10 këshilla për të luftuar ankthin

538
Sigal

Femrat janë dy deri në tre herë më shumë gjasa të vuajnë nga çrregullimi i ankthit të përgjithësuar më shumë se meshkujt. Valentina Qemali, psikiatre në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, Tiranë, jep disa këshilla për gjendjen e ankthit.

Evitoni stresin. Njerëzit me natyrë perfeksioniste, të mbindjeshëm, ata që duan me çdo kusht të kontrollojnë gjithçka janë më të ekspozuarit ndaj çrregullimeve të ankthit, pasi temperamenti i tyre i bën viktima të stresit.

Ruani qetësinë. Gjatë ankthit frymëmarrja përshpejtohet, kurse zemra rreh më shpejt. Shpesh personat me çrregullime ankthi fiksohen pas këtyre ndryshimeve, masin pulsin e frymëmarrjen. Kjo rëndon më tej gjendjen, sepse favorizon rritjen e ritmit të zemrës, shton vështirësinë e frymëmarrjes, të dridhurat, ndjenjën e rrëzimit etj.

Kontrolloni frymëmarrjen. Qëllimi është të merrni frymë thellë e sa më normalisht, duke vënë në lëvizje barkun, dhe jo kraharorin. Kjo quhet frymëmarrje abdominale. Nga 10 minuta çdo ditë janë të mjaftueshme dhe me rezultate të mira kundër ankthit.

Sport kundër ankthit. Sporti (ecja,vrapi, biçikleta) është një rrugë e mirë kundër stresit e ankthit. Ai vë në lëvizje muskujt, përmirëson frymëmarrjen dhe oksigjenimin e trurit, kujtesën e arsyetimin. Ideale do të ishin 30 minuta 3-5 herë në javë. Pas 8 javësh me sport do të vini re një përmirësim të dukshëm të mirëqenies suaj, ndërsa pas 12 javësh një ulje të ndjeshme të nivelit të ankthit. Mos harroni! Sporti bën mirë për zemrën.

Shmangni veset. Pakësimi i alkolit, duhanit, kafesë apo pijeve me kafeinë, drogave të ndryshme ul nivelet e ankthit.

Flini mjaftueshëm. Pagjumësia e shton ankthin. Të kesh probleme me ankthin dhe të flesh nuk është gjë e lehtë. Një gjumë i qetë e i mjaftueshëm 7-9 orë në natë ul nivelet e ankthit. Mundohuni të krijoni kushte për një gjumë të mirë.

Ushqehuni mirë, shpesh e mjaftueshëm.

Qëndroni me persona ku gjeni mbështetje. Sa më tepër mbështetje të keni nga miq e të afërm, aq më pak të ndjeshëm do të jeni ndaj stresit e ankthit.

Shmangni mendimet negative gjatë ditës duke krijuar një orar për 10 minuta në ditë, sigurisht jo në mbrëmje.

Shkruani shqetësimet tuaja disa herë dhe në fund, pasi t’i lexoni, mund ta grisni letrën. Është një mënyrë e mirë për t’i shprehur mendimet që nuk mund t’i ndani me askënd.

Ti shkruash është më e vështirë sesa ti mendosh, kështu mendimet negative mund të zhduken më lehtë.
Këshillohet të shmangen qëndrimet strikte e shumë protektivë kundrejt fëmijëve, duhet pasur kujdes në trasmetimin e ankthit që prindërit mbartin për të mos e trasmetuar të fëmijët, mbështetini kur kanë nevojë, vlerësojini kur duhet, mos mbysni nismat dhe ndihmojini të rritin besimin në vetvete.
Vlerësoni siç duhet përparësitë në jetën tuaj. Gjërat kryesore duhen vendosur gjithmonë në qendër të vëmendjes e të jenë qëllimi kryesor në jetë.