Dosja e tradhtisë së Esat Pashë Toptanit

6269
Sigal

-Pse dhe 
si u emrua Esat Pashë Toptani – Ministër i Punëve të Brendshme në
qeverinë e Vlorës?

– Si u
vu Esat Pashë Toptanit në shërbim të armiqve të Shqipërisë

– Kush e vrau Hasan Riza Pashën dhe në
ç’rrethana iu dorëzua Shkodra ushtrisë malazeze nga Esat Pashë Toptani?

– Pse “Pleqësia…” e Toptanit ishte kundër
Ismail Qemalit?

– Si u bë Esat Toptani me dy poste ministrore
në qeverinë e Vidit?

– Esat Pashë Toptani: “unë jam njeriu i
Mbretërisë serbe…“

– Përpjekjet e Serbisë për ta minuar Princ
Vidin përmes agjentëve të sojit Esat Pashë Toptani

– Si u takua Esat Pasha me Nikolla Pashiqin në
shtator 1914 në Nish?

– Marrëveshja Nikolla Pashiq – Esat Pashë
Toptani;

– Kthimi i Esat Pashë Toptanit në Shqipëri (
shtator 1914);

– Si u ndihmua Esat Pasha nga qeveria e
Serbisë?

– Si e ripushtoi Serbia, Shqipërinë e Mesme,
për ta shpëtuar Esat Pashën nga rrethimi shtatë mujor  në Durrës?

 

Hilë Lushaku

 

Esad
Pasha, u lind më 13 qershor 1863, në Tiranë, në një familje të vjetër dhe të
pasur çifligare tiranase. Ai ishte i biri i Ali bej Toptanit, pinjoll i
banorëve të parë të Tiranës. Në historikun e kryeqytetit fisi Toptanëve zë një
vend të konsiderueshëm, si protagonistë të përpjekjeve për zotërimin e qytetit
që po krijohej. Esadi është shkolluar në Turqi, ku mbaroi edhe Akademinë
Ushtarake të Stambollit. Që në fëmijëri, Esadi dallohej për karakterin e tij të
mbrapshtë dhe gjaknxehtë. Vëllai i tij i madh (ka pasur një vëlla të quajtur
Gani, i cili ishte katër vjet më i madh) ishte jo më pak i tillë dhe babai,
Aliu, ishte viktima e parë e egërsisë së tyre njerëzore. Flitet se një ditë ata
e mbuluan të atin (ky ka qenë me probleme mendore) me një rrogoz të lagur me
naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin. Sapo mbaroi shkollën, ushtaraku
karrierës Esad Toptani, u emërua funksionar në ushtrinë osmane, ku shërbeu me
zell të madh. Me këtë vrull të zjarrtë, duke punuar me përkushtim ai fitoi
shpejt disa grada ushtarake deri edhe gjeneral. Esadi është rritur në Tiranë,
ku zgjeroi rrethin e ndikimit të tij, i cili i dha mundësi të çlirohej nga
rivaliteti që kishte me familjen Jella dhe të shtonte pasurinë me mjete e
mënyra të paligjshme. Pasi gjeti mundësinë për t’u vënë me dëshirë në shërbim
të Hafiz pashës, guvernator i Durrësit (i cili nuk duhet ngatërruar me
homonimin e tij, vrasësin e Ganiut), ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës,
post që i lejonte të kryente veprime të paligjshme.

 

