Laureta Petoshati: Mesha e Shenjtë për Shenjtorin e parë shqiptar, Donatin nga Vlora

627
Sigal

Edhe pse ishte një mbrëmje e ftohtë dhe me shira të fortë, as misionarët e fjalës së shenjtë të Kishës Katolike “Shën Luigji Gonzaga, as besimtarët katolikë, por dhe intelektualë të qytetit të Vlorës, nuk iu trembën motit për të përkujtuar Shën Donatin me origjinë nga Vlora.
Pak fjalë mbi Shën Donatin
Po kush ishte Shën Donati, apo Shën Dana siç i flasin shkurtimisht? Ka shumë shkrime që flasin për këtë martir të Krishterimit, i cili pat lindur ne Vlorë dhe emigroi në qytetin port të Capo di Leuca, Itali shërbeu si dhjak në kishën e Santa Maria di Leuca në Itali.
Në librin ACTA SANCTORVM i vitit 1643 (Libri i të Shenjtëve) për Shën Donati (Danax – lexohet Danaks, thuhet pikërisht kështu: “Hic ex Illyrico oriundus, loco qui Aulon” (Ai është me origjinë ilire, nga vendi i saj Vlora), kjo është bërë në bazë të dokumenteve që i ka lënë me shkrim që në gjallje Shën Donati.
Ndërsa Br. Silas Henderson, S.D.S. në revistën “Aleteia” më 18 janar 2016, sqaron rrethanat e martirizimit te Shën Donatit:
Gjatë një bastisje nga pushtuesit maurë, Dana mori Sakramentin e Bekuar nga kisha, duke shpresuar për të gjetur siguri në qytetin e afërt të Montesardo. Megjithatë, ai u kap pesë milje larg nga Leuca, në një vend të njohur tani si La-Mora-dhe e martirizojnë për refuzimin e tij që të mohonte besimin e tij të krishterë. Pak para kapjes së tij, ai ishte në gjendje që të konsumonte Eukaristinë, e cila merrej si ushqim pasi ai ishte i përgatitur për të vdekur. Edhe pse eshtrat e tij u hodhën në det, një pllakë tregon vendin e martirizimit të tij dhe ai prej kohësh nderohet si një shenjtor i të dy Kishave, asaj të Lindjes dhe asaj të Perëndimit.”
Raffaele De Simone te “Santi Beati” datë 20 shtator 2011, bazuar dhe tek Enciklopedia e të Shenjtëve, Bibliotheca Sanctorum, shkruan se:
“I ndjekur dhe kapur nga paganët, të cilët e detyruan që të bënte fli për Dionisin si zoti dhënës i verës, ai haptazi deklaroi besimin e tij në Krisht, si Ai që krijoi botën dhe gjithçka që është në botë. Atë e prenë copa- copa me shpata dhe e hodhën në det. Në San Dana (Dioqeza e Ugento-s, Puglia) Dana nderohet në kishën e famullisë: Shenjti nga Iliria për tu identifikuar me atë të Pulias, përveç emrit (i cili është i rrallë në Perëndim), madje edhe për festën, e cila bie më 16 janar.”
Në fletë-palosjen e dhënë enkas besimtarëve në meshën e shenjtë kushtuar atij, përgatitur nga Administratura Apostolike e Shqipërisë së Jugut, me qendër në Vlorë, shkruhet kështu: “Në vendin ku ka vdekur Shën Donati, 200 metra larg fshatit San Dana (fshati edhe sot e mban emrin e tij) gjendet një shtyllë në përkujtim të tij.”
