Reportazh nga Varshava – Bashkimi Europian mbështet KLSH

76

Modeli evropian dhe amerikan i luftës kundër  korrupsionit dhe trafiqeve do të implementohet edhe në Shqipëri. E kaluara  lindore përballë besimit, se drejtësia një ditë do triumfojë

 

 

Nga Varshava e Traktatit tek Polonia e BE

 

Ëngjëll Musai


Drejtor i Gazetës  “Telegraf”

 

Udhëtimi nga aeroporti “Nën Tereza” i Tiranës drejt Varshavës do të bëhej me linjën ajrore Austria Air Lines. Grupi i KLSH-së  po nisej nga Shqipëria, e cila dikur cilësohej si e fundit e vendeve të lindjes dhe e para e fillimit të  perëndimit ose, më saktë  mes lindjes dhe perëndimit . Stacion të parë do të kishte Vienën, pikërisht aty ku edhe përfundonte dikur perëndimi dhe niste lindja. Udhëtimi me Austria Air Lines ishte i njëjtë, si ai i para disa muajsh, ku së bashku me një grup të zyrës së Obusmanit Shqiptar, në kuadër të projektit të BE udhëtuam drejt Kopenhagenit dhe Parisit. Avioni komod, shërbimi fantastik, pilotimi i avionit nga 2 djem të rinj dhe edukata vjeneze e stjuardesave, mbetet me e veçanta dhe shkolla e edukatës dhe qytetarisë botërore. Avioni i nisur në orën 04.25 minuta u ul në kryeqytetin austriak rreth orës 06.00 ku të ngrohtin mesdhetar të Shqipërisë e kishte zëvendësuar era e ftohta që vinte nga pjesa verilindore e globit. Rrëzimi i murit të Berlinit duket se është reflektuar  dhe dukej kjo në lirshmërinë e kalimit dhe qarkullimit nga Perëndimi ne Lindje, e cila po të realizohej  para viteve ’90, do të kalonte në filtër të rreptë dhe vëzhgim të vazhdueshëm.

 

Udhëtimi nga Vjena drejt Varshavës

 

Gjurmët e para viteve 1990  ishin ende ekzistuese dhe kjo reflektohej sapo bëheshim gati për të udhëtuar me avionin polak nga Vjena drejt Varshavës ( Warsaw ). Era dhe i ftohti vjenez që po linim pas na dukej pak a shumë si ftohtësia dhe era  që përfshinë alpet shqiptare apo të ftohtin e durueshëm të Malit të Tomorit  dhe kjo gjë ndihej jo pak në linjën e shërbimit të transportit ajror që po na dërgonte nga Vjena drejt Varshavës, pjesë e shërbimeve të linjës vendase lindore. Grupi shqiptar që udhëtonte drejt Varshavës ishte i madh në numër. Dikur kjo linjë ka qenë shumë e frekuentuar nga Shqiptarët  megjithëse  periudha  e  këtij  bashkëpunimi  ishte  e  shkurtër. Ishte koha kur në Poloni u themelua Traktati i Varshavës, i cili do të ishte si kundra peshë  e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Vendi ynë doli shpejt nga Traktati i Varshavës , ndërsa  Polonia ishte ndër të parat vende të lindjes që hodhi shikimin drejt horizontit të zhvillimit dhe qytetërimit perëndimor , sigurisht duke ruajtur dhe kombinuar traditat , kulturën  dhe  zakonet e  kombit  polak. 

