11 ushqimet më të mira për të detoksifikuar mëlçinë

1534
Sigal

Mëlçia është një nga organet më të të rëndësishme të trupit. Funksioni i saj kyç është prodhimi i proteinave, i pasuar nga prodhimi i lëngut të tëmthit, përpunimi i pjesëve përbërëse të ushqimit. Gjithashtu, ajo eliminon të gjitha toksinat dhe helmet e trupit. Ka disa ushqime që janë perfekte për të detoksifikuar mëlçinë.

11 më të rëndësishmet ua tregon dietologia Blerina Bombaj. Ja cilat janë ato: 

Mëlçia luan rol kyç në funksionin fiziologjik të trupit. Ajo na shpëton nga helmet e përditshme dhe ndihmon tretjen e ushqimit. Është laboratori kryesor i përpunimit të lëndës së parë. Një mëlçi funksionale shërben si motorr djegës i yndyrës; ajo kthen lëndët ushqyese në përbërës jetësor për qelizat tona të cilat transportohen nëpërmjet gjakut, depoziton vitaminat dhe mineralet dhe prodhon enzimat të cilat janë jetike për ekuilibrin hormonal. Mëlçia gjithashtu luan rol të rëndësishëm në sistemin imunitar, në luftën kundër baktereve dhe infeksioneve dhe prodhon lëngun biliar, i domosdoshëm për tretjen e yndyrnave.

Mëlçia mund të rrezikohet nga sëmundje të trashëgueshme, nga infektimi me viruse apo nga intoksikimi me helme. Nga abuzimi dhe neglizhenca me këtë organ, mund të shfaqen pasoja si sëmundje zemre, obezitet, dhimbje koke, lodhje kronike dhe alergji. Edhe pse ne mbrohemi nga sistemi ynë imunitar, është mëlçia ajo që e mbron sistemin imunitar nga mbingarkesa. Për të siguruar shëndetin e mëlçisë është e domosdoshme të evitojme alkolin, duhanin, sheqerin e tepërt dhe të pimë ujë mjaftueshëm.

11 ushqimet që kurojnë mëlçinë:

Hudhrat
Hudhrat aktivizojnë një enzimë e cila shpërbën toksinat. Allicina dhe seleniumi janë dy përbërës të hudhrës të cilët forcojnë pastrimin e mëlçisë.

Qitro
Lëngu i qitros ndihmon në eliminimin e toksinave kancerogjene dhe ofron kombinim të shkëlqyer të vitaminës C dhe antioksidantëve.

Panxhari
Përmban flavonoide që ndihmojnë proceset fiziologjike të mëlçisë.

Kafja
Studimet tregojnë se kafja ndikon pozitivisht në shëndetin e mëlçisë edhe pse mekanizmi mbetet pak i turbullt.

Gjethet jeshile
Rukola, pazitë, spinaqi dhe sallata jeshile ndihmojnë në përthithjen e metaleve të rënda në sajë të fibrave të tyre bimore. Në këtë mënyrë ato ulin ngarkesën e mëlçisë me këto përbërës të padegradueshëm.

Çaji jeshil – në veçanti Matcha
Përmbajtja e lartë në katekina, një antioksidant tipik i bimës Camelia Sinensis, ndihmon shëndetin e mëlçisë dukshëm. Studimet tregojnë se konsumi i çajit jeshil sjell rezultate shumë të dobishme në rastet e mëlçisë së dhjamosur pasi ul akumulimin e acideve lyrore në këtë organ. Matcha jeshile për më tepër ndihmon ndjeshëm luftën kundër viruseve të mëlçisë si hepatatiti.

Asparagu
Asparagu (shpargujt) rezulton ushqimi ideal për ata që konsumojnë alkolin! Përbërja e tij e jashtëzakonshme në lënde ushqyese ka një efekt mbrojtës të mahnitshëm për mëlçinë nga veprimi tepër toksik i alkolit në qelizat e saj. Megjithatë, kjo nuk do të thotë kurresesi të tejkalojmë masën me alkolin, ai mbetet toksik!

Brokoli dhe lulelakra
Këto lloj zarzavatesh kanë një efekt të veçantë në forcën detoksifikuese të mëlçisë në sajë të disa përbërësve të quajtur glucosinolate, të cilët duket të jenë një armë e fortë kundër toksinave kanceroze.

Turmeriku dhe kanella
Këto erëza po njihen gjithnjë e më shumë për rolin e tyre antioksidues dhe antiinflamator. Ato mbështesin tretjen dhe lehtësojnë mëlçinë në punën e saj. Në veçanti kanella ka veti mbrojtëse të fuqishme kundër baktereve dhe viruseve.

Arrat
Arrat përmbajnë glutathione, antioksidant që renditet i pari për nga rëndësia kur bëhet fjalë për detoksifikimin e mëlçisë. Këtu ajo vjen bashkë me acide lyrore tepër të dobishëm si ato të tipit omega -3, të cilët gjithashtu luftojnë inflamacionin dhe gjithçka toksike që ai prodhon.

Agjinarja
Në sajë të përbërësit cynarin, kjo lule luan rol kundër depozitimit të dhjamit dhe prodhimit të kolesterolit në mëlçi. Për më tepër, ekstrakte të agjinares e mbrojnë mëlçinë nga dëmtimi që mund të pësojë nga toksinat me të cilat bie në kontakt.

Këshilla të tjera: 

  • Evitoni ushqimet e përpunuara e të konservuara dhe alkoolin.
  • Evitoni përdorimin e panevojshëm të ilaçeve si paracetamoli.
  • Mos prekni dhe mos nuhasni lënde toksike si diluent, pesticide, llak, bojra kimike, detergjentë etj
  • Evitoni sa të mundeni përdorimin e kimikateve në shtepi dhe në trupin tuaj. Lëkura përthith gjithçka.
  • Mbani në shtëpi bimë që pastrojnë ajrin.