Fiqiri Beheluli një jetë në shërbim të popullit dhe të Atdheut

1164
Duke shfletuar ditarin tim më sjell ndërmend kontributin që kam dhënë për arsimin dhe edukimin e brezave. Jam krenar që i kam shërbyer popullit dhe Atdheut tim për 37 vjet me radhë. Kudo që kam punuar si mësues në fshatrat e Qarkut të Elbasanit si në Selvijas, Zavalinë. Mamël, Vrap, Shënkollë, Vashaj dhe Gjocaj të Peqinit, kam gjetur tek ata njerëz të mrekullueshëm dashurinë, fisnikërinë dhe respektin për mësuesin, edukatorin e brezit të ri. Më kujtohen bukuritë natyrore të atyre fshatrave ku kam shërbyer si mësues, me kujtohet Zavalina e largët malore, me burime të shumta ujore bujarinë dhe mençurinë e tyre, më kujtohen zërat fëminor si cicërima zogjsh. Pasi mbarova ciklin e shkollës 7-vjeçare me rezultate të mira në qytetin e Peqinit m’u dha mundësia të ndjek një kurs dymujor në qytetin e Shkodrës për të marrë njohuri pedagogjike dhe metodike për format e mësimdhënies etj. Në Shtator të vitit 1952 u emërova mësues në fshatin Selvijas zona e Sulovës. Rrugën për në fshatin e Selvijas e bëja me këmbë rreth 5 orë duke kaluar nga Paprri, qytetit të Cërrikut, fshatit Gostimë, lumit Devoll dhe pasi kaloja edhe disa fshatra të tjerë mbërrija në Selvijas. Ishte një ditë gëzimi për mua, sepse oborri i Shkollës gumëzhinte nga zërat fëminorë. Pasi u njoha me jetën e fshatit, mënyrën e jetesën së familjeve fshatarë mësova se një pjesë e këtij fshati ishin analfabetë. Krahas punës mësimore dhe edukative në procesin mësimor, hapa një kurs kundër analfabetizmit, për çrrënjosjen e kësaj plage të vjetër të së kaluarës. Brenda një kohe të shkurtër kjo plagë e vjetër u shërua. Në shtator të vitit 1957 u emërova mësues në fshatin Shinkollë, një fshat malor në veri të Peqinit. Rruga nga Peqini deri në Shinkollë është e gjatë 12 km, rrugë malore. Udhëtimi bëhej me këmbë mbi 3 orë. Rruga kalon edhe sot përmes fshatit Progër, Kanaj dhe Garunjë e madhe. Ndërsa në vitin 1959 për nevoja kuadri arsimor u transferova në fshatin Zavalinë, zonë e shpatit të Elbasanit. Rruga nga Elbasani deri në Zavalinë është e gjatë 45 km. Nëse këtë rrugë do të udhëtosh në distancë 45 km, do të duhen 10 orë. Rruga kalonte përmes shkurreve dhe kafshëve të egra, sepse në atë kohë nuk ka pasur rrugë makine. Rruga kalonte përmes fshatrave Mlizë, Shelsan, Zleshan, Destilë, Gjinar dhe Pashtresh. Gjatë rrugës për në Zavalinën e largët më erdhi një frymëzim për këtë fshat malor.

O moj Zavalinë !
Mbuluar me trëndelinë !
Prite mësuesin erdhi !
Të të japë dituri.

