Veprimtaria e Shoqatës “Labëria”

133

Promovimi i librit: “Shami të zeza qiellore” të poetit Petrit ruka. Ilirian Zhupa: Ti e ke bërë Iliadën tënde. Prof. Ago Nezha: Petrit Ruka hyn në plejadën e poetëve më të mirë

Reportazh

Veprimtari të tilla të shoqatës “Labëria” gjithmonë kanë pasur sukses, pasi kanë brenda dashuri, kolektivitet, korrektësi dhe vizion

Mbresa nga promovimi i librit “Shami të zeza qiellore” të poetit Petrit Ruka 

Albert Z. ZHOLI

Ishte një ditë e veçantë për të gjithë. Apo më mirë të themi një mbrëmje ndryshe në qendër të Tiranës. Një mbrëmje mes librash, mes poezive dhe këngëve labe por edhe klasike pa diskutuar dhe humorin. Pra, më 19 tetor 2019, ditën e shtunë, ora 18.00 në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” organizoi 65 vjetorin e poetit dhe kineastit Petrit Ruka promovimin e librit të tij “Shami të zeza qiellore”. Në këtë festë poetike kishte një pjesëmarrje të madhe ku kishin ardhur të gjithë shokët e tij krijues, miq e lexues të një jete, poetë e shkrimtarë, agronomë dhe oficerë, inxhinierë dhe mjekë, të afërm dhe bashkëfshatarë, dashamirës të librit. Aktivitetin e drejtoi regjisori i talentuar Pëllumb Kulla. Në fjalën e tij të hapjes Kulla theksoi se Ruka është një poet shumë dimensional, me poezi që të nguliten në mendje dhe të bën t’i përhapësh. Ruka hyn në plejadën e poetëve më të mirë shqiptarë të viteve të fundit dhe ky libër është një risi për lexuesin dhe një hap para në cilësinë e krijimtarisë së poetit. Në fund të fjalës së tij Kulla theksoi se fara poetike e poetit Ruka duhet mbjellë, duhet mbjellë dhe të korret që të shijohet nga të gjithë sepse poezia e tij është e veçantë. Pas tij e mori fjalën poeti Ymer Nurka i cili theksoi se në poezinë e Rukës ka ndikuar fshati i lindjes, Tepelena, ambienti ku u rrit por dhe talenti i lindur. Ndërsa poeti poeti Riza Braholli e cilësoi si një poet me cilësi të veçanta. Më poshtë po japim pjesë nga diskutimet kryesore që u mbajtën në këtë takim interesant.

