Në Kallarat u festua me krenari 100-vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe

631
Sigal

Gazeta Telegraf/


Nga Besnik GJONBRATAJ



 20 tetori i 1916-ës shënon
zyrtarizimin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Kallarat. Për të kujtuar
këtë ngjarje të rëndësishme 
 në muajin gusht në  Kallarat u organizua një
aktivitetit kushtuar 100 vjetorit të saj. Në këtë veprimtari, përveç banorëve
të fshatit, kishin ardhur mjaft bashkëfshatarë nga  Vlora, Fieri, Durrësi,
Tirana, si edhe emigrantë kallaratas që jetojnë e larg vendlindjes së tyre.
Mori pjesë gjithashtu ish kryetari i Komunës dhe  aktualisht nënkryetar i
Bashkisë së Himarës, zoti Simbol Pazaj, biri kallaratas profesor doktor Rami
Memushaj, kryetari i shoqatës “Kallarati”, zoti  Kastriot Karabollaj, kryeplaku
i fshatit zoti Ilir Memushaj etj.

Aktiviteti i përkujtimit të kësaj ngajrje të
rëndësishme, ishte organizuar në Qafën e Ubavit, te ky vend ku të parët tanë
mblidheshin në kuvende, te ky vend ku burrat dhe gratë niseshin për luftë,
pikërisht te ky vend më 1916 u hodhën edhe themelet e shkollës së parë shqipe
të Kallaratit. Kanë kaluar vite, jo pak por njëqind, dhe kjo shkollë u rrit, u
transformua dhe u modernizua, duke kaluar nga një etapë në tjetrën,
fillimisht  me pak klasa e pak nxënës, e shkallë-shkallë duke u konsoliduar
në formë dhe përmbajtje si gjithë arsimi në Shqipëri e duke u bërë vatër e
dijes e kulturës për gjithë bijtë dhe bijat kallaratase e të fqinjëve tanë që u
shkolluan këtu.

Nga gjiri i kësaj shkolle të dashur kanë dalë
me qindra nxënës, të cilët kanë bërë emër në sektorë të ndryshëm të jetës në
Shqipëri e jashtë saj. Sot të gjithë ndihemi krenarë për atë çfarë kjo shkollë
na dha për edukimin dhe formimin tonë shoqëror dhe intelektual. Sot, me të
drejtë, përulemi dhe vlerësojmë e çmojmë atë kontribut të vyer që mësuesit e
kësaj shkolle, vendas dhe të huaj, dhanë për ne nxënësit kallaratas.
 

Me nismën e kryesisë së shoqatës dhe të
kryesisë fshatit, për të kujtuar vitin 1916, vit kur u hodhën themelet e
arsimit në Kallarat, ishte përgatitur një pllakë përkujtimore, me kushtimin:
 “Këtu, më 1916 u çel shkolla e parë shqipe e Kallaratit”. Pllaka u zbulua nga nënkryetari i Bashkisë së Himarës, zoti Simbol
Pazaj, dhe një nga mësuesit më të vjetër të kësaj shkolle, zoti Hamit
Muharremaj.

