Ylli Musta: NË ZAGORIE, TE BURIMI…

106

Aty gjen godinën ku  strehohej  shtabi i Luftës
Nacionalçlirimtare  për Zonën e Parë  Operative,


NË ZAGORIE, TE BURIMI…

 


Tregojnë, se Çajupi kur ishte djalosh i ri, për të parë
vashën  që i digjte zemrën, vajti në kishën e fshatit  dhe i ra kambanës

 


Ylli Musta


..”Hesht mos qaj o vajzë/ Se ta  gjen
bandilli/ E kishe argjendi/ Ta blej  prej floriri…”

 

Aty
për aty, të tjerë bashkëfshatarë  “mendjekrisur”, ia ngritën këngën që
mbahet mend edhe sot: “Biçikleta në  Vithyq/ Kush e pa dhe s’bëri kryq?”
Po ka edhe më  nga temperamenti zagorit.  Në marsin e kaluar 
ishim   në Sheper  për të festuar përvjetorin e lindjes së
poetit  Andon Zako Çajupi. Kish ardhur edhe presidenti i vendit me këtë
rast. Binte një shi i hollë e i dendur vazhdimisht që ia prishi disi bukurinë
takimit. Presidenti, gjatë takimit dhe bashkëbisedimit  të rastit  me
fshatarët, u kish thënë:  “ Ju siguroj se  hallet e problemet
 tuaja  do t’i  përcjell deri në  instancat më të larta të
shtetit…”  Por  njëri nga  fshatarët,  i revoltuar kish
brofur nga vendi: “Po ç’instancë  more zotni, ti je vetë instanca! Do t’ia
përcjell thotë!  Tallesh me ne tani?…” Dhe kish ikur “ i krisuri” gjithë
inat  dhe kish ndërprerë energjinë elektrike! Takimi  vazhdoi më pas 
me gjenerator…Zagoria, një nga krahinat më të bukura e me plot histori jo
vetëm  në rrethin e Gjirokastrës, gjithnjë është mbajtur si krahinë e
largët nga qyteti. Por në ditët e sotme, kur të 10 fshatrat që e përbëjnë, janë
zbrazur nga banorët, emri Zagori dhe vetë krahina ngjajnë edhe më të largëta,
më të thella… Atje i kanë  lënë të gjitha: shtëpitë  prej guri,
kishat e vjetra, varret, lëndinat e kullotat, burimet e ftohta, shkollat dhe
vatrat e kulturës, shtëpinë ku lindi Çajupi, godinën ku  strehohej 
shtabi i Luftës Nacionalçlirimtare  për Zonën e Parë  Operative, dhe
më tej,  vendi me emrin Çarrok ku ngrihet monumenti  në kujtim të
krijimit të  brigadës së 8 dhe të 14  partizane…  E
megjithatë, Zagoria është një diamant i bukur që nuk rresht së rrezatuari 
vlera, tradita, kulturë, e sidomos këngë.  Sa herë të shkosh në Zagorie,
gjithnjë do të zbulosh e do  të  marrësh patjetër me  vete 
diçka  të re. Gjithnjë do dëgjosh atë këngën  polifonike, kënduar aq
ëmbël e përmallshëm: “Pini shokë të
gjithë pini/ Se këtu është burimi…” Burimi është vetë Zagoria! Zagoritët 
janë shquar sa për inteligjencë  e mençuri natyrale,  aq edhe 
për temperament e  humor të gjallë, saqë   shpeshherë i quajnë
edhe  “ të krisur”… Tregojnë se Çajupi, kur ishte djalosh i ri, për të
parë vashën  që i digjte zemrën, vajti në kishën e fshatit  dhe i ra
kambanës. Ishte një kambanë e pazakontë që i mblodhi të gjithë, sigurisht, edhe
vajzën që  donte   të shikonte Çajupi… Ndërsa një
kurbetçi  nga fshati i thellë Vithyq, kur u kthye nga Amerika në vitin
1909, i  la të gjithë pa mend  në kokë,  se kish sjellë 
nga  përtej  oqeanit një  biçikletë! Dhe ku? Në Vithyqin e
humbur mes maleve, ku edhe dhia mezi çante.