Me “Shami të zeza qiellore”, ti e ke bërë Iliadën tënde

Ilirian Zhupa-poet

I dashur Petja,

Të dashur miq që jeni mbledhur sonte në këtë festë të dyfishtë për Petritin, të trefishtë për ne që kemi rastin ta ndjejmë dhe këndojmë të parët librin e tij, dhe të shumëfishtë për ata që do e zbulojnë dhe rizbulojnë në të ardhmen.         I dashur shoku, miku dhe vëllai im prej shpirti dhe prej fjale, (Shpirti dhe fjala jetojnë më gjatë se gjaku, ndaj vëllazëria e ngjizur prej tyre, mbase ka një bekim të fshehtë nga Zoti!). Ndjehem ligsht nga pamundësia të jem fizikisht i pranishëm, në këtë gëzim të përbashkët. Në këtë festim të udhëtimit tënd jetësor 65 vjeçar, dhe poetik gjysmë shekullor. Po gjërat që dikur nuk mund t’i humbnim për asnjë arsye, tani, mund t’i humbasim për shkak të përditshmërisë prozaike, angazhimeve dhe dhimbjeve njerëzore, të punëve, të distancave, të deteve në mes dhe qiejve përmbi. Ka qenë gushti i vitit 1976, një e diel, kur unë bëja pushim nga miniera dhe mund të isha pranë familjes, shoqërisë dhe librave në Tepelenë. Afër mesditës, mbërriti në librarinë e Niqit gazeta “Drita.” E hapa si gjithmonë direkt në mes, ku botoheshin poezitë dhe tregimet e numrit. Gjerë -gjatë në faqen 8 të saj ishte një cikël yti me poezi. Ti ishe në Turan. Ti nuk e dije. Ti nuk mund ta besoje. As ne. Nën diellin përvëlues, u nisëm për në Turan bashkë me Fuatin të të sillnim lajmin dhe gazetën. Na pritën te oborri i shtëpisë nënë Sefteja me xha Novruzi, pastaj u shfaqe ti. Nuk e them dot se ç’dasmë kemi bërë. Dëshmitarët e mi nuk janë më. As xha Novruzi, as nënë Sefteja dhe as Fuati….E solla këtë histori, jo për të thënë “Doni më për Belulin…”, siç qesh dhe nënqesh miku yt dhe yni Pëllumb Kulla. Por për të thënë, se ai cikël kishte thyer akullin dhe na bënte të gjithëve të besonim, se përpëlitjet tona poetike nuk ishin thjesht makthe dhe ëndrra… Se edhe ne mund të synonim dhe të bënim atë që kishin bërë apostujt tanë letrarë. Se edhe ne mund të shkruanim “Iliadën” tonë, siç thua ti te poezia “Po përkthej një grua”.     Mik i shtrenjtë!Me “Shami të zeza qiellore”, ti e ke bërë Iliadën tënde. Pavarësisht se ende ti e ndjen që “Shqipërinë e ke si kërthizë të pambyllur në bark”. Besoj kështu e kemi të gjithë, sepse fatalisht kështu e kemi trashëguar brez pas brezi, por nuk dua të besoj se kështu do ua lemë edhe fëmijëve tanë. “Mua më ka humbur çelësi i portës së fëmijërisë…” thua ti te poezia “Lutje”. Nuk flet për fëmijërinë tënde… Flet për fëmijërinë e botës, e cila i ka mbyllur fëmijët e sotëm në akuariume xhami….Ndaj “Mos u nis pa hedhur një amanet mbi shpatullat e tua…”, është lutja dhe amaneti i poezisë “Shqipëria”. Në çdo faqe të “Shamive të zeza qiellore”, bien kambanat e lutjes, kujtesës, përgjërimit, hyjnizimit, ndjenjës, frymës, hovit, frikës, besimit, trishtimit, përsosjes, rroposjes. Ndjehet qenia, natyra dhe përpjekja jetësore e saj….Si ditë feste që është, për ty, për ne shqipfolësit dhe më tej, nuk flas dot gjatë, por dua shkurt të ndriçoj dy tre plane të fjalës tënde poetike. Poezia jote, përpos shumë e shumë tipareve lëndore e kuptimore që janë të materializuara te shiriti filmik i fjalës poetike, ka dy veti thelbësore që e bëjnë të zërë vend në çdo bibliotekë dhe zemër. E para, duke kumtuar në mënyrë artistike, ajo “shkund fara” asosacionesh në mendjen dhe shpirtin e lexuesit, të tilla prej të cilave mund të mbijnë fauna të reja poetike dhe të pasurohet më tej shprehja metaforike e filozofike e botës. Së dyti, poezia ndërtohet prej një materieje të tillë, e cila le shenjë te gjithkush që e merr këtë libër në dorë. Shtresëzimet kuptimore e artistike te saj, ngjajnë me rrathët e pafundmë që bën guri i diamant poetik, në membranën e përjetimit artistik të qenies njerëzore. Së fundi, për ta mbyllur, unë dua të të falënderoj dhe uroj për magjinë që ke bërë brenda kësaj shamie. Aty është përmbledhur gjithë bota jote dhe e njerëzve të tu të dashur, aty janë gjithë hovet e stepjet, dashuritë e tradhtitë, miqësitë e inatet, zjarret dhe kongjijtë ku është ngrohur jeta njerëzore jotja dhe jona. Atje janë të gjitha ritmet dhe isot, fëshfërimat e mallit dhe brengës, dihatjet e fjalëve dhe kumtimeve….Mik i çmuar! Mbas një pune këmbëngulëse 50 vjeçare, ashtu si Noeja, edhe ti Petrit i dashur e ke ndërtuar arkën tënde për shpëtimin e fjalës, qenies dhe botës sonë.

