Janimingasit në festë mes lotësh dhe përqafimesh…

1042
Sigal

Reportazh/ Kujtimi dhe miqësia, simboli më i lartë që thur shoqëria

Bashkim Sulçe

Kozma Gjini

 

Nën moton “Kujtimi dhe miqësia, simboli më i lartë që thur shoqëria” u mblodhën ish-pedagogjikasit e shkollës së mesme “Jani Minga” të Vlorës për të festuar së bashku. Me vitet e bukura të një pune fisnike ngarkuar supeve, flokëzbardhur e të rrudhur nga mosha, por me plot energji dhe kujtesë të freskët, erdhën ata nga: Tirana, Durrësi, Lushnja, Fieri, Mallakastra, Vlora, Tepelena etj…, dhe përpara bashkisë së qytetit të Fierit, ku ishte lënë pika e takimit, provokojnë rinjohjen me përqafime të përmalluara pas kaq vitesh. Është rasti të falënderojmë këtu gazetën “Telegraf” dhe drejtorin e saj z. Engjëll Musai, i cili ka bërë publik njoftimin për gjithë maturantët kudo që ndodhen. Janë burra dhe gra, mësues e mësuese, të cilët e kanë shkrirë jetën me fëmijët duke dhënë një ndihmesë të madhe për mësimin dhe edukimin e brezave, nga një shkollë në tjetrën, madje disa edhe në malësi.

Në këtë takim festiv, shumë të ngrohtë e miqësor, kishin ardhur edhe ish-nxënës të maturave të ndryshme që nuk kishin patur mundësi të vinin në përvjetorë të mëparshëm dhe këta e bënë më të bukur takimin me surprizën e tyre. Pas disa minutash që u grumbulluan para bashkisë së Fierit, ata u nisën për në lokalin përkatës. Takimi u organizua në një mjedis të bollshëm të qytetit. Ndodheshin prezent ish-maturantët:

Nga Fieri; Evelina Prevazi, Liri Dhima, Pandeli Zaka, Nani Dhana, Vasil Kola, Sokrat Çullhaj, Todi Gjata, Kristaq Dhana, Jorgji Stefa, Ligor Prifti, Hekuran Lloshi, Kozma Lushnjari, Pali Janji, Selami Morina, Nikollaq Çala, Llambi Kushi, Loni Dhana e Skënder Pashaj.

Nga Vlora; Meshtane Hodaj, Merushe Malaj, Leonora Opingari, Fuat Kokalli, Çaush Brahushaj, Arjan Daupi, Petraq Pali, Lefter Diamanti, Ilirjan Selmani, Fuat Ibrahimi, Bejo Shanaj e Gani Mezini.

Nga Lushnja; Shire Caka, Isuf Liço, Bashkim Sulçe, Stavri Prifti, Llukan Çuko, Pilo Kuqi, Gori Muço, Kroni Rina e Kozma Bllamo.

Nga Durrësi; Andrea Dashi e Qani Krasniqi. Nga Tirana: Gjylfidane Hila, Osman Hysa, Kristaq Çuko e Kleanthi Goro.

Nga Mallakastra; Shkëlqim Hoxha. Nga Tepelena, Demir Zeka.

Hapja e takimit

Takimin e çeli ish-maturanti i të parës maturë, sot “Qytetar nderi”, Selami Morina, i cili pasi përshëndeti gjithë të ardhurit, propozoi që të mbahej një minutë heshtje në respekt të shokëve që kanë ndërruar jetë. Në një tavolinë ndodheshin disa tufa lulesh të freskëta ku spikaste emri e njërit prej maturantëve që ishte prezent në takimin e vjetshëm, Sulçe Çela. Pse të mos themi se ky është një motiv më tepër që maturantët të shikohen e të çmallen me njëri-tjetrin më shpesh. Në këtë mjedis të zgjedhur për akomodim, mësuesit tashmë në pension, jashtë procedurave klishe, vazhduan të çlirët aktivitetin argëtues mes tingujve melodiozë, me kujtime, tregime, barsaleta, këngë e valle të krahinave nga vijnë si dhe mbajtën fjalime e dolëm fotografi në kujtim të këtij takimi. Secili prej tyre solli kujtimet e paharruara të viteve të shkollës elitare, kohë kur droja dhe shkenca qendronin përballë sfidimit të njëra-tjetrës. Në biseda mes tyre, ata kujtuan me shumë respekt pedagogët e shkollës, të cilët kanë mbetur të pashlyer në kujtesën e tyre, sepse ishin metodistë model, u bënë e mbetën personalitete të pedagogjisë dhe shkencës, njerëz me dije e horizont, me kulturë perëndimore apo edhe lindore.