 

Mbërritja në Varshavë

 

 I ftohti i Varshavës  ngjante  pak a shumë me klimën Korçare, e cila edhe pse është shumë e ftohtë , gjithsesi është më e pranueshme dhe më e këndshme. Sapo mbaruam veprimet me shërbimin e aeroportit në hollin e tij na priste Agnieszka , përfaqësuesja e “Najwyzsza  Izba  Kontroli” ( NIK ) e cila nga ky moment shënonte edhe fillimin e punës, qëllimi i së cilës ishte edhe udhëtimi ynë Tiranë-Vjenë-Varshavë. Ky trajnim po organizohet  në  kuadrin e bashkëpunimit të KLSH -Kontrollit të Lartë të Shtetit Shqiptar dhe NIK (  Najwyzszej Isby Kontroli ) në kuadrin e projektit IPA të financuar nga BE e cila konsiston në rritjen e nivelit profesional dhe performancës së institucioneve të kontrollit në luftë kundër krimit ekonomiko – financiar, korrupsionit dhe abuzimeve me pronën  e pasurinë publike të vendeve të BE dhe atyre kandidate për në Bashkimin Evropian. Rrugët e gjera nuk e ndienin fare ngarkesën dhe megjithëse Vashava  është  rreth 3 milion banorë me gjithë rrethinat në asnjë ditë dhe në asnjë orë nuk pati as më të voglin bllokim apo trafik  dhe kjo për ne ishte vlerësim ndaj taksapaguesve kur mendojmë një  Tiranë të bllokuar nga rrugët, sheshet e zëna nga ndërtimet klienteliste dhe lulishtet e bastarduara dhe ngushtuara. Sheshpushimet pa fund dhe parkimet e automjeteve në çdo anë rruge, rrugice , sheshe para pallateve , hoteleve, institucioneve të jepnin mundësinë   dhe qetësinë për çdo drejtues dhe pronar mjeti dhe 100% e tyre ishin falas me përjashtim të disa vendeve të rezervuara . Pas akomodimit së bashku me dy miq që na shoqëruan dhe respektuan  në çdo çast   provuam  mikpritjen  Polake  e cila ishte shumë e ngrohtë dhe qe stononte me të ftohtin e jashtëm që vinte ndoshta nga korridoret e Siberisë së largët . Traditat polake kishin ngjashmëri me zakonet tona dhe këtë më mirë se kushdo  e reflektuan   z. Gregor dhe  znj. Agnieszka  gjatë urimit të mirëseardhjes në drekën e punës . Përkthyesi i grupit Orges Bekteshi kishte mbi 20 vjet që banonte në Poloni, ai kishte ardhur si student dhe, pas studimeve kishte vendosur të qëndronte dhe të krijonte familjen në Poloni.

 

NIK , e hënë 24 Tetor 2016 ( Monday, 24 October )

 

 Që në fillim duhet saktësuar se NIK është shkurtim i Najwyzsej Izby Kontroli , homolog me KLSH ( Kontrollin e Lartë të Shtetit ) në Shqipëri . Dhe ky program, i cili do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim dhe është fryt i bashkëpunimit të KLSH me organizmat evropian të kontrollit dhe luftës antikorrupsion, Gjykatën e Llogarive Europiane ( ECA ) dhe organizmave të tjera të cilat caktojnë parimet dhe standardet e kontrollit sikurse janë INTOSAI  dhe EUROSAI. Dhe të gjitha këto marrëveshje, këto programe, kjo mbështetje ka marrë jetë menjëherë, sapo në krye të KLSH  ka ardhur Dr. Bujar Leskaj, i cili gëzonte një respekt absolut nga partnerët e tij polak, evropianë  (EUROSAI) dhe krerët ndërkombëtarë të INTOSAIT. Edhe  projekti aktualë ka një rëndësi të  jashtëzakonshme në përafrimin e stafit me metodat dhe parimet e punës së vendeve të BE dhe atyre në tranzicion por që aderojnë futjen me status të plotë në BE, dhe është vazhdim i një sërë projektesh të cilat kanë marrë jetë dhe gjetur zbatim falë punës së palodhur dhe këmbëngulëse të Kreut të KLSH, Dr. Bujar Leskaj dhe zyrave të angazhuara prej tij me qëllimin rritjen e performances së inspektorëve apo ekspertëve të Kontrollit në mënyrë që stafi të jetë i mirë orientuar për sfidat që presin vendin tonë në kuadrin e detyrave që shtron Bashkimi Evropian dhe integrimi i vendit tonë në këtë organizëm.