 

 

Mbresa për poezinë e Petrit Rukës

Bedri Islami

Për Petrit Rukën, njërin nga poetët më lirikë të letrave shqipe, gjithçka ka qenë dashuri: dashuri për gjethen e fundit në qiellin e dimrit, për mesazhet që ecin nëpër qiell si vetëtimat, për drurët në Turanin e tij dhe ujërat e Vjosës, për vendlindjen dhe nënën, zërin e së cilës e dëgjon edhe tani, jo vetëm në ëndërr, për atin e munguar dhe motrën e larguar në një rrafshirë hënore, duke lënë shpirtin tek vëllezërit; dashuria për atdheun, që atij i fillon tek zemra dhe kjo është e natyrshme si lab i mirë që është, për rrezet e diellit që këputet si një pikë shiu, për trëndafilat e thurur me diell dhe lisnajat që psherëtijnë në korije, rrugën e baltosur, që ende ka aromën e mallit dhe të verës, dhe, domosdo, si arrakat i pandreqshëm që është, dashuria e tij për të bukurën, për gruan, si rrënja e jetës, mallkimi i bekuar që nuk i shpëton dot magjepsjes së saj; hiret, çastin përvëlues, flokët e shpupurishur, ndjenjën e veçantë të pranverës së vonë…Thuajse katër dekada e gjysmë më parë e kam njohur Petrit Rukën. Djem të rinj, ai më ëndërrimtar se të tjerët, por edhe i pa kapshëm. Çfarë e bën atë të veçantë,të dashur dhe njërin ndër lirikët më të shquar të kohës sonë:

Petrit Ruka e ka titulluar librin e dytë të tij, “Atdheu fillon tek zemrat”. E kam përsëritur poezinë e tij në dhjetëra e dhjetëra mitingje e tubime që bëheshin në vitet e fundit të shekullit të shkuar me shqiptarët e Kosovës , e kam dëgjuar të recituar në kto tubime edhe nga ish ministri i brendshëm, Luan Rama, dhe vetes i kam thënë për mikun tim, Petritin, : Shqipëria gjendet vërtet në zemrën e tij dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Nuk ka qenë një ndjenjë e përkohshme, e çastit, poetike, nuk ka ndodhur nga shkëlqimi i fjalëve, ngjarjet historike. Për Petrit Rukën atdheu ka qenë e mbetet një njeri i afërt, njeri i tij, i natyrshme si nëna, dimension i veçantë i jetës së tij, përmasë njerëzore. Atdheu mbetet në zemrën e tij deri në vdekje. Ndoshta, kjo ndjenjë e parë, që ka lidhje edhe me dinjitetin vetjak, e ka shpënë atë drejt poezisë. Por, e ka shpënë duke u ngjitur me mundim, duke e konceptuar poezinë si një thirrje lirike,por edhe tragjike njëkohësisht. Ka qenë rrugë e gjatë, nga poezia e parë tek libri i parë, një dekadë e më shumë. Stendali thoshte dikur se “Meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante edhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”. Ruka ka bërë pikërisht këtë: nuk është ngutur nga angështia e botimit të parë e nuk është ngutur as nga padurimi i botimit të tashëm, që nuk është i fundit. Petrit Ruka është poeti i ndjenjave. Lirik si pak kush, me mirësinë që ka hedhur rrënjë e është rritur në karakterin e tij, vëzhgues i pasionuar, melodioz deri në këngë, i qartë dhe i dashuruar, në poezinë e tij i gjen të gjitha: aty janë pranë të përditshmet e jetës sonë, fëshfërima e barit nën kosë, për kohën e tij – një kalë i bardhë në fushë, avllinë e gjatë- të shtruar me pllaka, për retë, që ikin lëmsh pas dritares në qiell; për valët e detit që tunden gjithë hir, për vallen labe, të rëndë, të hirshme , të stërlashtë..e mbi të gjitha për nënën e tij. Rrallë herë një cikël kaq i bukur poetik, shkrirë mes rreshtave me rrahjet e zemrës, edhe pse janë ndjerë, janë shkuar për merakun e nënës, më pas, mungesën e saj, mallin, ankthin e ikjes dhe padurimin e ëndrrës. Ndjenjat e tij ai i shpërfaq veçanërisht tek baladat, dhe, pa droje, asnjë droje, mund të them se janë ndër baladat më të bukura të gjuhës shqipe. Ai është mjeshtri i tyre, risjellësi përmes një tingëllime kaq të veçantë, mjeshtërore, dhe, me sa duket, sa më shumë kalon koha, ata perceptohen më mirë, bëhen me jetësuese dhe të pranishme. Poezitë e Petrit Rukës i admiroja që kur ishte në fillimet e saj. Edhe këtu shkaktare ishte koha dhe dashuria që përcillte. Ai nuk më është dukur dhe nuk ka qenë kurrë fantast, larg së të vërtetës poetike, dhe, pas botimit të librit të tij të parë, e kuptova më mirë se Ruka ishte një lirik realist dhe jam i bindur se i gjithë peizazhi i Turanit, Vjosa, kalaja, rrugët, pyjet dhe rrugët me baltë, ndjenja e nënës dhe dëshpërimi, kanë qenë pikërisht ashtu si ai i ka përshkruar. Petrit Ruka jetoi si poet, dashuroi si poet, është mik si poetët,dhe, edhe në shumë e shumë vite të tjera, deri sa të bëhet plak me mjekër të gjatë e sy lakmues nga bukuria që do i kalojë para syve, do të përgatitet të festojë 100- vjetorin.

