Nëpër Devoll, përmes lapidarëve të Luftës dhe gjurmëve të Dritëroit…

2114
Sigal

Nga Xheladin ÇELMETA

Reportazh

Pogradec, Gorë, Opar, Korçë, Devoll, Vidohovë, Miras, Ponçarë, Trestenik, Erskesë etj., e gjithë kjo zonë e juglindjes së Shqipërisë është e njohur për kontributin e saj atdhetar e patriotik ndër vite; si para, ashtu edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Teksa autobusi ngjit të përpjetën dhe futemi në zonën e Leshnicës dhe Çërravës ndjen se pesha e emocioneve të shtohet. Duket, sikur përpara do të të dalin heronjtë dhe personazhet e letrarizuar të Dritëroit të madh, si Maro Podgozhani, (Maro Mokra); fotografinë e bustit të së cilës, e ndeshim në faqet e një gazete lokale. Me koburen në dorë, ajo ngjan më shumë si një burrë. E tepërt të komentosh metaforën e përdorur nga skulptori realizues i këtij busti, apo të pyesësh se “Çfarë ka dashur të tregojë ai me këtë?”. Kjo, sepse siç dihet, roli i grave shqiptare, sidomos gjatë LANÇ, në këto anë, dhe në të gjithë Shqipërinë ka qenë i madh, gati-gati i njëjtë me atë të burrave.

Bilishti i 208 dëshmorëve

Mikrobusi me të cilin udhëtojmë, lë pas Plasën, Zemblakun, Cangonjin, dhe në mesditë mbërrijmë në Bilisht. Në një ditë të zakonshme vere të nxehtë si kjo, këtu vështirë të gjesh rrugëve të qytetit burra të moshuar, të cilët të mund t’i pyesësh për detaje që i vlejnë gazetës “Telegraf”; si për shembull; “sa familje dëshmorësh banojnë akoma në këtë qytet”, “sa lapidarë ka gjithsej Bilishti”, apo “sa ju mbështesin autoritetet lokale në aktivitetet përkujtimore për dëshmorët e Atdheut”, “sa ju ndihmojnë ato në planin social”, etj, etj. Tentoj t’i drejtohem një mesoburri, me një pyetje të përafërt me këto që thashë më lart, po ai thjesht rrudh buzët e ma kthen shkurt se “nuk jam nga këto anë, më vjen keq…”. Ndërkohë në bllokun e shënimeve kam informacionin e kryetarit të organizatës së Dëshmorëve dega Bilisht, Llazar Gjata, me të cilin kam biseduar pak ditë më parë. Bilishti ka gjithsej 157 dëshmorë të LANÇ dhe 51 dëshmorë të tjerë të rënë pas çlirimit. Gjithsej, 208 dëshmorë të Atdheut. “Balta e Devollit”, balta “e përkëdhelur” aq mrekullisht në vargjet e Agollit të pavdekshëm, ndër dekada e shekuj, në momente të vështira historike, gjithmonë ka ngjizur heroizëm e qëndresë shembullore. Zona e Devollit gjatë LANÇ mbushi radhët partizane me 1600 luftëtarë, mes të cilëve kishte edhe shumë gra e vajza, që vunë kapelën me yllin e kuq në ballë e luftuan trimërisht për t’i sjellë lirinë vendit. Devolli sot ka mbi 20 lapidarë të restauruar dhe të parestauruar. Kurse gjithë Korça, pa Devollin ka 104 lapidarë të luftës.