Mesha e Shenjtë në Vlorë
Mesha e shenjtë për Shën Donatin zhvillohet prej disa vitesh në Vlorë dhe nën drejtimin e Imzot Hil Kabashit, ajo ka marrë vëmendjen e shumë intelektualëve të Vlorës për të njohur më shumë vlerat dhe bijtë e këtij qyteti. Në mbrëmjen e 16 janarit të sivjetshëm, ajo u drejtua përsëri nga Imzot Hil Kabashi në bashkërendim me At Stefan Lucici, svd, nën moton: “Shën Donat, lutu për ne!” Imzot Hil Kabashi qysh në hyrje bëri një histori të shkurtër të jetës së Shën Donatit, si martir i kishës, shembullin e të cilit për të mos mohuar besimin e ndoqën dhe shumë klerikë të tjerë në të gjithë botën dhe veçanërisht dhe 38 martirët shqiptarë që u lumturuan së fundmi, pasi sfiduan ideologjinë dhe represionin që u ndalonte besimin. Më tej, ai foli mbi rëndësinë e përkujtimit të këtij shenjti, i cili na nderon si komb në Europën me rrënjë të krishtera, ku në këto rrënjë ne kemi shenjtorët tanë, martirët tanë, një prej të cilëve është dhe Shën Donati, shenjti i parë shqiptar, ndërsa Shën Tereza është shenjtorja më e re dhe e treta në renditjen kohore. Ai sqaroi se përse na frymëzon ky shenjt, foli mbi sakrificën, besën e tij, një virtyt i vyer i shqiptarëve, të cilët nuk duan të jenë kurrë besëprerë. Imzot Hil Kabashi foli për shkallët hierarkike të shërbimit si misionar i fjalës hyjnore, ku Shën Donati ishte në shkallën e parë të shërbimit, atë të dhjakut, pra që nënkupton se ishte në një moshë të re në kohën e martirizimit të tij. Ai tha se në San Dana bëhet një procesion me statujën e tij, fotografinë e të cilës e mban të varur dhe kisha e Vlorës dhe shprehu dëshirën që të zhvillohej dhe një konferencë shkencore për njohje më të thelluar të materialeve arkivore për këtë shenjt, i cili i jep Vlorës një dimension tjetër, atë shpirtëror. Në meshën kushtuar Shën Donatit morën pjesë kryesisht shkrimtarë dhe poetë të Vlorës si Myrteza Mara- Kryetar i Klubit “Petro Marko” të Vlorës, shkrimtari dhe njëkohësisht Drejtor i Bibliotekës publike “Shefqet Musarai” Çlirim Hoxha, studiuesi dhe poeti Idajet Jahaj, poetja Alma Feruni, aktorja Blerina Xhebraj, poeti dhe gazetari Deni Llanaj, etj. Duhet përmendur fakti, se kjo meshë paraqiste interes dhe në bazë të shkrimeve të publicistit dhe njëkohësisht Sekretar i Klubit “Petro Marko” të Vlorës -Gëzim Llojdia, i cili jo vetëm ka hulumtuar mbi shenjtin në fjalë, por ka shprehur dhe dëshirën se përse shëtitorja buzëdetit të mos pagëzohet me emrin e këtij shenjti, aq më tepër që në bregun përballë ka një komunë me emrin e tij.
Lutja drejtuar Shën Donatit
Ashtu si çdo shenjt ka një lutje të veçantë, me të cilën i drejtohen besimtarët, edhe Shën Donati e ka një të tillë. Lutja drejtuar Shën Donatit është si më poshtë:
“O Shën Donat, martir kreshnik i besimit dhe i Eukaristisë, ne po e admirojmë guximin dhe besnikërinë, që e ke treguar për ta mbrojtur Eukaristinë nga përdhunimi në kohën e përndjekjes. Ne duam të ndjekim shembullin tënd, me të cilin ti ke luftuar besimet e rrejshme, dhe dëshirën tënde për të takuar Jezusin në Eukaristi. Shembulli yt le të na ndriçojë në ecjen tonë gjatë jetës para së gjithash kur besimi poshtërohet dhe harrohet. Duam të ndjekim ty në përkushtimin tënd pa rezervë në shërbim të Kishës dhe vëllezërve, duke u bërë si ti, dëshmitarë të dashurisë së Hyjit. Amen.”
Kjo ishte lutja që u lexua nga të gjithë të pranishmit, pavarësisht besimeve, por që ndodheshin në kishë për të nderuar jo vetëm kujtimin e veprës së tij në shërbim të njerëzve si misionar i fjalës hyjnore, por dhe në nderim të historinë tonë kombëtare e shpirtërore. Në fund të meshës pasi kishim shtrënguar duart për paqe e dashuri me njëri-tjetrin, një fotografi do të fiksonte së bashku misionarët e fjalët hyjnore me shkrimtarët si misionarë të fjalës së lirë.
Vlorë më 17 janar 2017