Korabi, zemra e maleve shqiptare

861
Sigal

 Nga Enela Shehu Markja 

…Me diell nis dita në qytetin tim të lindjes. Zhurma e përroit dhe rrezet e dielli që shponin me forcë e depërtonin përtej perdeve të errëta, ma nxorën gjumin në dhomën e hotelit në vendlindje. Me kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë shëtis nëpër rrugë, mes lulishteve me lule e plot gjallëri rinore, – sikur të jem në ëndërr…, ndërsa buria e një makine më zgjoi përsëri kësaj here ku isha në mes të rrugës, përballë ish-shtëpisë time; shumë emocione m’u pështjelluan në ato pak sekonda, frika, pasioni, ëndrrat e lëna pas, jeta plot ngjyra e qytetit të vogël, emocionet dhe miqësitë, lotët dhe gëzimet. U ndjeva e humbur mes kujtimeve të mia, realitetit të qytetit dhe jetës sime tashmë. Ashtu si dhe ne, dhe kjo qyteze paska ndryshuar, sa shumë…Në dalje të qytetit (në fund te Bulevardit tashmë me kalldrëm shtruar) ishte pika e takimit të grupit tonë për t’u nisur për Radomirë. Nxitova hapat me çantën mbi shpinë dhe këpucët e mbërthyera deri mbi kyçe.

Korabi ishte sfida e dy ditëve të ardhshme.

Ajo rrugë gjarpëruese në drejtim të Kukësit e asfaltuar dhe e mirëmbajtur kalon përmes fshatrave të Sohodoll, Kastriot, Shumat, Sllovë e Vleshë. Pak mbi Restorant “Ujmir”, në fshatin me të njëjtin emër, ndjekim rrugën e Radomirës për në fshatin Tejës. Ndërsa udhëtonim, në kujtimet e mia shikoja ato klasa gjimnazistësh që ktheheshin nga aksioni i vjeljes së mollëve, misrit e groshës.

-Kastrioti, Enelë – thotë miku ynë që na shoqëronte me makinën e tij – është vendi i mollëve.

-Po, – i thashë, pa i dhenë atij të kuptoj që me mendje kisha ikur shumë larg, dhe u ktheva përsëri në të tashmen. Pranë Vleshës makinat e parkuara në krah të rrugës më bënë kureshtare të pyesja.

-Uji i ftohtë i Vleshës – ma kthen miku ynë përsëri – është një ilaç i vërtetë dhe bën çudira për shëndetin. Në kthim duhet të ndalojmë patjetër, të freskojmë këmbët

– Sigurisht,- thashë tek dëgjoja nga larg zhurmën e burimit.

 

 

