Seri Tushi/ Në Vërmik tek Rrapi i burrave- Rrapi i kuvendeve

1205
Sigal

 

Seri Tushi

Reportazh/ Në vitin 1890 Turqia mobilizon 40 djem e burra Vërmikas që do të niseshin ushtarë për Turqinë, në Jermen

Shkova disa ditë me pushime ne fshatin e lindjes, rritjes dhe punës 40-vjeçar në Vërmik.

Vete në qendër të fshatit aty ku ka qenë xhamia dhe në kohën e monizmit, vatra e kulturës. Aty në qendër ndodhej një rrap gjigant mbi 400-vjeçar. Thoshin se këtë rrap e kish mbjell Nik Nikaj kur u bë xhamia rreth viteve 1600-1620. Sheshi i këtij rrapi është i shtruar me pllaka guri, ku secili burrë Vërmikas kish gurin pllakë të tij. Secili kur vinin aty tek rrapi ulej në gurin e tij. Pra rreth këtij rrapi grumbulloheshin burrat Vërmikas, aty zhvilloheshin muhabete, aty qaheshin hallet, aty merreshin vendimet. Nga viti 1954 deri në vitin 1991 unë fillova punë mësues në këtë fshat. Pra, në fshatin tim deri sa dola në pension në vitin 1991.

Në pushim ose kur mbaroja mësimin dilja dhe rrija në hijen e këtij rrapi, aty syri ngopej nga gjelbërimi që shtrihej përballë rrapit, arishtat plotë me bimë dhe pemë nga të gjitha llojet e varietetet. Shtëpitë e fshatit te mbuluara nga gjelbërimi dhe dukeshin si njolla bore ne një pyll madhështor.

Aty në hijen e rrapit gjeja shumë herë gati çdo ditë Xha Difon. Difo Braka një burrë i mençur, një burrë krahine, i njohur dhe i hapeshin dyert për të si në krahinën e Kurveleshit dhe në atë të Lumit të Vlorës. Në atë kohë burrat ndaheshin në tri kategori: Burrë shtëpie, burrë fshati dhe burrë kazaje (Krahine). Pra Xha Difua ish burrë kazaje.

Këtu te ky rrap thoshte Xha Difua grumbulloheshin Vërmikasit, qanin halle, merrnin vendime, formonin çeta të cilat merrnin pjesë në lufte për mbrojtjen e atdheut kur kish nevojë.

 

Vërmiku përbëhej nga 4 mëhalla në të cilat bënin pjese 36 fise

  1. Lloji: hynin këto fise: Lloji, Mëzuri, Bleta, Xhyveli, Kocerri dhe Capo.
  2. Zhupi: Zhupi, Tushi, Sela, Dhrahmi, Cani, Kashta, Muco, Hasani.
  3. Kolila: Robi, Veshi, Bala, Braka, Toli, Cela, Zheku, Gjoka, Halla, Boci, Cipa, Meci.
  4. Gjoni: Gjoni, Kondi, Habili, Alimuci, Ciraku, Nako, Cani, Nika, Hania.

Të katër mëhallët kishin 36 fise, Si përfundim në Vërmik ndodheshin 36 mbiemra, Në kryengritjen kundër Turqisë, kundër reformës se Tanzimatit që mori Turqia për ta nënshtruar popullin Shqiptar. Shqiptarët ju përgjigjën me luftë, shpërthyen dy kryengritje të mëdha, ajo e Labërisë me udhëheqës Zenel Gjolekën Kucin dhe ajo e Mallakastrës me udhëheqës Rrapo Hekali. Në këtë kryengritje morën pjesë edhe 31 luftëtarë Vërmikas me komandantë Kalo Çirakun, që iu bashkua Zenel Gjolekës. Ata u grumbulluan dhe u regjistruan për të shkuar në luftë te ky rrap. Gjatë viteve 1852 forcat Malazeze filluan sulmin për pushtimin e Shkodrës, për mbajtjen e Shkodrës dhe pjesëve veriore, përveç vendasve përkrah tyre shkuan dhe shumë trima dhe luftëtarë nga jugu, nga Labëria dhe bregdeti, në këto luftime për mbrojtjen e Shqipërisë veriore mbetën shumë të vrarë si: Zenel Gjonleka nga Kuçi, Hodo Nivica, Gjikë Thanasi nga Qeparoi, Jani Dhigori nga Çorrajt, Shuajip Qurduku dhe Hasan Çela të dy Kuçiot. Në këto luftime që morën pjesë 12 Vërmikas mbeti i vrarë Karafil Bleta 23 vjeç dhe Barjam Halla.