 

Poezitë e Petritit ngjajnë me një burim që s’ngopesh duke pirë

Prof. Dr. Ago Nezha

Petrit Ruka është Personalitet i Shquar i Labërisë dhe njëherazi një personalitet i shquar dhe në lëmin e poezisë. Ai, është Personalitet i Shquar i Labërisë, pasi mbart cilësitë e labit në tre dimensione: në atë human, intelektual dhe social. Unë mund të flas gjatë për poezinë e Petritit, sepse e njoh qysh nga lindja e saj, por kam një konflikt interesi, që nuk më lejon, se ai më ka redaktuar librin “ Balil Nezha Kalorës i trimërisë dhe vëllimin e fundit me poezi “Pse Vrapoj”. Ndaj më duhet ta ndal fjalën time te një konstatim, që poezia e Petrit Rukës, është majaja e bukës. Petrit Ruka me vargun e Tij të skalitur me mjeshtëri , nuk gjuan me fishekë manovre, por me artileri të rëndë, që predhat e tij godasin në zemër të fenomeneve shoqërore, të jetës politike e sociale të vendit tonë. Labëria është një minierë që ka shumë gurë të çmuar,në histori, në kulturë në krijimtari dhe në poezi. Petrit Ruka është një rubin në kostelacionin e yjeve të shndritshëm të poetëve të Labërisë. Ai, qëndron në gjerdanin e artë të poetëve të shquar, ku radhiten i madhi Ali Asllani, Ismail Kadare, Fatos Arapi, poeti popullor Lefter Çipa, duke ardhur te më të rinjtë, trioja tepelenase: Petrit Ruka, Ilirian Zhupa e Qazim Sheme, që me flladin e poezisë së tyre dehëse çanë rrugët e thepisura të monopateve të Tepelenës dhe dolën në autostradën e krijimtarisë së tyre poetike, plot tharm. Petriti nuk erdhi nga shtresa të privilegjuara apo piramida e politikës, por nga një mjedis fshatar nga Turhani, një fshat majëmalesh dhe falë talentit të tij u ngjit në majën më të lartë të malit të poezisë. Kur lexon poezinë e Petritit ngjan me një burim që s’ngopesh duke pirë në vapën e nxehtë të Korrikut. Por asgjë nuk lind në terren bosh. Është gjeni që lind dhe transmetohet në breza. I ati i Petritit Novruzi, ishte një njeri i thjesht murator, por kishte një talent natyral, që tregonte, histori, përralla, fabula si të ishte një fabulist i shkolluar. Pra, Petriti e ka ngjizur talentin e tij në vatrën familjare në fshatin Turan të Tepelenës. E këtë dhunti të babait, Petriti e trashëgoi dhe e ngriti në art, duke u bërë një personalitet në fushën e krijimtarisë dhe artit, jo vetëm për Tepelenën e Labërinë por për Shqipërinë. Kjo dinamikë, në dialektikën e zhvillimit të krijimtarisë së Tij, bëri që Petriti të marrë dhe Titullin “ Mjeshtër i Madh “ nga Presidenti i Republikës. E ky nuk ishte një privilegj që erdhi nga biografia, por një meritë e Petritit, që erdhi nga krijimtaria. E kur them nga krijimtaria, s’kam parasysh vetëm poezinë por gjithë krijimtarinë e tij të pasur duke filluar nga poezia, tregimi, monografia, e për më tepër Kinematografia, si skenarist e regjisor në Kinostudion “ Shqipëria e Re “ku spikat një prodhimtari për më shumë se 40 dokumentar e filma artistik me tematikë të larmishme. Petriti, i ka dhënë Labërisë nga vetja e tij, jo vetëm me emrin dhe krijimtarinë, por edhe me një kontribut të drejt për drejt si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Labëria për disa vjet, që me pjekurinë dhe maturinë që e karakterizon ka përcjell eksperienca për zhvillimin e veprimtarive dhe për përmirësimin e cilësisë së zëdhënëses së shoqatës Labëria, Gazetës “ Labëria. Petritit nga Tepelena/ Të lumtë mëndja dhe pena/ Me ty krenohet vatani/ Tepelena e Turani. I mbushe 65 vjet/ Dhe 100 plot shëndet/ Paç të mira e lumturi/ Në familje e shoqëri/ Një urim nga Labëria/ Mos të shteroftë poezia….

