Enver Cakaj: Ku e ka reanimacionin kardiologjia e QSUT?

1119
Sigal

                                                

Mbase e kam gabim,por pata menduar, se
reanimacion është quajtur një pjesë të veçantë të spitalit, ku i bëhej parapritë
vdekjes. Më saktë atje ishte stacioni i dundit i jetës. Ishte më shumë se
hermetik. Unë që shkruaj këto radhë i kam provuar qëndrimet në reanimacion, brenda
e jashtë vendit. Nuk dua ta përmend më atë shifrën e famshme të  qëndrimit tim nëpër spitale, se është e
frikshme. Por si njohës i këtij sektori dua të shpreh disa konsiderata. Veç të
sëmurëve rëndë dhe personelit mjekësor në reanimacion  nuk ka njeri punë.Informatatat për familjarët
i japin punonjësit e shërbimit. Është e vërtetë që tek ne është krijuar një
traditë,që po nuk i vajte mikut e shokut kur është sëmurë, krijohen qejfmbetje.
Mirëpo ne harrojmë atë më kryesoren, jetën e të sëmurit. Përse e shpjemë të sëmurin
në spital, kur ka probleme me shëndetin? Sepse nuk kemi mundësi ta ndihmojmë. Atëherë
le ta lëmë mjekun të merret me të sëmurin, sepse duke dashur të vemë vend e pa
vend tek ai, i krijojmë shqetësime, madje dhe i rrezikojmë jetën. Mirëpo
mjekimi fillon që tek disiplina. Mjekët kanë mbi supe një barrë tepër të rëndë.
Peshë që nuk mund ta mbajë çdokush. Marrin përsipër jetën e njerëzve. Po të
ishte vetëm kaq, nuk do të merrnim mundimin për të shkruar, sepse në fund të
fundit atë detyrë kanë marrë përsipër. Por, fatkeqësisht,  ata mbajnë edhe një peshë tjetër mbi supe, të
cilën ua krijojmë ne, që vetquhemi kujdestarë të të sëmurëve tanë. Po e them që
në filim, mjekët e reanimacionit në QSU-në e Tiranës, më shumë merren me
familjarët e pabindur, se më të sëmurët rëndë. Disa të pashpirt arrinin deri
atje sa të fyenin mjekët dhe të thyenin dhe xhamet e dyerve për t’u krijuar
probleme mjekëve. Nuk kam parë, jo reanimacion, po as pavion spitali të mbushur
me kaq shumë familjarë. Plus kësaj mjekët mbanin mbi supe dhe mungesën e rrugës
për të vajtur tek i sëmuri, sepse korridori ishte i tejmbushur me të shtruar. Administrata
e shëndetësisë nuk i përgjigjej dot gatishmërisë së mjekëve, që,me plot gojën, do
t’i quaja heronj të pashpallur. Në kardiologji, ku qetësia duhet të jetë
apsolute, i ngjante një pazari të keq. Të paktën në reanimacion, të sëmurët nuk
e kishin qetësinë as ditën as natën. Por mjekët heronj të vërtetë, ishin mësuar
me këto ngarkesa dhe ishin të gatshëm në çdo kohë. Unë aty kam parë, që të sëmurët
e ardhur pa ndjenja, ringjalleshin në çast nga puna e kujdesshme e mjekëve. Në
mes të natës mjaftonte një thirrje: “Mjeku!” dhe i gjithë ekipi me apartatura e
mjekime në duar ndodheshin atje. Pas kësaj pushonin thirrjet e familjarëve, por
dera trokiste pa pushim. Ne nuk e morëm vesh a kishte korridor reanimacioni, sepse
i gjithë ishte mbushur me shtretër të sëmurësh. Ne u ngopëm me lotët e familjarëve
dhe djersën e mjekëve. E kësaj djerse nuk 
po i përgjigjet ende Ministria e Shëndetësisë. Ai reanimacion ka përballuar
të sëmurët e shumë viteve të shkuara, kurse 
tani, nuk e di përse nuk u vjen keq për ata mjekë që robëtohen e nuk kanë
mundësi të kryejnë detyrën e tyre, por dhe të sëmurëve, që nuk gjejnë dot një
minutë qetësi. Dhe të mos harrojmë, ai është reanimacioni i kardiologjisë, ku
trajtohen të sëmurët me zemër. Pamë që Ministri i shëndetësisë bëri një vizitë
natën në reanimacion, po kjo është tepër e vonuar. Reanimacioni i kardiologjisë
nuk mund të bëhet brenda ditës. Problemeve të mprehta të shëndetësisë u duhet
paraprirë. Ministria e Shëndetësisë për atë punë është. Profilaksia ka qenë
gjithmonë themeli i punës së mjekësisë. Unë nuk them që spitali të ketë natën
një kujdestare, që kujdesej për të sëmurët mos zbuloheshin, as të ketë berber
si dikur. Por është gjynah t’i lësh këta mjekë që të mbajnë mbi  supe pesha që u takojnë të tjerëve. Nuk ka
pse përfitohet nga pasioni i tyre për të qenë në roje të jetës. Po të isha unë
mjek, do ta braktisja detyrën e do t’i ftoja të sëmurët të vinin t’u shërbeja në
shtëpi pa asnjë shpërblim.