Në vitin 1890 Turqia mobilizon shumë burra për ushtarë

Oficerë turq erdhën dhe në Vërmik për të mobilizuar djem e burra ushtarë. Ishin 40 djem e burra Vërmikas që do të niseshin ushtarë për Turqinë, shumë prej tyre shkuan ne Anadoll, Jemen e vende të ndryshëm të Azisë që ishin nën sundimin Osman. Për përcjelljen e tyre morën pjesë gjithë vërmikasit burra e gra, Ato përcollën në luftë burrat dhe djemtë e tyre për ushtarë, të cilët nuk dihej do ktheheshin apo nuk do ktheheshin se në lufte shkonin . Për mbrojtjen e Janinës maj 1912- mars 1913 tek rrapi ne Vërmik . Vërmikasit krijuan çetën prej 31 vetash me komandant Hamit Çela Lumi, e cila mori pjese në luftën për mbrojtjen e Janinës. Kështu, në 6 mars 1913 Janina u mbulua me gjak. Ajo ra në duar të grekëve. Për mbrojtjen e Janinës u vranë shumë shqiptarë, ndërmjet tyre edhe tetë Vërmikas të cilët ishin: Sulo Kocerri, Barjam Bala, Çerçiz Mëzuri, Feim Çela, Shaqo Ania, Zagoll Veshi, Mehmet Kashta, Daut Kashta. Për mbrojtjen e Kurveleshit dhe të Himarës nga pushtuesit grekë po tek rrapi në Vërmik u krijua çeta me 32 Vërmikas., ku zgjodhën komandant të çetës Emin Mëzurin, në luftimet që zhvilloi kjo çetë për mbrojtjen e Bolenës dhe Himarës nga pushtuesit grekë. Në këto luftime u vra Muhmet Braka. Më 25 maj 1920 Vërmikasit u mblodhën përsëri te rrapi, nga ky kuvend u formua çeta që mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920-n. Ajo përbëhej prej 49 luftëtarëve me komandant çete Neim Braka. Kjo çetë së bashku me çetat e tjera e filloi luftën në Beun të Vajzës dhe deri në çlirimin e Tepelenës e Vlorës 3 shtator 1920.

 

Rrapi i Xhamisë ( i kuvendeve)

Po tek ky rrap Vërmikasit u mblodhën dhe bënë një kuvend të madh. Aty vendosën se ç’qëndrim do të mbanin në kohën që u pushtua Shqipëria nga Italia Fashiste dhe Greqia pjesa jug-lindore.

Të gjithë ishin në një mendim : “Lufto pa kompromis çdo lloj pushtuesi”, këtu u vendos të krijohej çeta territorial e Vërmikut më 26 nëntor 1942, me komandant Ago Bleta dhe komisar Elmaz Kondi, ajo kish në përbërje të saj 72 luftëtar Vërmikas. Shumë anëtarë të kësaj çete me krijimin e formacioneve partizane u inkuadruan në këto informacione.

  • Në çetën “plak” te Vlorës: Xhemo Tushi.
  • Në çetën “Demo Fejzo”: Besho Mëzuri, Numan Kocerri, Shorto Alimuçi, Shezai Mëzuri, Dervish Lloi, Miftar Braka, Shefki Alimuçi, Xhevaire Braka, Leven Alimuçi, Idai Alimuçi.
  • Në Grupin e Parë të Rinisë: Dalip Zheku, Servet Tushi, Murat Tushi, Arshim Alimuçi, Dilaver Zhupi, Qerem Mëzuri.
  • Në Grupin e Parë të Mallakastrës: Bukuroshe Çiraku.
  • Në Brigadën e Dytë Sulmuese: Sinan Mëzuri, Pasho Bleta, Selim Bleta, Selim Alimuçi, Agja Mëzuri.
  • Në brigadën e 6-të Sulmuese: Bardho Sela.
  • Në Batalionin “Asim Zeneli”: Selim Alimuçi, Teno Tushi, Zenel Lloi, Difo Braka, Qemal Çiraku.
  • Në Brigadën e 12-të Sulmuese: Ago Bleta, Selman Sela, Guxhe Çela, Pasho Lloi, Jonus Çiraku, Zybo Capi, Bajram Capi, Lufto Alimuçi, Shuko Bleta, Cane Sela, Rabushe Bleta, Sali Kolila, Malo Bleta, Neshet Brahimi, Kojdhel Veshi, Shaban Tushi dhe Ilirjan Tushi.

Përfundimisht, ky rrap që tani është rrëzuar dhe trungu i tij madhështor po shkon drejt kompozimit, ka qenë një monument historik për Vërmikasit. Ai mban një histori 400-vjeçare të kuvendeve që kanë bërë Vërmikasit tek ky rrap gjatë periudhave historike.

Me keqardhje e sodita këtë rrap të shtrirë ,që mbi trungun e tij ndodhen mijëra plumba që në periudha të ndryshme qejfli armësh kishin provuar ta shponin trungn e tij tej për tej. Por asnjë lloj arme nuk kish mundur ta bënte këtë.

Të gjithë predhat kishin ngelur në trungun e tij. Këtu mbyllet historia e këtij rrapi, Historia e Kuvendeve tek ky rrap.