 

Kujtimi me shumë respekt i pedagogëve të shkollës

 

Të tillë ishin: Harilla Kuculi drejtor, Elmaz Alia, Telemak Xhaxho, Rahmi Memushaj, Enver Muhametaj, Dionis Cakalli, Agron Duro, Kozma Buzi, Nimet Balili, Zeko Braho, Kastriot Misja, Kristo Dhima, Xhevdet Kofina, Pelivan Minga, Koço Baldadori, Bubulina Arapi, Epaminonda Papakroni, Astrit Isaraj, Marika Bezhani,Vangjel Pici, …. Kapedani, Kristaq Suli, Pandeli Kordha, Ilo Toska, Fejzie Fisheku, Avni Gunbardhi,Vasil Tolja.Respekt e mirënjohje për të gjithë këta pedagogë që na kanë mësuar të bëhemi edukatorë të denjë për të shërbyer në çdo skaj të vendit.

Pedagogjikja e Vlorës ka nxjerrë mbi 1080 mësues, të cilët punuan me përkushtim në shkollat e emëruara duke mbuluar gjithë rrethet e vendit. Mjaft prej mësuesve kryen detyrën e drejtorit të shkollës ku u emëruan dhe e realizuan me nder detyrat e ngarkuara.

Zonja Meshtane Hodaj, e cila jeton në Athinë, sapo mori lajmin e takimit, u gëzua dhe kishte ardhur ndër të parat për të takuar e çmallur shokët e rinisë shkollore të viteve ’60. Morina, djali kosovar i cili ka përjetuar vuajtje në sistemin e kaluar, theksoi se pedagogjikasit e “Jani Mingës” kanë lënë gjurmë në arsimin e kombit, kudo që kanë punuar.

“Është kënaqësi që mblidhemi, sepse s’dihet si na e ka caktuar zoti, sot jemi, nesër s’jemi. Ky është i katërti takim që organizojmë, tha në fjalën e tij mësuesi dhe drejtuesi veteran Isuf Liço. -Asnjë shkollë e mesme si “Jani Minga” nuk e ka bërë këtë gjë. Kjo është merita e juaj që e ruajmë atë dashuri dhe respekt që kemi pasur në moshën e adoleshencës. Në veçanti dua të falënderoj shokët tanë që bënë lajmërimet: Stavër Prifti, Bashki Sulçe, Shire Caka, Kasapi. Ne u mblodhëm 19 veta në takimin e parë, 40 në 2017-n dhe në Vlorë më 2018-n u bëmë njëqind e ca. Ne do ta kemi të paharruar në zemrat tona Sulçe Çelën dhe të gjithë ata që kanë ndërruar jetë. Sot i dhamë jetë ditës dhe bëmë një organizim të përsosur. Rrofshi të gjithë ju! ”