      Eshtë gjë e mirë, që shkencën mjekësore e
kanë marrë në dorë të rinjtë. Veç shefit të pavijonit,  Artan Gode, që ishte më i moshuar, nuk më zuri
syri asnjë nga ata mjekë të dëgjuar të dikurshëm. Djem  e vajza të reja  kanë studjuar brenda e jashtë vendit dhe janë
zotër të profileve të tyre. Kur shikon veprimet e mjekëve Naltin Shuka,B esjana
Prendi, Alma Beleri, Astrit Ceka, Jona Mustafaj, Meriton Çiçerka, Joana Siti, Arkel
Duka, me atë qetësi e profesionalizëm, të vjen mirë, që janë bërë zotër të
shkencës. Por kur ka ngutësira, të cilat nuk mungojnë asnjë minutë, tok me mjekët
veprojnë edhe infermieret e shkathta, Klodi Kraja, Jonida Maraj, Selvi Çekrezi,
Fitore Ahmati, Ardit Osmanaj, Nafije Totraku. Në alarmet e përhershme të
Reanimacionit, nuk e merr vesh kush është mjek e kush infermier, se të gjithë i
gjen në frontin e vështirë për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Më bëri përshtypje
fakti, që mjeku Aurel Demiraj, i specializuar në Tunizi, sa u kthye pesë-gjashtë
vite më parë e lanë pa punë me preteksin qesharak,se “Je shumë i kualifikuar!” Ishte
koha kur vendet e punës ziheshin me bryla dhe urdhër partie.Tani që ky brez
mjekësh të rinj, kanë etje për punë, u mungojnë kushtet e punës e ka rrezik të
plaken para kohe. Më e çuditshmja ishte, sepse jashtë spitalit flitet për
korrupsion në mjekësi. Unë nuk e mohoj këtë fakt, sepse ka ekzistuar dhe mund të
vazhdojë në mjedise të tjera, si portieret e policët, që nuk të futin brenda pa
marrë një dyqind lekësh, por dhe kjo me shumë marifet. Por në kardiologji, sidomos
në reanimacion, nuk dëgjova e pashë të flitej për lekë. Unë e dija që mjekët e
kanë frikë median, por  nuk u shfaqa si i
tillë. Atë ditë që u largova nga spitali u dhurova nga një libër në shënjë
respekti, madje u bëra dhe ndonjë provokim, por fjalët e tyre ishin të prera. Si
skraparas, që nuk rrimë pa raki kudo që të vemë, i zgjata gotën një mjeku, por
ai më tha:” Unë pi një gotë vetëm ditën e shtunë në shtëpi dhe ato që më duhen
i plotësoj me të ardhurat e mia, po të këshilloj edhe ty, të mos e praktikosh.”