 

 

Prof. Zbyslaw  Dobrowolski ,akademik me vlera europiane dhe botrore.

 

Bota akademike veç nivelit profesional  mbartë nga brenda edhe qytetarin, kulturën, traditën, edukatën, qetësinë, maturinë, respektin ,këshillën, kritikën, tolerancën, bashkëpunimin dhe gjithçka pozitive që normon bashkekzistencën njerëzore. Dhe të gjitha këto cilësi i mishëron  Prof. Dobrovolski , të cilin auditorët e universiteteve e kishin mësuar të ishte i qetë, i durueshëm dhe i vendosur për të transmetuar përvojën e vetë akademike tek grupi që po trajnohej në luftën kundër korrupsionit , trafiqeve, pastrimit  të parave dhe çdo abuzimi në ekonomi dhe financa. Ky ishte prezantim real për  Profesorin më brilant dhe nga më të vlerësuarit  jo vetëm në Poloni por edhe në BE , ku organizmat shtetërore dhe ato europiane metodat dhe përvojën e tijë akademike së shpejti do e shfrytëzojë si model i kontrollit të brendshëm të vendeve të BE dhe atyre kandidate ,pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Pas prezantimit të programit takimi i parë me zyrtarët do të niste me Presidentin e NIK  z. Krzysztof  Kwiatkowski. Me sa duket krerët e lartë të kontrollit paskan të njëjtin temperament pasi ngrohtësia dhe fjalët e mira të  Z. Kwiatkowski ishin në të njëjtën gjatësi linje me të cilën Kreu i KLSH në Tiranë z. Leskaj reflekton me këdo që pret dhe diskuton si për jetën e përditshme edhe për problemet delikate që ofron misioni i tij. Diskutimet e ditës së parë do të vazhdonin me tematikën e paraqitur nga  Z. Wojciech Kutyla, zv/Presidenti i NIK , me  Këshilltarin e Presidentit , z. Koscielniak dhe një analizë të hollësishme dhe tejet profesionale të Prof. Zbyslaw Dobrowolski. Radhën e trajtimit të çështjeve pas eksperteve te NIK e kishte policia e cila ishte në unison me strukturat e NIK aq sa të krijonte idenë sikur ishin pjesë të të njëjtit grup . Drejtuesit e CBS,  Komisioneri i Antikorrupsionit në Policinë e Shtetit, Drejtori për Pastrimin e Parave në Ministrinë e Financave ia lanë radhën Ms. Malgorzata Sokolowska, Shefe e Departamentit për Kontrollin e Administratës Shtetërore pranë Kryeministres se Polonisë. Dita e tretë ndoshta ishte më e rëndësishmja ku ekspertet e Byrosë Kombëtare Antikorrupsion zbardhën realitetin Polak dhe raportet e administratës me politikën, biznesin, qytetarët, krimin,  korrupsionin, trafiqet, pastrimin e parave, shitblerjen e votës etj. Rastet e shumta dhe shembujt treguan se si një pjesë e mirë e politikanëve ,deputetëve dhe lobistë të interesave klinteliste të përgatitjes së ligjeve për qëllime korruptive kishin dalë nga zyrat me pranga në dorë. Fakti më domethënës ishte kur vetë drejtuesit e institucionit më të fuqishëm antikorrupsion kishin arrestuar edhe drejtues të rëndësishëm brenda institucionit të tyre. Në fillim menduam që Polonia nuk bëhet,ashtu sikurse po themi edhe ne shqiptarët sot. Por,shpresa vdesë e fundit pas 10 vjetësh njësitë antikorrupsion e ngritën Poloninë, luftuan trafiqet, falsifikimet e pronave, pasurive, goditën  korrupsionin, pastrimin e parave dhe ne sot jemi krenarë dhe vend i denjë  përkrahë vendeve të tjera të BE. A ka probleme korrupsioni? Sigurisht që ka por ne jemi në gatishmëri të vazhdueshme për të parandaluar dhe goditur çdo akt korruptiv.