 

Shpërbërja e pas viteve
’90 

Shpërbërja
e pas viteve ’90  preku edhe këngën dhe këngëtarët zagoritë. Grupet e
shquara prej  vitesh si dhe  mjaft nga  liderët e tyre, u
zhbënë. Pasoi një  heshtje dhe  mungesë relativisht e gjatë  në
skenat  kombëtare e zërave nga Zagoria. Megjithatë  nëpër fshatra,
nëpër dasma e gëzime familjare, kënga vazhdoi, mbeti  burim i pashterur. Nevoja
për riformimin e grupit,   filloi të bëhej një shqetësim, bile
brengë… Kiço Muçi është njëri prej atyre që mori përsipër  rizgjimin.
Dhe do të gjente  edhe shumë shokë si vetja në misionin e tij, e do
të  ringrinin sërish celulat e këngës. Vetë Kiçoja vjen nga plejadat e
hershme të këngës zagorite. Ka kënduar me “desh” me këmborë në vitet 70-80. I
kujton sot me mall e nostalgji  ato zëra, ato fytyre dhe emra: 
 Çave Nasin, Vangjel Durin, Thoma Stavrin, Lliko Ndreun, Pëllumb
Priftin… Ishte viti 1968 kur filloi punë si mësues në fshatin Hoshtevë. Kish
rënë tamam në tabanin e këngës. Nga Hoshteva u krijua në ato vite  grupi i
këngës, që u bë edhe bërthama e grupit të famshëm të  Zagories  që do
të tundte skenat e vendit për vite e vite me radhë. Por ishte fat që kishin
edhe një organizator  të talentuar  si i paharruari Jorgo Telo, i
cili ishte jo vetëm masovik, por edhe regjisor i grupeve, edhe 
poet,  këngëtar, edhe  njohës i muzikës e i folklorit… Shtëpia e
tij shpeshherë  transformohej në “vatër kulture”.  Në këtë
klimë  s’kish  sesi të mos rritej e shëndetshme kënga polifonike, por
edhe vallja e bukur zagorite.  Ishte kjo arsyeja që  tradita 
polifonike  evoluoi  dhe  solli  në skenë edhe këngën
politike, krahas asaj humoristike. Edhe sot  kujtohen ato këngë “barut” i
gjallë si:  “Shokë, foli Mao Ce Duni”, apo  kënga
politiko-humoristike: “Botë e Tretë të qafsha tregun/ Bashkon ujkun me
shelegun…” Shumëkush edhe sot e sjell ndër mend  sesi entuziazmoheshin
spektatorët e shumtë  dhe  duartrokisnin  këngët  “ e
thekura” dhe interpretimin virtuoz të  Çave Nasit me shokë. Ata e sundonin
Kalanë e Festivalit…Kiçoja më flet për vallen  fine zagorite, që quhet
“vallja sustë”. Sepse, vajzat e kërcejnë aq lehtë, mbi majat e gishtave, duke u
ulur e ngritur, saqë  duket sikur nuk e prekin tokën fare. Mua kjo më
kujtoi  vargjet e Çajupit: “Vitua
një punë e madhe/ E bukur si sorkadhe/ Një ditë  kur ven  në krua/
Duke shkelur përmbi thua..
.” Dhe i them Kiços: “Ja ku qenka zanafilla e
valles- sustë, që te Vitoja e Çajupit, e cila ecte përmbi thua…” Aq e pëlqyer
ishte kjo valle, saqë në vitin 1954, një grup artistik nga Zagoria që do
shkonte në Moskë, në program  kishte dhe vallen-sustë të grave të Zhejit,
e cila  pati shumë sukses  edhe në skenat ruse  të
 “Liqenit të Mjellmave” të  Çajkovskit…

 