Monumenti i munguar…

Vizitori që vjen për herë të parë në Bilisht, nuk mund ta kuptojë se çfarë i mungon sot këtij qyteti. Në përditshmërinë e rutinës që imponon ekonomia e tregut, dhe trysnia e theksuar e halleve sociale, bën që të vetmit që interesohen për gjëra të tilla si; “lapidarët”, “pllakat përkujtimore”, apo “aktivitetet për të rënët”, etj, etj, të jenë veteranët dhe pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve. Rastësisht nis bisedën me një të moshuar. Fatmirësisht paskam takuar tamam njeriun e duhur. Ai është kryetari i veteranëve për Bilishtin. Quhet Bashkim Canaj. Jemi në të dalë të Bilishtit, aty ku ndodhet rreth-rrotullimi. Më thotë, se “këtij qyteti i mungon një lapidar, i cili ka qenë më parë saktësisht këtu ku po bisedojmë. Ai kanë qenë lapidari kushtuar 208 dëshmorëve të zonës së Devollit”. “Po kush e hoqi?”, e pyes. “Po ja, këta të pushtetit lokal, para pak vitesh, për shkak të rregullimit të rrugës. Na thanë se “sapo të mbarojmë punimet rikonstruktuese në qytet, do ta rivendosim përsëri aty lapidarin”. Po, ndodhi ashtu siç e kanë gjërat këtu tek ne; zvarritje, zvarritje. Ne prit; ata hiç. U bë një kohë e gjatë”, më thotë me shqetësim. Më lutet që ta fotografoj vendin ku ka qenë lapidari i dëshmorëve të Devollit dhe ta bëj lajm publik. Më pas, Bashkimi më thotë se bashkë me kryetarin e organizatës së familjeve të dëshmorëve dega Bilisht, Llazar Gjata “do t’i kërkojmë sërish autoriteteve vendore që sa më parë lapidari të rivendoset po aty ku ka qenë”. Në bisedë e sipër, ai më shoqëron për tek lapidari tjetër në kodrën jugore të Bilishtit, atje ku dikur ka qenë reparti ushtarak. Ky është lapidari madhështor kushtuar dëshmorëve kufitarë të rënë gjatë provokacioneve të monarko-fashistëve grekë më 2 gusht 1949. Shoh aty që një djalë i ri, (që duket se banon afër lapidarit), po e pastron sheshin e tij nga ferrat. Nuk trazohet fare kur e fotografoj, madje mundohet të pozojë paksa, që t’i duket më mirë fytyra. “Nuk duhet lënë kështu, gjithë shkurre lapidari, or mik”, thotë. “Ky simbolizon gjakun e derdhur për këtë truall. Çudi, asnjë nuk e çan kokën, për nder… Ata u vranë për këtë tokë; por ne të paktën t’iu mirëmbajmë lapidarët”.

Shtëpi të thjeshta, me histori

Në Shqipëri, ka kohë që shumë pllaka me shënimin “Ka qenë bazë e LANÇ”, të vendosura dikur nga komisionet përkatëse të komitetit të veteranëve sot nuk ekzistojnë më. Ose janë prishur e dëmtuar, ose banesat janë braktisur nga familjarët dhe nga pakujdesia muret e tyre janë rrëzuar dhe kështu edhe pllakat janë zhdukur. Ndërkohë sot, me interesimin e mjaft familjarëve të brezit më të ri, po kërkojnë që ato të rivendosen po aty ku kanë qenë. Një veteran devolli’, thotë se; “me sa di unë, ky problem ekziston edhe këtu në zonën tonë, por fakti është që vetë familjarët po këmbëngulin që ato t’i rivendosin sërish, sipas rregullave ligjore”. Këto janë shtëpi të thjeshta, por kanë mbi vete shumë histori, shumë kontribute për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Përtej statusit formal “Familje dëshmori”