 

Qarku i Zielona Gora-s 

 

Pas ditës së tretë grupi i trajnimit u nisë për një udhëtim drejt Zielona Gora afro 500 km larg Varshavës dhe shumë afër Gjermanisë. Një udhëtim sa i veçantë, aq edhe i rrallë pasi në 500 km ne nuk  kemi  parë qoftë  edhe  një  kodër  të  vetme. Vetëm fusha dhe pyje pa fund, të gjitha të punuara, sistemuara dhe pemë të ruajtura me shume kujdes dhe fanatizëm. Trajnimi në këtë Qark kishte të bënte me funksionimin dhe kontrollin e pushtetit lokal, si bashkitë dhe njësitë e tjera vendore, prefekturën, tatim taksat, policinë lokale etj. Ajo që ka vlerë dhe që i përshtatej realitetit shqiptar ka të bëjë me faktin se Polonia ka 12 vjet që ka hyre në BE por ende dhe sot,  partneriteti – publik – privat është shumë i kufizuar dhe vetëm në investime dhe ndërtime si parkingje fillestare  në zona të lira, ndërtim pishinash etj. dhe jo shërbime publike dhe aq më tepër as që mund të imagjinohet që shëndetësia të jepet me koncesion privatit deklarojë një nga ekspertët më të mirë vendas dhe evropian. Diskutimet e shefes së sektorit të tatimeve Mikolajczak, prefektit Dajczak, pedagogen e çështjeve të OJF  në universitetin e Krakovës, Eva Bogacz – Wojtanowska dhe  Prof. Marian Milek shënuan edhe fundin e kësaj eksperience.

 

Kthimi në Varshavë dhe përgatitja për udhëtimin drejt Tiranës

 

Vizita trajnuese dhe bisedat e shumta me ekspertët vendas dhe evropianë ishte një tregues se edhe në Shqipëri me hir apo me pahir  krimi dhe korrupsioni, trafiqet dhe aktet banditeske, pastrimi i parasë , trafiku i femrave apo krimi politik nëpërmjet ndikimit direkt dhe indirekt një ditë do të ndëshkohen. Ne vazhdojmë të ecim nëpër rrugët e Varshavës e cila ka marrë një hov të madh në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturës duke treguar, se ata janë me këmbë në tokë dhe se shpejt edhe aviacionin do ta modernizojnë dhe qytetërojnë si kolegët e tyre europiane perëndimor. Ajo që sot është e rëndësishme ka të bëjë me garantimin e zhvillimit, ruajtjen dhe sigurinë së vendit të tyre dhe mbrojtjen e të mirave nga qëndrimi dhe agresiviteti rus,pas deklaratave të fundit të Putin për sulëm ndaj vendeve fqinje pjesë të BE. Ndoshta Vendet Baltike dhe Polonia e dinë më mirë këtë gjë, sepse e vuajtën për 50 vjet ku dinjiteti, emri dhe prestigji i këtyre vendeve u mbajt i përdhosur dhe nën thundrën e  ish-Bashkimit Sovjetik. Një mik nga SHBA gjatë  bisedës së përditshme që zhvilloja me të sapo mbërrita në Poloni më thotë se, nëse do më thoshin; klasifiko  5 shtete  të globit dhe 5 njerëz të cilët do preferosh t’i keshëshokë dhe miq, pa dyshim që Polonia dhe Polakët do jenë brenda këtij grupi të përzgjedhurish. Realiteti tregoi se miku ynë shqiptaro – amerikan kishte plotësisht të drejtë dhe ky ishte edhe konstatimi i grupit tonë  të trajnimit që vizitoi, por edhe shëtiti  në Poloni.