Fjala e mirëseardhjes për të pranishmit u
mbajt nga nga kryetari i shoqatës “Kallarati”, zoti
 Kastriot Karabollaj, i cili ndër të tjera u shpreh: “Një nga pikat e programit të shoqatës sonë
kulturore-atdhetare është evidentimi dhe përkujtimi i ngjarjeve historike të
fshatit tonë. Çelja e shkollës shqipe këtu në Kallarat 100 vjet më parë është
një ngjarje e madhe historike, që nuk mund ta linim pa e përkujtuar. Pas
shpalljes së Pavarësisë kombëtare më 1912 në Vlorë dhe pas luftës së
përgjakshme me bandat shoviniste greke më 1914, që i solli fshatit tonë një
rrënim të madh, kallaratasit, që kishin treguar trimëri e atdhedashuri të madhe
për mbrojtjen e trojeve shqiptare, ishin edhe arsimdashës të thekur. Pa e marrë
veten mirë nga pasojat e luftës dramatike të 1914-ës, sapo u krijua rasti për
hapje shkolle, kallaratasit që kishin hapësira shtëpiake, u treguan të gatshëm
të hapnin dyert për këtë qëllim. Fillimisht, më mars 1916 dyert e banesës së
tij i hapi Dushan Seit Jonuzaj, në Shesh të Fierit. Më vonë, për t`iu larguar
syve të pushtuesve italianë, që nuk lejonin të bëhej mësim shqip, siç tregon në
kujtimet e tij një nga ish-nxënësit e parë, i ndjeri Izet Bushi, shkolla, që
funksiononte në formë kursi me mësues patriotin Telo Duro Zhibajn, u hodh në
Povël, në konakët e Maliq Boshit, për t`u rikthyer më vonë përsëri në Shesh të
Fierit, kësaj radhe në shtëpinë e Zenepe e Qamil Toçajt, ku u njoh edhe
zyrtarisht nga autoritetet shtetërore të kohës. Është për t`u theksuar si fakt
kuptimplotë që flet për etjen që kishte Kallarati për shkollim shqip,
pjesëmarrja relativisht e madhe për kohën dhe kushtet e atyre viteve e mbi 20 e
ca nxënësve. Për shkak të situatave dhe rrethanave të pafavorshme që përjetoi
vendi ynë pas Luftës së Parë Botërore e deri në vitet ‘30, po edhe nga pengesat
e ndryshme që nxirrnin autoritetet e kohës, shkolla nuk mundi të vijonte pa
ndërprerje. Kështu që u desh këmbëngulja e fshatit, duke dërguar deri te
ministri Musa Juka i qeverisë mbretërore të Zogut, të riun Xhemal Gjonaj, me
kërkesën që të rihapej shkolla në vitin 1935. Por ndërprerjet nuk paskëshin të
sosur. U ndërpre shkolla nga Lufta Italo-Greke e vitit 1940–41. Dhe gjatë
viteve të fundit të shekullit XX, shkolla e bukur e fshatit tonë, me emrin e
Heroit të Popullit Mumin Selami, i mbylli dyert përsëri nga autoritetet e sotme
shtetërore, gjë që përbën një paradoks të vërtetë. Fëmijët e Kallaratit
detyrohen të shkollohen tani në shkollën e Vranishtit fqinjë.
 

Ne shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme
për të gjithë ata breza mësuesish që kanë kontribuar për mbarëvajtjen e
shkollës së fshatit tonë nga çelja e saj në mars të vitit 1916 e derisa zgjati
jeta e saj- përfundoi fjalën e vet zoti Kastriot Karabollaj.


  GJURMËT E HISTORISË SË ARSIMIT NË KALLARAT 

  Për të folur rreth zhvillimit, ecurisë së arsimit
në Kallarat që nga çelja e shkollës së parë e derisa ajo u mbyll, por edhe për
ndihmesën e dhënë nga mësuesit për edukimin e nxënësve të kësaj shkolle të
dashur, nga gjiri i së cilës kanë dalë me dhjetëra e qindra nxënës, që, pas
përfundimit të studimeve të larta e të mesme, u bënë kuadro e specialistë të
denjë jo vetëm për vendlindjen e tyre, por për mbarë Shqipërinë dhe jashtë saj,
fjala iu dha njërës prej mësueseve më të vjetër dhe ish drejtoreshës së fundit
të kësaj shkolle zonjës
 Violeta Xhaferaj. 

 Në fjalën e saj Violeta i bëri një
përmbledhje gjithë rrugës së historisë së arsimit kallaratas. Ajo ndër mjet të
tjerash u shpreh:
 Jemi
grumbulluar këtu  në Qafë të Ubavit për të përkujtuar 100-vjetorin e çeljes së
shkollës shqipe. Kjo  Qafë, ky vend, ku jemi tani është mbushur me 
histori. Këtu  mblidheshin kallaratasit e qanin  hallet e dertet e jetës.
Shumë herë i gjithë fshati grumbullohej këtu e merrte vendime të 
rëndësishme. Nga këtu nënat  kallaratase u kanë dhënë bekim dhe urimin bijve dhe
bijave të tyre. Ata i nisnin në fushën e betejave në luftime  me pushuesit
e huaj ku nuk dihej fati i  tyre. I dërgonin për të shërbyer, ku kishte nevojë
atdheu
  në rrugën e shkollimit e të qytetërimit të tyre.  Këtu
në  këtë copë tokë, janë derdhur shumë lot  gëzimi, por edhe pikëllimi.
Qafa e Ubavit është qendra historike e fshatit tonë. Ajo është toka ku “mbinë e
lulëzuan“ shkronjat e para shqipe dhe nisi  rrugën shkolla shqipe në Kallarat.
Dhe me të drejtë është kënduar: –
 Qafë  e Ubavit 
moj  nënë, o vend i  kuvendeve ……