“Origjina ime është Kosova, tha Selamiu. Përfshihemi në qytetin historik të Mitrovicës. Jemi larguar nga andej më 1912-n. Babai dhe gjyshi im morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 1912 si shoqërues të Isa Buletinit. Para 1925-s kemi ardhur edhe ne të tjerët pas babait dhe qëndruam në Shqipëri. Në fillim kemi ndenjur në Dibër, pastaj në Kavajë, në Fier. Babai im ka qënë me detyrën xhandar në kohën e Zogut. Shkollën e ka kryer në Stamboll. Në Fier kemi ndenjur te familja Boriçi, të mesmen e kam mbaruar në vitin 1960. Shkolla “Jani Minga” u hap në tetor 1956. Shkuam atë vit 80 veta dhe mbaruan 20 veta për mësues. Kishte kërkesa të rrepta për të fituar dije e shkencë. Vetëm një vajzë ka qënë në klasën tonë. Ka qënë fat për mua që e mbarova pedagogjiken e Vlorës. Pedagogjikja ishte në brendësi të shkollës “Ali Demi” dhe mësuesit e saj na jepnin mësim. Ishte një nga shkollat më të mira të vendit. Punova 6 vjet në arsim. Në 1966 jam pushuar nga arsimi për motive politike. Pastaj kam punuar si punëtor në ndërmarrjen e rrugëve. Në 1991 hyra në komitetin ekzekutiv pluralist në zyrën e organizimit. Në 1992 kam qënë sekretar i rrethit të Fierit, si përfaqësues i PD. Kam titullin “Qytetar nderi” i Pojanit, i Ndërnenasit dhe i Rroskovecit.”

Liri Dhima, Dilo: Kam mbaruar më 1964. Një shkollë e mrekullueshme me pedagogë të mrekullueshëm dhe me nxënës të shkëlqyer. U caktova mësuese në Peshtan, pastaj kalova në zonën e Cakranit ku edhe e mbylla karrierën si mësuese matematike.

Stavri Prifti: Jam nga Bubullima e Lushnjes. Që aty shkova nxënës në pedagogjiken e Vlorës. Bubullima ka nxjerrë shumë mësues. Ishim 12 veta që shkuam nga Lushnja. Ishim të drojtur, por na kanë dhënë një ndihmë të madhe profesorët e shkollës. Kujtoj me nostalgji drejtorin e shkollës, i cili ishte si prind i dytë për ne si dhe pedagogët tanë.

Fuat Kokallaj, nga Vlora, e solli mendimin e tij nëpërmjet një krijimi:

Moj pedagogjike e Vlorës

bij të ndritur edukove

Me dije të thella shkencore

Pasionin për punën na kove.

E gjithë ajo gjeneratë

Përfundoi shkollën e lartë

Kudo me pasion punuam

Breza të tërë edukuam…

Shire Kasapi, Caka: Isha 13 vjeçe kur fillova shkollën e mesme. Vija nga Karbunara e Lushnjes. Atëhere ishte shumë e vështirë që vajzat të vazhdonin shkollën, se i tillë ishte mentaliteti e nuk përmbysej kollaj. Unë, Liri Shkurti, Bajame Dërvishi, Liri Mali, Themia… gjetëm edhe shoqe të tjera. Fati e deshi që në të parën A të mblidheshim të gjitha vajzat në një klasë. Djemtë në pushimet rrinin te dera jonë për të shikuar vajzat. Kemi pasur shoqëri shumë të pastër djem e vajza. Kam shumë kujtime të bukura nga shkolla, por kurora e tyre është kujtimi që më ka lënë me shkrim me dorën e tij, shkrimtari i madh Xhevahir Spahiu. Kam qënë në një paralele me Xhevahirin. Xhevahiri ka qënë djalë shumë inteligjent, i zgjuar. Ai drejtonte rrethin letrar të shkollës. Që atëhere ai spikati si talent i shquar. Unë merrja pjesë në takimet letrare dhe mahnitesha nga vargjet e Xhevahirit. Ruaj si relike të çmuar një kujtim që ai ma ka lënë në fletoren time të kujtimeve. Po e lexoj: “Kujtimet shkollore janë të bukura. Ato janë si lule herbariumi që kurrë nuk e humbasin aromën e tyre, por gjithmonë janë të këndshme, të bukura, të ëmbla. Vitet do të rrjedhin njëri pas tjetrit, ne do të rritemi, por shpesh… shumë shpesh do t’i kujtojmë këto vite. Do t’i kthejmë sytë nga e kaluara dhe do t’i kujtojmë me mallëngjim e nostalgji këto vite të mrekullueshme shkollore. E si mund të shkulen nga kujtesa kujtimet shkollore, lulet më të bukura të kohës më të bukur. Këto kujtime do të shkëlqejnë si vegim në kujtesë, si perlë do të ngelen midis qindra kujtimeve të tjera. Këto kujtime s’kanë për t’u harruar, por do të ruhen si një buqetë lulesh në kujtesë…”