         Në kardiologji ndeshesh me elementë të
shërbimit mjekësor evropian. Këtu ka punë, jo muhabete. Nuk ta lënë më agen në
krah si dikur, se i ka ardhur i fejuari. Këta punonjës janë fejuar me punën, me
kujdesin ndaj të sëmurëve. Nuk e dallon dot kush është vajzë e kush nuse. Nuk
ka djem të kollarisur, por të thjeshtë, që bëjnë siç duhet punën. Këtu nuk ka
stolira, stolia e vetme për personelin është puna.Të gjithë me rroba pune përballojnë
ato alarme të përhershme. Nuk janë si alarmet imagjinare të ushtrisë, por
alarme të vërteta, që  kanë një armik
real, sëmundjen. Komunikimi me  të sëmurët
i bën që të njohin më parë të sëmurët, që të luftojnë sëmundjen. Se i sëmuri
duhet të përgatitet për mjekim. Këtij personeli kaq aktiv, i shkon përshtat kjo
thënie e afishuar në korridorin e katit të parë: “Mjeku duhet t’i japë kënaqësi
të sëmurit të tij, ta bëjë atë të ndihet i qetë dhe i gëzuar, ta sjellë atë në
ngazëllim.” Por të vjen keq, që gjen edhe element të nivelit të ulët, që përpiqen
ta prishin imazhin e kësaj punë titanike. Shërbimi mjekësor në kardiologji, ku
e provova vetë, është falas, por ka ca defekte të vogla, që prishin punë. Para
se të bësh koronografinë duhet të firmosësh një deklaratë, që mua mu’u duk si
deklaratë vdekjeje. Pra i sëmuri duhet të firmosë me dorën e tij vdekjen. Natyrisht
mjekësia ka rregullat e saj, por ajo deklaratë me tri faqe, është formuluar
keq. Atje përmendet, se gjatë ndërhyrjes mund të gjesh vdekjen. Kur e lexon i sëmuri
këtë, ku vdekja përmendet disa  herë ose
duhet të vdesë duke e lexuar ose duhet të 
kundërshtojë  koronografinë. Fjala
vdekje mund të zëvendësohet me ndonjë fjalë tjetër, se gjuha jonë ka plot të
tilla. Punonjës të nivelit të ulët, harrojnë që janë në punë shteti dhe kur
ndokush ka nevojë për ujë të ngrohtë, përgjigjen harbutshe ,sepse u mungon
kultura shëndetësore: “Po të duash ujë, merr petrogaz nga shtëpia!” Fatmirësisht
janë të rralla. Spitali ka dush, që qëndron 
i kyçur, çelësin e të cilit e mbajnë sanitaret. Kuptohet, pas atij kyçi
diç luan.Të sëmurët e kardiologjisë, sidomos ata të reanimacionit, nuk kanë
mundësi të kryejnë nevojat e tyre në tualet, por është për të ardhur keq, që
spitali nuk kishte uturak, por familjarët prisnin më dysh bidonat plastikë dhe i
përdornin si të tillë. Nga ana tjetër, pas bërjes së koronografisë, mbi vendin
e hapur duhet të vihej një peshë e rëndë, për të cilat ka disa qese me rërë,
porsi duket qenka mbaruar rëra e lumit Erzen. U duhet familjarëve të qëndrojnë
katër orë në këmbë për  të zëvendësuar atë
peshë me mjetet  e tyre. Kjo është  detyrë e administratës,e cila mbase i quan
vogëlsira, por që janë të domosdoshme dhe mungesa e tyre prish imazhin e këtij
shërbimi. Është gjynah t’u prishësh punën këtyre heronjve të pashpallur. Në  rrethet e gjera shoqërore qarkullon mendimi, se  “Zoti bën mrekullira”, kur operacionet dalin
me sukses dhe u rikthehet jeta njerëzve, por në këtë spital mrekullirat i bëjnë
mjekët. Zoti le të bëjë punën e tij atje ku është, nëse ekziston dhe s’ka pse
merr meritat e të tjerëve.