Fshati Poloskë mban një orë me këmbë që nga Bilishti. Nga raportimet e bëra në Kryesinë e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë kemi dëgjuar diçka për ”ankesat” e “qarjet” e herë pas hershme të Haxhi Gjozës. Por kurrë nuk kemi arritur të përfytyrojmë dot kontrastin e thellë mes varfërisë së kësaj familje, (deri në nivelin ekzistencial të saj), dhe gjendjes shumë të mirë ekonomike të disa shtresave të tjera shoqërore në vend, që në mënyrë të çuditshme (ndonjëherë edhe të dyshimtë) kanë përfituar jo pak bonuse nga sistemi i ri i demokracisë! Një analizë e shkurtër, mbase do të na e sqaronte deri diku edhe “pse”-në e këtij fenomeni që ka degraduar ekonomikisht familjet e dëshmorëve të LANÇ: Më 11 shkurt 2006, qeveria e atëhershme e asaj kohe, ua hoqi shpërblimin prej 70 mijë lekësh të vjetra familjeve të dëshmorëve (flasim për rastet kur përfituesi; vëllai ose motra e dëshmorit rrojnë). Një i tillë rast është edhe vëllai i dëshmorit Nevruz Gjoza, Haxhi Gjoza, të cilit ky shpërblim iu hoq, si gjithë të tjerëve. Theksojmë, se vetë Haxhiu ka qenë partizan qysh 15 vjeç, dhe madje ka edhe një plagë lufte në trup. Duke shqyrtuar rastin e Haxhi Gjozës, mund të kuptohet lehtë edhe përse Kryesia e OKDA ngul këmbë prej vitesh që kjo organizatë dinjitoze, e shtrirë cep më cep të Shqipërisë, të ketë një status të plotë ligjor. Shkurt, ligjërisht familjet e dëshmorëve të LANÇ, duhet të mbrohen nga shteti, si nga ana sociale, ashtu edhe nga ajo e dinjitetit të tyre, pasi ata dhanë gjakun e njerëzve të tyre më të dashur, për lirinë e Shqipërisë. Me të drejtë Kryesia e OKDA ka këmbëngulur dhe këmbëngul që ky shpërblim simbolik që iu është hequr, t’ju rivendoset, ndoshta jo thjeshtë në monedha, por përmes benefitesh të tjera. Shtëpia e Haxhi Gjozës, (që për nga komoditeti, me rezerva mund të quhet “shtëpi normale”), mban brenda saj shumë dinjitet por njëkohësisht edhe shumë mjerim e varfëri. Aty, të zë syri divane të kohës së socializmit, dhe aspak orendi të kohës. Raporti i kësaj familje dëshmori me shtetin, padyshim që mund të quhet edhe shembulli më tipik i indiferentizmit të sotëm shtetëror ndaj halleve të mëdha sociale që kanë familjet e dëshmorëve. Jo vetëm këtu në Poloskë, por thuajse në shumë zona të Shqipërisë. Ndërkohë, vetë historia e Haxhi Gjozës është aq e trishtë sa të le pa fjalë. “Kapitali” i tij i vetëm me të cilën mban familjen është një dhi’, të cilën ai vetë e kullot, vetë e mjel, dhe me qumështin e saj ushqen familjarët për të cilët ai, edhe pse 91 vjeçar, duhet të përkujdeset. Haxhi Gjozës, babanë ja kanë vrarë andartët grekë gjatë masakrave, para së të niste Lufta e Dytë Botërore. (Pret që babain, ky shtet t’ia shpallë “dëshmor”, sepse ka bindjen se ai e meriton). Kurse në vitin 1943, gjatë LANÇ, Haxhiut iu plagos vëllai i madh, Nevruz Gjoza. E çuan në spitalin partizan në Korçë në vendin e quajtur Bradvicë. Ballistët, gjermanët dhe spiunët e morën dhe e dogjën të gjallë Nevruzin. Dhe Haxhiu thotë: “Gjatë luftës, ballistët e gjermanët ma dogjën të gjallë tim vëlla. Kurse sot, qeveria ime, shteti im, iu jep shpërblime të majme atyre që ma masakruan vëllanë, ndërsa mua, tani në moshën 91 vjeçare, më lë të jetoj në varfëri të plotë”. Kjo është bindja që ka ai për realitetin që jeton. Flet dhe qan. Me pensionin mjeran, që nuk i kalon 200 mijë lekë të vjetra, atij i duhet të mbajë me ushqim e ilaçe; veten e tij, gruan, që e ka të sëmurë dhe familjarët e tjerë. “Kam shkuar në bashki, prefekturë, kudo. Por, hiçgjë”, ankohet ai. Por edhe jeta duket se është treguar e padrejtë me Haxhiun. Pak kohë më parë, atij i vdiq dhe një djalë. …E përditshmja e Haxhi Gjozës është thjeshtë mjerim, stres dhe vuajtje. Dhe si të mos mjaftonin këto, pushtetarët lokalë pak kohë më parë ja hoqën edhe ndihmën ekonomike nuses së djalit. E për çfarë i duhet 91-vjeçarit Haxhi Gjoza statusi formal “Familje Dëshmori”? Çfarë do të thotë të jesh “Familje Dëshmori”? Çfarë e dallon atë nga familjet e tjera? Haxhiu është në një mendje me të tjera familje dëshmorësh, që pak vite më parë i bënë letër të hapur qeverisë, ku mes të tjerash thuhej: “Në rrethin e Korçës po përmendim masakrat gjatë luftës në fshatrat Çiflig, Ravonik, Pojan, Voskop, Dishnicë, Zvarisht, Marjan, Boboshticë, Hoçisht etj., ku janë vrarë dhe djegur të gjallë në shtëpitë e tyre njerëz të pafajshëm, burra, gra, pleq e fëmijë. Krimet nga nazifashistë janë bërë në bashkëpunim me ballistët, ata që njihen nga populli si kriminelë, të dënuar nga gjyqet speciale pas çlirimit. Është e çuditshme që ata dekorohen, ju ngrihen buste dhe shpërblehen nga shteti, kurse familjarëve të dëshmorëve të Atdheut ju hiqet edhe ai shpërblim simbolik që ishte. Kjo është sa e turpshme, aq dhe revoltuese, natyrisht është e pamoralshme dhe brenda ka absurdin, është paradoksale”. Theksojmë se, pak a shumë, në një varfëri të tillë të skajshme është edhe familja e vëllait të Bedri Spahiut, ku ai vetë personalisht në një mjedis publik, ja ka bërë ankesën e tij hapur edhe Kryeministrit të vendit.