Nikollaq Cala: Pas 90-ës kam emigruar në Greqi. Nga mësuesi im i punës me dru përfitova shumë. Punën me dru e kisha shumë qejf dhe kjo më dha dorë në emigracion. U njoha me persona që merreshin me gdhëndjen e drurit në Tiranë dhe që atëhere punoj atje. Kam punuar në një studio ikonografike greke. Nuk më çuan në shkollën e lartë për pikturë dhe u detyrova të ikja në emigrim. Kemi realizuar 16 ikonostase bashkë me gdhëndësin e shquar Vladimir Golemi. Punën me dru e mësova në pedagogjiken e Vlorës.

Osman Hysa: Jam nga Tirana. Kam mbaruar pedagogjiken “Jani Minga”. Kam vazhduar studimet e larta për gjuhë e letërsi. Kam punuar mësues gjuhë letërsie në Tiranë. Gjatë gjithë kohës më ka pëlqyer letërsia. Kjo vjen nga mësuesit tanë të nderuar Vangjel Pici e Harilla Koculi që na ushqyen me ndjenjën e bukur të letërsisë. Kjo ndjenjë më ka ndjekur në të gjithë punën time si mësues. Fillimisht krijmtarinë e kam nisur me poezi në copa letre. Botova librin e parë “Lule nga Shëngjergji”, pastaj të tjerë romane e tregime etj.

Bashkim Sulçe: “Takimet na mbajnë gjallë me të kaluarën. Nuk do të themi më kush je? Ne kemi punuar në kohë të vështirë në diktaturë dhe një pjesë e kanë pësuar, po qofshin të shkuara e të harruara. Duhet të jemi krenarë me çfarë kemi punuar dhe për brezat që kemi edukuar. Bubullima mbahet si fshati që ka nxjerrë më shumë mësues. Kështu të mblidhemi përherë.”

Kristaq Cuko: Unë vij nga Krutja e Sipërme e Lushnjës. Shkova në pedagogjike 2 vjet, pasi mbarova klasën e 7. Më 30 shtator 1958 shkova në Vlorë. Takova drejtorin e asaj kohe Harilla Guxhuli. Më priti mirë dhe më çoi në klasën C. Isha me trup të madh dhe u ula në bankën e fundit. Pedagogu ishte i ri dhe më i shkurtër se unë. Kur më pa mua ky, kishte menduar se mos isha ndonjë inspektor dhe kur mbaroi ora e mësismit ai nuk po ikte, por po priste që të ngrihesha e të dilja unë. U ngrit një shok e i tha se unë isha nxënësi i ri i asaj klase. Kjo u përcoll me humor tërë kohën në shkollë.

Isuf Lico: Në vitin 1955 kam mbaruar 7-vjeçaren në shkollën model në Lushnjë. Isha nga Qerreti dhe shkoja në qytet për të vazhduar shkollën. Në 1957 më doli bursa për në shkollën pedagogjike “Jani Minga” të Vlorës. E mbarova me rezultate shumë të mira të mesmen dhe fillova mësues në Qerret, në shtator 1961. Pas tre vjetësh në Qerret, vajta drejtor shkolle në Kosovën e Madhe. Pas ushtrisë vazhdova universitetin dhe u emërova drejtor në shkollën e Gërmenjit, sepse dhe familjarisht u transferova nga Qerreti për në Divjakë.