Një malësor që kam takuar në Zavalinë është Kolë Halili. Ky me tha, se kishte qenë ushtar i Ramazan Canit në Peqin dhe kishte luftuar kundër serbëve. Në këtë qytet ishte plagosur në krahun e djathtë. Fshati Zavalinë më kaliti fizikisht, sepse është më i largëti fshat i Elbasanit dhe ndodhet në pozicion midis Librazhdit dhe Gramshit. Më kaliti se rrugën plot shkurre e bëja në këmbë Edhe pasi sot jam në moshën 83-vjeçare më ka bërë më të ri e më të fortë. Në qershor të vitit 1961 u largova nga ky fshat duke lënë kujtime më të mira për ata malësorë të çiltër e besnikë, njerëz të zgjuar dhe të mençur. Në vitin 1962 m’u dha e drejta të vazhdoj shkollën e punonjësve të arsimit në Tiranë siç quhej në atë kohë, ose ndryshe shkolla e mesme pedagogjike Në vitin 1964 u ndie përsëri nevoja që të shërbej në fshatin tim Mamël të zonës së Krrabës, fshat malor që kufizohet me fshatrat e Tiranës. Në këta fshat gjeta bujarinë dhe mikpritjen prindër e nxënës arsimdashës. Me këta banorë të urtë dhe të sjellshëm, mendova që të ngre disa grupe teatrale në disa fshatra të kësaj zone, për argëtimin e banorëve në lidhje me zakonet prapanikeve që pengonin zhvillimin e fshatit. Në vitin 1967 u transferova në fshatin Vrap dikur fshat i Peqinit, sot është pjesë e fshatrave të Tiranës. Vrapi është një fshat i bukur me lloje të ndryshme pemësh, midis së cilës rritet pema e qershisë. Banorët e këtij fshati janë mikpritës dhe të besës. Nga Peqini për në fshatin Vrap rruga është e gjatë 14 km, rrugë malore. Për të ecur 14 km në këtë rrugë do të duhen afërsisht 4 orë. Përmes këtij fshatit kalon një rrugë e degës “Egnatia”. Kjo degë e Egnatias është ndërtuar për qëllime tregtare. Në këtë fshat shërbeva një vit si mësues. Nxënësit e mi sot janë kuadro, biznesmenë në Vrap e kudo. Në shtator të vitit 1968 u transferova në fshatin Vashaj të qytetit Peqin që bën pjesë në zonën e Darësise. Në këtë fshat shërbeva 8 vjet me radhë. Përveç punës mësimore edukative që zhvilloja në shkollë, kryeja edhe aktivitete të tjera në drejtim të punës për një jetë të re në fshat. Ç’do mëngjes organizoja lexime gazetash me kooperativistët e këtij fshati. Me të rinjtë e fshatit organizoja recensione librash. Dy herë ne javë zhvilloja mësim, shkollë nate me grupe njerëzish që ende nuk e kishin mbaruar shkollën e mesme. Kam nxjerrë kuadro me profil bujqësor, që i shërbenin kooperativës. Shkolla mbaronte në orën 9 të mbrëmjes. Pengesë kisha edhe lumin Shkumbin. Në vitin 1973 u shemb edhe ura pasarelë. Unë shpeshherë kaloja Shkumbinin në mes të dimrit. Nxënësit e mi si Ismail Salliu, Refik Salliu, Bedrije Guna etj, kanë mbaruar shkollat e larta dhe sot punojnë kudo në Shqipëri. Në vitin 1975 u transferova në fshatin Gjocaj edhe ky fshat bën pjesë në zonën e Darësisë. Në këtë fshat shërbeva 7 vjet. Krahas punës që bëja me nxënësit e ditës zhvilloja mësim edhe me nxënësit e shkollës së natës. Tërë ditën në aktivitet, punë me nxënësit dhe me fshatin. Edhe nxënësit e mi të këtij fshatit si Zenel Deja, i cili është Drejtor i Shëndetit Publik në Peqin. Kthehem pranë familjes i lodhur, i këputur. Së fundi, në vitin 1982 komisari i Dritës kthehet në vendlindjen e tij, në Peqin. Për 7 vjet shërbeva në shkollën “Adem Bedalli” të këtij qyteti. Si në shkollën e Gjocajt, ashtu edhe në atë të Peqinit kemi pasur një kolektiv të mirë mësuesish… Në shkollën “Adem Bedalli” ku unë zhvilloja kam nxjerrë kuadro të larta si Gazmend Vogli gazetar, Alketa Ajazi mjeke, Alketa Sejdini farmaciste në Peqin etj. Në këtë qytet shërbeva si mësues 7-vjet me radhë. Gjatë kohës që shërbeva në këtë shkollë kam mbledhur 2400 fjalë të rralla që nuk i ka fjalori, këto fjalë i kam dërguar në Institutin e Gjuhës dhe i Letërsisë në Tiranë. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kam mbledhur edhe shprehje frazeologji të qytetit e të fshatit. Në vitin 1978 u diplomova për gjuhë – letërsi ne fakultetin “Aleksandër Xhuvani” ne Elbasan. Gjatë periudhe 37- vjeçare që kam shërbyer në arsim kam udhëtuar gjithsej 246. 120 km rrugë malore dhe fushore. Makinë nuk kam makinë kam pasur vetëm këmbët. Në kushtet e sotme mirëqenia e mësuesve është rritur. Këmbët janë zëvendësuar me makina luksoze me autobusë të rinj. Nuk dua të dëgjoj ata mësues që shprehen duke thënë se ashtu ishte koha. Edha makina do të shkatërrohej nëse do te përshkonte 246,120 km rrugë. Unë jam njeri me shpirt, njeri i gjallë dhe jo vegël, kam punuar një jetë të tërë në arsim. Te reflektojmë institucionet që të kthejnë pak sytë nga mësuesi veteran, nga komisari i Dibrës komisari i Dritës është gjallë ne moshën 83-vjeç. I drejtohem nxënësve të mi të dashur kudo që janë do kenë respekt dhe mirënjohje për këtë ditë te bukur plot diell të 7 marsit. 

Përgatiti për botim
Gazmend Vogli
Sigal