Enver Cakaj: Aty ku kënga ia thoshte vendçe

821
 
    
 Kanë kënduar dhe i kanë kënduar,kanë vlerësuar dhe i kanë vlerësuar. Me bilbilat e pyllit nuk kanë konkurruar,po kanë kënduar për hesapin e tyre. Edhe kur uria i grinte ata e kanë shuar me këngë. Bënë si bënë,po këngën nuk e lanë në rrugë. As kënga nuk i la Skraparasit. E ngjizi Xhevahir Strora dhe e mbolli në të gjithë Skraparin. Strorallinjtë mbajtën flamurin deri vonë, kur edhe Skrapari uli flamurin gjysmë shtize! Ia vodhën, ia sakatuan apo ua shuan këngën këtij rrethi. Ia shkretuan, po nuk vajtuan. Belul Hyskua, Ceke Koçi, Kadri Hysko, Harif Hysko, Alo Hysko…i tërë fshati Strorë e ruajti bërthamën e këngës dhe valles. Pastaj e ndezi ustai i këngës,  Demir Zykua e Hysnie Ago në Tomorricë e Medi Kushe në Potom. Kënga bredhëroi e u ngjit deri në Backë. A e keni dëgjuar këngën e vajzave të Kollit të Sipërm, “Të keqen moj baltë e kuqe?” Vriteni pak mendjen për të kuptuar brendinë e saj. Këngët e Skraparit kanë brenda një mal me halle, një mal me krisma pushke, një det me gjak e dhimbje. Hekuran Zhiti na la tekstet:
                                                             Nga çdo vend trimat po venë,
                                                             Mahmuti dërgoi Hysenë.
                                                             Që i foli nja dy fjalë:
                                                            -Dëgjo Hysen,bir, o djalë,
                                                             Po s’qe Kongresi i qetë,
                                                             Më ço një letër përpjetë.
                                                             Kështu puna po ta dojë,
                                                             Kongresit t’i bëhem roje.
 
Që atëherë, në Kongresin e Lushnjës, ligjëruan skraparasit me këngë. Kënga e tyre nuk kishte plumba, po të vriste. Kur ishte fjala për vatanin, nuk bëheshin dy fjalë bashkë me skraparasit. Atyre u këndonte pushka,që rripi i saj ua kishte bërë supet plagë. Edhe kuja e nënave gjithara ishte këngë që vriste. Brenda saj kishte urrejtje, mallkime dhe dhimbje. Djemtë që kërkonin lirinë i syrgjynosnin burgjeve:
                                                         Kur dola nga burgu Fierit,
                                                         Nga hallkat, çastet e tmerrit,
                                                         Ku i hoqa mjaft tortura
                                                         Se rrugën e Rizait zura.
                                                         Për Cerovën, trim me fletë,
                                                         Jepja kokën, s’doja jetë.    
                                                 
      ÇAPRAZET E KËNGËS
         Skraparasit e kanë ngarë këngën vit pas viti. Ajo ishte prona e vetme,që s’mund t’ua grabiste askush.Me atë harronin hallet,me atë ngushëlloheshin. Edhe kur grykat e maleve gjëmonin,ata e bashkonin zërin e tyre me krismat. Dhe krijohej një melodi,që u shkonte maleve. Në beteja ata luftonin me dy pushkë të fuqishme. Kënga hidhte në sulm batalione të tërë.
                                                         O Skrapar i trimave,
                                                         Asnjë çikë s’lëshove pe,
                                                         Se s’të rrihej pa Atdhe!
                                             
                      Tefta Kondo                                                                           Neta Doko
        
Demir Zykua u bë flamur, që flakëroi tej e tej Skraparit. Po këngën nuk e mbajti për vete. Ajo u bë pronë e të gjithëve. A keni dëgjuar për Agim Carkanjin nga Gjerbësi? Ai i ndenji pranë dhe heshturazi ia grabiti oi,oi-në Demir Zykos. Edhe Neshat Hebibasi iu qas dhe arriti t’ia priste këngën. Dhe një ditë ata u bënë ortakë në këngë .Zëri i tyre i kaloi kufijtë e rrethit. Janaq Mici, atje tutje, në Kolonjë e nuhati këngën e Demirit dhe ia lezetosi me një përpunim të shkëlqyer. Dhe krye këngëtari i Tomoricës i dërgoi fjalë kur e dëgjoi: “Zërin e paske për këngë.”  Demiri e shëtiti këngën në të gjithë Shqipërinë,ashtu siç e shëtiti ajo. Në atë kohë pati edhe ziliqarë. Nga Saranda vjen një letër për t’ia ndaluar këngën xha Demirit për arsye politike! Dhe bandillët e udhëheqjes e urdhërojnë, që ta ndërpresë këngën!!! Po kush ishte ai burrë që guxonte të ndalte zërin kumbues të Demir Zykos, që ishte bërë i ati i këngës?  Demiri ishte nip e dajo vetëm tek kënga. Kënga i kishte dhënë vlerësimin më të lartë, ”Artist i Popullit”. Përse u bë i tillë? Ai ishte i  vetmi që diti të gjente shtratin e këngës skraparase. E bëri atëherë kur kishin nisur ta deformonin. Edhe tekstet i shkonin këngës:
                                                        O Skrapar mali me lule,
                                                        Kokën kurrë nuk e ule.
                                                        Ti në gjunjë nuk re kurrë,
                                                        Veç kur puthesh me flamurë! 
                          