Mestane Hodaj i jep kujtimet nëpërmjet një rënieje të ziles, zile që i ka shoqëruar tërë karrierën mësuesit.

Tingujt e kësaj zileje

larg janë dëgjuar.

Nxënësit në shkollë

Gjithmonë janë rreshtuar

Me përparset e zeza

dhe jakat e bardha

si pëllumba në ngjanin

që i kishim përpara.

Todi Gjata: Shkollën e kam filluar në moshën 15 vjeçare në vitet 1959-63. Vija që nga Verrija e Fierit. Pas shkollës vazhdova institutin 2-vjeçar të Shkodrës për gjuhë e letërsi. Fillova punë në vitin 1965 në fshatin Cakran të Fierit. Kam punuar drejtor shkolle në Kurjan dhe pastaj erdha në fshatin tim, në Verri si mësues. Punova 10 vjet këtu, pastaj shkova në Vajkan. Në vitin 2000 erdha në qytetin e Fierit. Prap shkova në Vërri dhe dola në pension në fund të vitit 2006.

Kozma Lushnjari u bënë homazh shokëve të larguar nga jeta me pak vargje:

Ju ish-maturantë që nuk jetoni

Nga ai gjumë nuk nuk zgjojmë do,t

Ndaj te varri ku pushoni

Çojmë lule, qirinj e lot.

Mësuesit janë shtresa më e ndërgjegjshme e shoqërisë, shtresa më më e varfër, por më e pasur nga shpirti, mesazhet e punës që bëjnë. Nuk mund të linim jashtë këtyre radhëve mësuesin invalid Hajri Rushanaj. Pas shkollës së mesme pedagogjike, ai kreu institutin e Tiranës “Aleksandër Xhuvani” dhe emërohet mësuses më Patos.

 

Rast i rrallë i mësuesit Hajri Rushanaj

Në një ekskursion me nxënësit i ndodh ajo që do ta linte të gjymtuar përgjithmonë. Një nxënës kishte gjetur një detonator dhe e mbante ndër duar duke i lëvizur telin e siguresës. Hajriu ia mori kapsollën menjëherë nxënësit, por më vonë fatkeqësisht kapsolla i plasi ndër duar, duke ia këputur gishtrinjtë e dorës dhe e la qorr për gjithë jetën. Por i shpëtoi jetën nxënësit. Ja, ky është mësuesi ynë. Por kanë kaluar 60 vjet që nga ajo kohë dhe asnjeri nuk u kujtua që ta vlrësonte mësues Hajriun për aktin heroik që kreu. Ndërsa janimingasit festonin përvjetorin e mbarimit të shkollës, Hajri Rushanaj përjetonte mbylljen në katër muret e shtëpisë. Për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen kolegut të tyre, një grup mësuesish nga Lushnja: Isuf Liço, Bashkim Sulçe, Shire Kasapi, Stavri Prifti, (dhe Gjylfidane Hila që rastisi mysafire te Shirja), i bënë një surprizë, një vizitë në shtëpi Hajriut. Ata u pritën nga bashkëshortja dhe vëllai i Hajriut. Hajriu u gëzua jashtë mase që shokët i erdhën në shtëpi. Kolegët vlerësuan aktin e guximshëm të mësuesit Hajri Rushanaj, por edhe të bashkëshortes Pranvera, e cila modestisht u shpreh se i ka shërbyer me korrektësi, jo vetëm burrit të gjymtuar, por edhe prindërve të tij. “Unë nuk e di se si e kanë fytyrën fëmijët e mi, u shpreh ai” Për gati 10 vjet Hajriu ka qenë kryetar i shoqatës së të verbërve të Fierit, por nuk lypi asnjë vlerësim. “Jam aq i gëzuar që më erdhët sa më duket sikur të më kishin ardhur drita e syve”, u shpreh i emocionuar Hajriu Kolegët kërkuan që institucionet nuk duhet ta kalojnë në heshtje këtë akt, por s’është asnjëherë vonë për ta vlerësuar.