 SHIFRA DHE FAKTE HISTORIKE RRETH ARSIMIMIT NË KALLARAT


Arsimi kallaratas zanafillën e tij e ka në
mars 1916 në formën e kurseve që zhvilloheshin në shtëpinë e Dushan Seit
Jonuzaj në Shesh të Fierit me mësues patriotin Telo Duro Zhibajn. Më vonë, për
t`iu larguar syve të pushtuesve italianë që nuk lejonin të bëhej mësim shqip,
shkolla që funksiononte në formë kursi, u zhvendos në Povël në konakët e Maliq
Boshit. Zyrtarisht shkolla shqipe në Kallarat u çel më  20  tetor
1916 në  shtëpinë  e  Qamil  e  Zenepe  Toçes, e
cila u njoh  nga  Drejtoria  e  Arsimit  Gjirokastër.
Mësuesi i parë i shkollës në Kallarat ka qenë Jaho  Hodo nga  Borshi
dhe pak  muaj më vonë Musa  Sinani (Këlliçi) nga Fterra. Nxënësit e
parë që u ulën në bankat e shkollës kanë qenë: Ruzhdi  Lame, Lilo 
Habili, Izet Bushi, Azbi Asllani, Hasan Selami, Abaz Shako, Shahin Jonuzi,
Demir Lato, Veledin Rjepi, Dalan Haxhiu,  Ferrik Strati, Shuko Karrabolli,
Hasan Qejvani, Hasan Shamo si dhe Hamdi dhe Izet Hasko nga  Golemi, 
pas  djegies së  fshatit të tyre nga grekët më 1913 erdhën në
Kallarat.  Në vitin shkollor 1917-1918 numri i fëmijëve që u ulën në
bankat e  shkollës ishte 47. Në  këtë vit në shkollën  e 
Kallaratit  u  emërua mësues Telo Duro dhe  2 vjet më pas Meçan
Selami.
 Në shtator 1923, shkolla u mbyll, pasi kongresi i Arsimit i
mbajtur në Tiranë më 22  korrik 1922, në kohën e Qeverisë së Xhafer Ypit,
ndalonte çeljen e shkollave ku s’kishte ndërtesë të rregullt shkollore. Qeveria
e Fan Nolit, që erdhi në fuqi në qershor 1924, pati jetë të shkurtër, vetëm 6
muaj dhe nuk arriti dot të bënte asgjë për shkollat.
 Ky vendim apo dhe të tjera shkaqe bënë që në Kallarat  për 12
vjet (1923-1935) të mos kishte shkollë. Fshatarët kallaratas të udhëhequr nga
patriotët: Lame Sinani, (në atë kohë 1925) sekretar i  nënprefekturës
Gusmar, si dhe Selam Bajrami, Alem Toto, Shamo Meçe, Hodo Kalemi, aty  nga
viti  1925 ia filluan punës për ndërtimin e një godinë për shkollë tek
burimi në  Morrez. Në vitin 1927 përfundoi së ndërtuari godina për
shkollë, por megjithatë shkolla nuk u hap. Kërkesa të shumta i dërgonin
fshatarët kallaratas Ministrisë së Arsimit të mbretit Zog, por ato binin
në  vesh të  shurdhër. 
 Pas përpjekjesh të shumta,
qeveria e Zogut, për të hapur shkollën vuri kushtet: “Të kishte një numër të
caktuar nxënësish dhe fshati të siguronte vetë godinën e mësimit”. Këto kushte
u përmbushën dhe shkolla u hap në shtator 1935 e cila funksionoi deri korrik
1939. Në të u regjistruan dhe moshat e rritura, duke arritur numri i nxënësve
në 40–45 vetë. Ndërsa për ndërtesë, falë shpirtit human të hoxhës së fshatit, u
përshtat xhamia e fshatit. Mulla Beqir Zhibi tha: “Të hapet shkolla në xhami,
pa unë do ta fal xhihanë në qafë të Brodanit.”
 Në vjeshtën e vitit 1940 shkolla në Kallarat e ndërpreu
veprimtarinë e saj mësimore. Lufta italo-greke dhe më pas pushtimi nazist e
kthyen Kallaratin në një front luftimi dhe shumica e nxënësve u ngritën në
luftë kundër pushtuesve nazistë e fashistë.