A bashkëjeton kënga me turpin? Nëse këto i janë vërsulur njeriut, skraparasit e kanë mbuluar me këngë. Se vdekjen dhe turpin e kanë konsideruar të barabartë. Vërtet skraparasit janë njerëz të ndjeshëm e të dëgjuar, po kanë dëgjuar ata që flasin, jo ata që lejnë. Ata të respektojnë, po nëse tenton t’u prishësh këngën, zënë e shikojnë nga fundi i shtëpisë. Këngën e kanë pasur  gjithmonë si flladi i freskët i maleve të tyre. Nga thellësitë e shkrepave, kënga e tyre del më e fuqishme:
                                                                         O vendi që na ke rritur,
                                                                         Shkrove histori të ndritur.
                                                                         Gjithë malet që të rrethojnë,
                                                                         Për lapidare s’të mjaftojnë.
                                                        KUR BREDHËRON KËNGA
Kënga e Demir Zykos kishte në vetvete një farë elite, që u hodh dhe mbiu e shëndetshme në të gjithë Skraparin. Leonora Gjoni dhe Portokalle Zyka e ngjitën këngën deri në Çukën e Frëngut. Kënga u bë pronë e të gjithëve. Rruhije Hysko, Natasha Çeço, Nasipe Shurdhi, Hekuran Molla, Asllan Ibro, Diana Ymeri, Përparim Shimi, Nazime Gjineci…e mbollën këngën në të gjithë Skraparin. Kur shikoje grupet e këngëve të dukej sikur kishin mbaruar Akademinë e Arteve. Kush e dëgjoi këngën  “Trëndafil të porosita” të kënduar shpirtërisht nga Afërdita Ibro dhe nuk  u befasua? Po djemtë e Haziz Dajës në Plirës të Poliçanit, a mund të harrohen? E kishin kthyer fshatin dhe shtëpinë në një institucion kulturor.
         Por erdhi një ditë, që u quajt demokraci dhe i shoi të gjitha institucionet e këngës. Kënga u godit rëndë, po nuk u shua. Skraparasit e ruajtën si ato nënat që ruanin zhaken e miellit në sepetet e nusërisë gjatë luftës. Demir Zykua e Medi Kushe ikën, por këngën e lanë pas. E morën djemtë dhe e mbajtën brenda shpirtit të tyre të trazuar. Kujt i bënte zemra të këndonte në atë anarshi, kur edhe varrezat e dëshmorëve rrethoheshin me policë që të mos vinin për vizitë në 29-nëntor! Disa këndonin me zë të ulët, të tjerët këndonin së brendëshmi.
                                                            Në Skraparin gaz e nur,
                                                            Edhe lulja mbin mbi gur. 
                         
 Përse  e ndërpreu bredhërimin kënga në Skrapar? U lodh, iu ngjir zëri apo  e sakatuan? Ajo u shkreh si të mos kishte ekzistuar kurrë. Për grupe këngëtarësh s’flitej më. Këndonte ndonjë nostalgjik, po dhe ai për hesap të tij. Fshati i këngës, Strora, s’pipëtinte gjëkundi. Po me këngën ç’patën, xhanëm? Nuk mbeti kostum popullor gjëkundi. Edhe ato u vrisnin sytë dritëshkurtërve. Të parën dogjën bibliotekën dhe shkatërruar shtëpinë e kulturës. Këngë për Skraparin ishin zhurmat e lumit Osum, që nuk mundën ta prishnin dot. As fyelli i Sybi Ferrollarit nga Zhepa, që konkurronte me zërin e Demir Zykos, s’u ndje më. Kënga në Skrapar pushon vetëm kur ka vdekje. Atëherë kush kishte vdekur? Kishin vdekur mendjet e fukarepsura. Kësaj krahine, që u tregoi shqiptarëve se si fitohet liria,u ndesh me një bllokadë totale. Asnjë investim, asnjë sy të hedhur nga këto anë. Skrapari ka humbur shumë gjëra të bukura, po jo shpresën. Ajo e ka mbajtur gjallë në shekuj. Kënga:
                                                        Të mbetën vetëm ca male
                                                        Dhe burimet  e kulluar,
                                                        Bukuria natyrale 
                                                        Mbeti për t’u ngushëlluar,
që i shkon asaj kohe, mbase do ta ndryshojë këtë tekst dhe kënga do ta gjejë sërish udhën e saj. Po kënga nuk vdes sa të  ketë njerëz në këto vise. E morën djemuria atje ku kishte ngecur dhe e bënë zonjë të vendit. Nuk ka ato përmasa që kishte dikur, po të paktën në Skrapar këndohet edhe shtetërisht edhe privatisht. Kush mendonte, që në atë braktisje të pashpresë edhe Skrapari do të kishte një grup këngësh,që konkurron në të gjitha veprimtaritë kombëtarë dhe të vlerësohet me çmime? Kënga ka marrë udhë. Nuk besoj ta ndalë më  kush vrapin e saj. Kishin kohë pa përmendur atë urimin pas këngës: “U këndoftë zemra!”        
          
Sigal