“Dritëro Agolli, miku i madh i familjes sonë”

Nga një sënduk i vjetër, Haxhiu nxjerr një barrë me gazeta që kanë shkruar për heroizmin e Nevruzit në LANÇ, deri sa ra dëshmor. Po ashtu edhe dokumente, si dhe kartolina urimi pa fund nga personalitetet qendrore dhe vendore, por edhe nga politikanë që i kanë sjellë Haxhiut, si vëlla dëshmori, ndër vite. Janë shumë, shumë. Ka shkruar edhe vetë Haxhiu një libër “Ai që u dogj në flakët e zjarrit”, kushtuar vëllait të rënë. Ka dhe plot fotografi. Në njërën, shihet Dritëroi me familjen Gjoza. “I ndrittë shpirti atje ku është, Dritëro Agollit, se ai ka qenë gjithmonë pranë familjes sonë, gjithnjë na ka mbështetur”, shprehet ai. “Kush nuk përkulet para dëshmorëve, përgjunjet para batakçinjve”, thoshte ky poet i madh. Në bisedë e sipër, tregon dhe një detaj për Enver Hoxhën. Thotë se kur ka ardhur një herë në këto anë, pas provokacioneve greke të gushtit ’49, ai, në fjalimin e tij drejtuar popullit të zonës është shprehur se “ne kufirin e kemi të garantuar, qoftë edhe vetëm me pushkën e Haxhi Gjozës”. Këtë moment, Haxhiu nuk e harron kurrë. Gjithsesi, këto janë vetëm kujtime, të cilat shpesh ai i rrëfen kur i vijnë miq apo njerëz të njohur apo të panjohur. Sikur lehtësohet me këto rrëfime. Por ky është vetëm një moment. Kurse e përditshmja për të, është një realitet i mundimshëm; mes varfërisë, skamjes dhe mjerimit. …Shpirti, zemra e Haxhi Gjozës është e bardhë si dëbora e Moravës. Kështu ka qenë gjithmonë ai. Kështu e njohin edhe bashkëfshatarët. Kurrë në jetë Haxhiu nuk ka abuzuar në kurriz të shtetit. Shumë herët, në vitet e socializmit, ka parur njerëz të mirë atje lart në qeveri, që i kanë thënë atij: “Haxhi, a do të të japim shtëpi në Korçë? Dhe të të vëmë edhe ty në një punë të mirë?”. ”Jo”, është përgjigjur Haxhiu. “Se unë vetëm 8 klasë shkollë kam”. Kështu, iu ka thënë. “Të të çojmë në shkollë, të të vëmë në një detyrë të mirë, dhe do kesh edhe shtëpinë në qytet”, i kanë thënë atëherë. Haxhiu, për një moment është menduar. Natyrisht, edhe shkollën mund ta kryente, por edhe shtëpinë në qytet mund ta merrte. Dhe ka pyetur nënën, Mamuden: “Si thua, nënë, a të bëhet mirë ty, po të marrim shtëpi në qytet, në Korçë? Ë, si thua?”. “Nuk mundem bir, i ka thënë ajo, sepse atje, sapo të dal në ballkon; do më dalë përpara Bradvica, vendi ku m’u dogj i gjallë Novruzi”. Dhe ai ka dëgjuar nënën; ka qëndruar përgjithmonë aty, në Poloskën e tij të dashur; duke jetuar me nder e dinjitet. Por kurrë nuk ka menduar se një ditë, shteti i tij, do ta harrojë krejt atë, siç e ka harruar.

 

Vijon….