Ishte viti 2009…

Ishte
viti 2009, kur në Gjirokastër u mblodh grupi i rilindur me Kiçon, me Marjeta
Vlashin, Mitro Hilën, Josif  Lekgjikun, Violeta Çarkën, Roland Çarkën,
Vasil Vlashin, Valentina Nasin, Arben Lekgjikun. Provat i bënin pasditeve te
klubi i një shoku të tyre, me nga një  gotë përpara. Vetë këndonin,
 vetë përzgjidhnin këngë, avaze,  rrëmonin në kujtesë këngë e interpretime
të  vjetra.. Përpara kishin  Festivalin Folklorik  Kombëtar,
ndaj  vendosën që të  përfaqësoheshin me çdo kusht. Kur u
kompaktësua  disi grupi, bënë provat e para në skenën e teatrit të
qytetit. Po  interpretohej kënga  e shamisë së beqarit “Digje , moj
digje…”.  Duke dashur ta interpretojë sa më origjinal këngën, kryesuesi
i saj mbante në dorë edhe një shami,  që digjej flakë. Pa dashur, shamia i
ra mbi dysheme, dhe askush nuk e vuri re që filloi të digjej tapeti i skenës!
“Ç’na bëtë o zagoritë, na vutë flakën…”-  bërtiti  dikush nga
salla. Edhe sot kur e kujtojnë, Kiçoja me shokë qeshin me të madhe. Në 
Festivalin  Kombëtar  të  2009-s u përfaqësuan me sukses
dhe  morën urime  gjithandej. “E nisëm me flakë,-thotë – dhe tym e
flakë e vazhduam…”  Edhe  sot   mbahet mend 
kënga  humoristike “Nikoqire gruaja”, një krijim i vetë  pjesëtarëve
të grupit. E interpretoi grupi miks, me marrës  Kiçon  dhe
Marjeta  Vlashin: “Hodhëm një ka
pastërma/ Ballabane gruaja/ Erdhi miku thela s’ka!/ Grua moj e mira grua/Merr
nja dy-tri thela hua…/… Kjo e gjitha qe shaka/Nikoqire gruaja/Grua
zagoriteja…”
Humori dhe shakaja janë karakteristikë tipike e këngëve dhe
valleve  zagorite. Ato qeshin, thumbojnë, ngacmojnë, vënë në lojë 
tipa e zakone të vjetra. Të kujtojnë vargjet e Çajupit, sjellin një mjedis
tipik  shqiptar! Një paraqitje edhe më të mirë bëri grupi në Festivalin e
vitit 2015. Por edhe këtë radhë dominuan këngët humoristike, që krijuan të
mjaft atmosferë të qeshurash  e duartrokitje: “Ma bënë shoqet, ma bënë/
Sikur rraha burrin mbrëmë/ I rashë 2-3 pëllëmbë/ Nuk e rraha, paçi gjëmë…”
Marrëse e këtyre këngëve është  e pasionuara  Marjeta Vlashi. Ishte
fat që kjo grua  na u bashkua në grupin tonë,-thotë Kiçoja. Zëri i veçantë
i  Marjetës harmonizohet aq bukur me zërat  e burrave dhe e bën
grupin e Zagories model, të kompletuar. Vetë Marjeta  është vajzë nga
fshati Grabovë i Përmetit. Lindur e rritur  në familje këngëtarësh. 
“Kur u martova në Zagorie, u pleksa më shumë me këngët dhe grupin e kësaj
krahine”-thotë ajo. Në grup këndon së bashku  me  të shoqin, Vasilin.
“ Por ai vetëm  iso di të mbajë,- thotë ajo me humorin  zagorit,
-kurse unë jam marrëse, kthyese…”

 