Situata të ndryshme

Dhe pas diskutimeve filloi kënga labe të cilën e favorizon edhe mungesa e instrumenteve muzikorë, zëvendësimi i tyre me instrumentet biologjik të organizmit të njeriut, siç janë kordat zanore, mushkëritë, nervi, ndjeshmëria etj. të cilët shprehin në mënyrë më të plotë emocionet, veçoritë, ndjeshmërinë dhe kulturën e interpretuesit. Në skenë del grupi “ANTEA” I drejtuar nga këngëtari famoz Nazif Cela. Kënga polifonike është me të vërtetë magjike dhe magjia e saj duket se vjen sa nga misticiteti i saj, interpretimi, diversiteti dhe harmonia e zërave, ashtu edhe nga forca dhe qartësia e teksteve të saj. Shumë nga salla filluan të këndojnë bashkë me grupin.

Sopranoja e talentuar lirike Denisa Onjea këndoi “Standchen” të Franc Shubert (serenatë). Zëri I saj melodioz bëri që gjithë salla të ngrihej në këmbë. Një situatë ndryshe, Nga kënga labe të kënga klasike. Denisa është një vajzë që së largu rrëzëllen mirësi me buzëqeshjen e përhershme në buzë dhe fytyrë. Simpatike dhe krenare për çka bën. Ashtu e njohin të gjithë miq, shokë të afërm dhe pedagogë. Një vajzë që shpërndan mirësi dhe dëlirësi. Nuk e mundon aspak “verbëria”, pasi ajo me punë, me studime, me korrektësi, me disiplinë mposht çdo pengesë dhe del triumfatore. Pas saj një situatë po kaq e bukur. Aktori I humorit Agron Llakaj, solli copëza humori nga jeta në Tepelenë kur ishte i ri dhe kishte miqësi me poetin Ruka. Kërkesat për të diskutuar apo për të përshëndetur ishin të shumta, por minutazhi ishte tepër i kufizuar. Në fund të këtij takimi poeti Petrit Ruka I falënderoi të gjithë të pranishmit për ardhjen dhe respektin që treguan duke u uruar të gjithëve shëndet, begati dhe krijimtari të begatë. Kjo veprimtari që zgjati rreth 1 orë e gjysmë kaloi në një atmosferë feste ku minutat kaluan pa u ndjerë. Veprimtari të tilla të shoqatës “Labëria” gjithmonë kanë pasur sukses, pasi kanë brenda dashuri, kolektivitet, korrektësi dhe vizion.