Në Sllovë bëmë një ndalesë të vogël tek Lapidari i Luftës. Jo të paktë në këtë zonë ishin bunkerët, të cilët me shumë vështirësi mundohen të fshehin praninë e tyre, me tepër të mbuluar nga pluhuri i kohës se sa të huazuar nga natyra. Për pak kilometër ndoqëm një rrugë të pashtruar në drejtim të Liqenit të Gramës, gjithashtu një pikë e bukur turistike dhe një nga rrugët që të çojnë në Korab, e cila bukurinë magjepsëse e ka në fillim të verës kur bora u lë vendin luleve. Rruga e makinës mbaron në qendër të fshatit Tejës në Radomirë, në Komunën e Kalasë së Dodës, e cila ndodhet rreth 1200 m mbi nivelin e detit. Makinën e parkuam para Hotel-bar-Restorant ‘Setkiu’, ku rezervuam dhomat për atë natë. Ndërsa po mbërthenim mirë këpucët e po bisedonim me udhërrëfyesin tonë nga Radomira, Bujarin, ndalojmë para hotelit dy mikrobusë të mbushur plot me turistë. Ishe një grup turistësh nga Hungaria, që kishin të njëjtin qëllim si dhe ne. Për ato, ecja në malin e Korabit do të ishte ekskursion një ditor. Në kafenenë e fshatit ato mbushën vetëm shishet me ujë, i cili është në këto zona tejet i pastër, i shëndetshëm ashtu si vetëm natyra di ta bëjë dhe ta japë falas. Tek ndiqja me sy grupin e turistëve e tundja filxhanin me shpresë që të nxjerrë dhe një pikë kafe, me qindra ide më lindnin në kokë në ato momente; mendoja se si turizmi mund ta zhvillojë këtë zonë, duke mos e prishur këtë dhuratë të natyrës kaq të virgjër, kryelartë, plot ngjyra … dhe thjesht të bukur. I dëgjuar është emri i malit të Korabit, por të pa shkelura shumë ato lëndina mahnitëse mes shtigjeve të thepisura e shkrepa te mermertë, me liqene malorë dhe përrenj të zhurmshëm. Mikpritës janë banorët e kësaj zone – bukë, kripë e zemër të bardhë për këdo që u troket në derë! Marshimi filloi duke lënë prapa Liqenin e zi e duke dëgjuar Bujarin, udhërrëfyesin tonë, teksa tregonte me dorë drejt një lëndinë të bukur qe quhej „Varrezat e vashave“. Legjenda, vazhdon Bujari, thotë qe vashat e zonës, para se në ato male të shkelte turku, nuk pranuan të martohen me të huaj dhe vendosen te gjejnë preh në atë lëndinë të bukur mes malesh. Bujari rrëfente me origjinalitet dhe me dialektin e zonës, për jetën në fshat, organizimin, kullotat, bagëtinë, mirëmbajtjen e pyllit si dhe përgatitjet për dimrin e ashpër e të egër që bën në këto zona, për besimin e fortë që kanë për të mos e shitur truallin tek persona të huaj dhe jashtë komunitetit të zonës, për shkollën dhe arsimin që herë herë është dhe i munguar, pavarësisht dëshirës së fëmijë e dhe prindërve për të vazhduar më tej arsimimin, për të rinjtë që emigrojnë në Angli. Të zhurmshme buçisnin burimet e Korabit – me ujin e të cilave furnizohet gjithë qyteti i Peshkopisë. Pas lamë stanet që në fund të gushtit ishin boshatisur, vazhduam rrugën përmes livadheve e më pas për gjatë kurrizit të gurtë e malor të një përroi të thatë. Në një livadh, mes shkëmbinjve të fuqishëm, përballë “Portave të Korabit” u ulëm të bëjmë një pushim. Bujari, malësor mikpritës, nxori nga çanta e tij bukë, djathë e dhallë, – të cilat në kombinim me ajrin dhe pamjet magjepsëse, shijonin më tepër se çdo gjë tjetër.

Të fuqizuar vazhduam përsëri marshimin tonë

Brezi i butë, – thotë Bujari dhe tregon me dore drejt një linje gjarpëruese. Të gjithë heshtëm, dhe para syve na erdhën për pak çaste ato ditë të errëta në komunizëm. Të butë e kishte bërë natyra këtë Brez, po për shumë të rinj që guxuan të besonin se mund të jetonin ndryshe nga sa sistemi diktonte ishte ky “Brez” vdekjeprurës…

-Çfarë është “Brezi i butë” teze? – me pyet mbesa ime 18 vjeçare. Duke ia përkëdhelur atë kokë me kaçurrela e duke menduar sa mirë që rritet në një kohë tjetër, – i shpjegoja “Brezin e butë”. Etapën më të vështirë atë pasdite e kishim akoma përpara, ndërsa pas linim livadhet, përpara nesh natyra e ashpër me shkëmbinj të copëtuar dhe jo shumë larg dhe maja e Korabit, na jepte gjithmonë e më shumë kurajë. Pas shkëmbinj te rrahur e copëtuar nga moti i egër iu ngjitem një lëndine të pjerrët e, ndërkohë, mbuluar me bar të zverdhur, krejt e veçantë në ato lartësi prej 2500 metër drejt majës së Korabit. Mbas 5 orësh ngjitje arritëm majën më të lartë të vendit tonë, prej 2764 m të atij vargmali prej 40 kilometrash mes Drinit të Zi dhe Radikës, mes Shqipërisë e Maqedonisë Veriore. Për mua si gjeografe, por për më tepër si “Cucë dibrane” ishte një ndjenjë e pa përshkrueshme plot krenari e emocione – pamje marramendëse: para syve Shqipëria, nga krah Maqedonia e pak më në veri Kosova. Në atë lartësi nuk kish kufi. Nga lart vështroja anën Veriore dhe perëndimore me shkëmbinj të thepisur e natyrë të zhveshur. Rruga që ndoqëm ne, nga ana Jug-lindore, kishte zona shkëmbore e shkëmbinjve të thyer, por gjithashtu dhe e livadheve që lehtësojnë ngjitjen. Zbritja zgjati rreth tre orë përgjatë të njëjtës rrugë. Në fshat u kthyem me ditë dhe të uritur. Setkiu shpërndau në fillim ujë e nga një pjatë kos që kishte formën e djathit e mund të pritej me thikë. Në saç po përgatitej tepsia me Fli, tipike e zonës së Radomirës. Shpejt perëndoi dielli në Tejës mes malesh. / Shtator 2019/