Ekziston një ide popullore se pakësimi ose djegia e kalorive, me kalimin e kohës do të çojë në humbje peshe, ndërsa shtimi i po aq kalorive, çon në shtim të një kilogrami apo dy.
Në realitet, një studim ka zbuluar se njerëzit humbin peshë vetëm 20 për qind nga ajo që pritej, nëse kjo ide do të ishte e vërtetë. Për sa i përket efektit afatgjatë, kjo është më komplekse. Rezulton se përfundimet variojnë nga një person te tjetri dhe se ndryshimet trupore, balanca e ushqimit dhe stërvitja që duhen për të humbur peshë, janë gjithashtu të ndryshme. Kërkuesit tani po kalojnë në idenë se dieta e çdo personi duhet të personalizohet me kujdes. Sa për mitin, ai bazohet në studime afatshkurtra që janë bërë kryesisht te meshkujt.
Miti 2: Pa synime realiste të humbjes së peshës, njerëzit acarohen dhe humbin më pak kilogramë.
Ndërsa kërkuesit e quajnë këtë “një hipotezë të arsyeshme”, rezulton se nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur atë. Disa studime i kanë ndryshuar synimet e pjesëmarrësve që të ishin më realiste dhe zbuluan se nuk kishin efekt në përfundim. Në fakt, synimet më ambicioze, në vend të atyre realiste, ndonjëherë lidhen me humbjen më të madhe të peshës.
Miti 3: Humbja e ngadaltë dhe graduale e peshës është më e mirë në kontekst afatgjatë.
Në fakt, njerëzit në studime që treguan një rënie më të shpejtë të peshës, kishin gjithashtu peshë më të vogël në fund të studimit afatgjatë. Kërkuesit sugjeruan se humbja më e madhe në peshë, në fillim të një programi dobësimi, lidhej me suksesin afatgjatë të pakësimit të kilogramëve të tepërt.
Sipas një kërkimi më të avancuar, njerëzit që humbnin më shumë kilogramë në mënyrë më të shpejtë, nuk kishin shumë gjasa të fitonin kilogramët, krahasuar me njerëzit që i humbnin ato gradualisht.
Miti 4: Njerëzit duhet të ndihen gati për të filluar një program për humbje të peshës.
Gatishmëria për të hyrë në dietë, në fakt nuk është një parashikues i mirë për rezultatet e humbjes afatgjatë të peshës. Megjithatë, kërkuesit shkruajnë se shpjegimi mund të jetë i thjeshtë, njerëzit zgjedhin vullnetarisht të hyjnë në programe të humbjes së peshës kur janë të paktën minimalisht gati për sjelljet që kërkohen në humbje të peshës. Vullneti për të humbur peshë mund të jetë i mjaftueshëm, nuk kërkohet ndonjë vlerësim i gatishmërisë.
Miti 5: Lënda e fizkulturës në shkollë është një mjet i fuqishëm për të luftuar obezitetin në fëmijëri.
Ndërsa pakësimi i edukimit fizik është një pikë e nxehtë debati në diskutimin e epidemisë së obezitetit mes adoleshentëve dhe fëmijëve, mund të mos jetë edhe aq i rëndësishëm, thonë kërkuesit.
Kur rritet koha e shpenzuar në orën e fizkulturës, efekti tek Indeksi i Masës Trupore është jokonsistent. Programet shkollore që inkurajojnë më tepër aktivitet fizik, nuk kanë efekt mbi këtë indeks, megjithëse kanë përfitime të tjera, si niveli më i ulët i kolesterolit në gjak dhe pakësimi i orëve të shpenzuara përpara TV.
Miti 6: Seksi është një mënyrë e mirë për të djegur kalori
Seksi është i shëndetshëm për shumë arsye, por djegia e kalorive nuk është një prej tyre, sipas studiuesve. Ata përllogaritën shifrat dhe ndërsa miti thotë se dikush mund të humbë në peshë deri në 300 kalori për orgazëm, e vërteta është se kjo mund të jetë vetëm 21 kalori …
Miti 7: Ushqimi me gji mbron beben ndaj obezitetit
Mund të shpëtosh dikë nga obeziteti që prej fillimit? Jo kaq shpejt. Ndërsa njerëzit që janë ushqyer me gji kanë më pak gjasa të rriten obezë, siç tërhoqi vëmendjen Organizata Botërore e Shëndetësisë, studimet deri më tani nuk kanë zbuluar prova që të mbështesin ushqimin me gji si mbrojtje kundër obezitetit. Çfarë është vëzhguar më parë, mund të ketë më tepër lidhje me faktorët që gjenden më shpesh te bebet që kanë marrë ushqim gjiri, sesa vetë kjo praktikë. Megjithatë, ushqimi me gji rekomandohet për shumë arsye të tjera gjithashtu.
Sigal