Grupi  polifonik i
Zagories

Grupi 
polifonik i Zagories është vlerë që do ruajtur  si drita e syve, do
trashëguar, mbështetur e ndihmuar. Deri  këtu ku ka mbërritur sot ka
ardhur përgjithësisht me pasionin  dhe forcat e veta. Por kjo nuk mjafton.
Kërkohet edhe një ndihmë më e ndjeshme financiare e materiale nga ana e
pushtetit  në komunë, e sidomos në qytetin e Gjirokastrës.   Në
festivalin e  vitit 2015 pjesëtarët e grupit, patën jo pak peripeci,
madje  edhe kostumet me të cilat dolën në skenë i paguan nga xhepi i tyre,
megjithëse  ishte një eveniment kombëtar dhe ata  përfaqësuan në
skenë dhe nderuan   Gjirokastrën. .. Por bashkia e qytetit edhe sot
nuk ua ka shlyer paratë  edhe pse u  premtoi  se do t’ua 
jepte. Në këto 26  vjet  po ndodh rëndom që  lëvizjet
kulturore-artistike  nuk mbështeten si e sa duhet ose dhe lihen krejt pas
dore  nga pushtetet  lokale, të cilat, duhet thënë se, 
kur  vjen  puna te  suksesi, atëherë  afishohen  e
reklamohen si  palë në këtë sukses…   Të gjithë zagoritët sot
e mbajnë mend fare mirë, sesi para viteve ’90,  në prag festivalesh
folklorike kombëtare,ose evenimentesh  artistike në rreth,  vinte
makina nga komiteti ekzekutiv i rrethit të Gjirokastrës  angazhe 
vetëm për të marrë këngëtarin Çave Nasi, që punonte brigadier në kooperativë.
Dhe priste derisa ai dhe shokët e tij artistët pasionuar të këngës të vinin nga
frontet e punës. Artistët  popullorë  angazhoheshin  vetëm për
interpretimin artistik  të  këngëve dhe  valleve, se me të
tjerat, merreshin organet e pushtetit. Ndërkohë,  dhe ditët e punës u
paguheshin  kokërr  më kokërr për aq kohë sa ishin  në
aktivitete kombëtare! Sot pushtetarët  e duan suksesin, u pëlqen të
krenohen me lëvizjen artistike  në qytet e në fshat,  por nuk e futin
dorën “në xhep”, nuk tregojnë as vëmendje, as përgjegjësi! Dua të sjell këtu
një fakt nga vizita e fundit e shkrimtarit Ismail Kadare në Gjirokastër.
Bashkia e qytetit me krerët e saj, organizuan edhe një takim ku shkrimtari do
të bashkëbisedonte me qytetarë, me lexues e admirues të shumtë  të veprës
së tij. Kryetarja e bashkisë, në krah të shkrimtarit në podium, e çeli takimin,
dhe ia dha fjalën shkrimtarit, por…  në atë çast vuri re se ishte
harruar që në sallë të montohej  fonia, pra s’kishte 
mikrofon…  Kiçoja dhe shumë pjesëtarë të grupit, ndonëse  sot
jetojnë në qytetin e Gjirokastrës, zemrën  e kanë atje në fshat, në
Zagorie. Dhe shkojnë shpesh, madje dendur. Po çfarë i thërret ata në Zagorie?
“Vemi për festa e sebepe,- thotë ai,- pa shkojmë nga kisha, vizitojmë
varrezat,  pa mblidhemi te  burimi i fshatit…”. Sa gjë e bukur,
tipike shqiptare: Mblidhemi te  burimi i fshatit…  Në pamjen e parë
duket si diçka krejt e zakonshme, por nuk është ashtu.  Nuk mund të thuash
se ke vajtur  në fshat  po nuk  qëndrove  një copë herë te
burimi…  S’ka gjë më të bukur, më emocionuese sesa të rrish e të
kuvendosh me ligjërimin e ujit, të këmbesh dy fjalë  me bashkëfshatarët,
të kujtosh historitë dhe njerëzit, gratë dhe vajzat që mbushnin ujë, kurbetçinjtë
që ndalonin kalin dhe freskoheshin së pari te burimi.  Atje janë ngjizur
jo vetëm dashuritë, por edhe këngët, që i këndon grupi i Kiços  edhe sot e
kësaj dite: “Ç’u ngreçë me natë/ Vajta te
burimi/ Lava syt’ e zes/ Me ujë trëndafili/ Më humbi sahati/ Më mbeti zinxhiri/
Hesht mos qaj o vajzë/ Se ta  gjen bandilli/ E kishe argjendi/ Ta
blej  prej floriri…”
Kish të drejtë ai kurbetçiu që u shkruante në
letër njerëzve të tij në fshat:  “Ah,
të  vija dot edhe njëherë atje në fshat, të  pija  dhe
njëherë  ujë nga Gurra e Konckës,  pastaj le të vdisja!…”
 Edhe unë të njëjtën gjë do të shtoja: Mos u
largoni nga Zagoria, se ajo është burimi, frymëzimi, krenaria…!!!

https://ssl.gstatic.com/ui/v1/icons/mail/images/cleardot.gif