Komandant i xhandarmërisë së
Janinës

Rreth
vitit 1895, Esadi u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës,
gjë që i kushtoi atij 1500 lira turke, të cilat ia pagoi mareshalit Dervish
pasha. Edhe në Janinë ai nuk harroi të bënte atë që në Tiranë e kishte bërë në
mënyrë të paligjshme. Tashmë, i veshur me pushtet më madhor, ai veproi hapur
dhe në mënyrë zyrtare për të shtuar pasurinë e tij, duke pasur edhe mbështetjen
e Dervish pashës, i cili ishte në atë kohë i plotfuqishëm në Stamboll. Po
kështu, ai shfrytëzoi edhe faktin që vëllai, Ganiu, ishte favoriti i Sulltanit
dhe Esadi mund t’i lejonte vetes, pa u ndëshkuar, gjithçka, megjithëse ky post
ishte sa fitimprurës aq edhe i rrezikshëm. Ai përuroi në Janinë epokën e
përdorimit të bandave të cubave që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i
futi përsëri në punë, pasi mori prej secilit 25 lira turke. Gjatë luftës
Greko-Turke, të vitit 1897, ai komandoi regjimentin shqiptar që luftonte në
frontin e Janinës. Kundërshtarët e tij e akuzojnë se kur qe me shërbim në këtë
rajon grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi
mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman pashës, i dha një hov
më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori ryshfete madje edhe
prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i
kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të
drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Mit’hat Frashëri ka shkruar
se “Ai arriti të grabiste manastirin e Peshtanit (rrethi i Përmetit) dhe disa
klerikë si: baba Ahmeti, kryedervishi i Teqesë së Kostanit (900 lira turke);
baba Abedini, dervishi Teqesë së Frashërit (640 lira); vëllezërit Xhelal dhe
Mehmet bej Këlcyra (1200 lira); Abaz bej Vasiari (200 lira)”. Sido që është
akuzuar, sulltanati, duke vlerësuar meritat e tij në mbrojtjen e zotërimeve
turke dhe pushtetit të tyre, e caktoi me shërbim në Kosovë, në detyrën e
komandantit të trupave të xhandarmërisë, ku u shqua për kontributin e tij në
çarmatosjen e kosovarëve dhe shtypjen me dhunë të lëvizjes për çështjen
kombëtare shqiptare. Pas vrasjes së vëllait të tij Ganiut (Gani beu gjeti vdekjen
një mbrëmje në Pera, nga dora e një personi të quajtur Hafiz pasha, vrasje e
cila mbeti e pandëshkuar), Esadi, duke menduar se rrezikohej, dërgoi në
Kostandinopojë shërbëtorin e tij të quajtur Haxhi Mustafa (ka të dhëna se ky ka
qenë kushëri i Mustafa Krujës), nga Kruja, i cili vrau Xhavit beun, në mes të
urës së Gallatës. Vrasësi u arrestua, u gjykua dhe u burgos, por u trajtua me
shumë butësi dhe pak kohë më vonë u lirua dhe u caktua roje në Ministrinë e
Drejtësisë. Esadi, edhe pse i njohur nga të gjithë si autori i vërtetë i
vrasjes, nuk u keqtrajtua aspak. Kur marrëdhëniet e tij me qeverinë e
përgjithshme të Janinës, të kryesuar nga Tatar Osman pasha, u tendosën për
shkak të një skandali që ndodhi ndërmjet tyre, Esadi u transferua në Shkodër,
në detyrë paralele, si shef i xhandarmërisë. Pikërisht në këtë periudhë nis me
të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës, sepse, duke persekutuar njerëzit e
ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e
përfitimeve të paligjshme që mund të siguronin këta të fundit. Kjo ishte mënyra
e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.

 

Më 10 dhjetor të vitit 1908, ashtu sikurse Ismail Qemali,
Hasan Prishtina, Nexhip

 

Draga, Rexhep pashë
Mati, e shumë shqiptarë të tjerë (ka të dhëna se kanë qenë mbi 30) edhe Esad
Toptani ka qenë zgjedhur deputet në Parlamentin e parë të Turqisë. Ndryshimi i
regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esadin në postin e tij, në Shkodër, dhe
me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së
tij të administrimit, por ai nuk mund të kishte marrëdhënie të mira me personat
e regjimit të ri dhe duhej në mënyrë të padiskutueshme të shmangej. Ishte fakt
i pamohueshëm se Esadit nuk i mungonte aspak shkathtësia për t’u përshtatur.
Menjëherë, pas kësaj, ai shkoi në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit
“Bashkimi dhe Progresi”, megjithëse flitej se xhonturqit e kishin dënuar me
vdekje, dhe, pasi pagoi 500 lira turke e shpalosi sjellje servile, qëndrime të
përulura dhe premtime të pafund, mundi të hynte në shërbim të shefave
unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit
të Sanxhakut të Gjirokastrës për parlamentin osman. Esadi, i cili dikur ia
detyronte madhështinë e tij Abdyl Hamitit, këtë herë duhej të mbështetej te
armiqtë e Sulltanit. Ndonëse kishte vendin në “Dhomën Osmane”, ai nuk mori
pjesë asnjëherë në të, duke mos luajtur asnjë rol si deputet shqiptar apo
shqetësuar ndopak për mbrojtjen e interesave të kombit të tij. Esad Toptani mbajti
më tepër një qëndrim servil me padronët e kohës, deri në atë pikë sa u caktua
nga këta të fundit si anëtar i delegacionit që do t’i njoftonte Abdyl Hamitit
rrënimin e pushtetit të tij. Esadi njihej atëherë si një nga shefat unionistë
dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit kishin
pushtetin. Kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e
quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esadi e ndryshoi menjëherë kampin,
duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve. Pikërisht në
këtë çast (fillim i vitit 1912) nacionalistët e rinj shqiptarë hynë në lidhje
me të në Kostandinopojë dhe ai u premtoi atyre ndihmën e tij për lëvizjen
antiturke që zhvillohej në Shqipëri. Megjithatë, ata, mbasi ia njihnin
karakterin dinak dhe oportunist, u treguan të kujdesshëm dhe nuk u bazuan
plotësisht në fjalën e tij. Kur shqiptarët, të cilët dolën fitimtarë në Shkup,
arritën ta detyronin “Dhomën” të shpërbëhej dhe përgatitën formimin e qeverisë
liberale të Myftar pashës, Esadi u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër
dhe me këtë detyrë ai mori pjesë në luftën kundër serbo – malazezëve, që
rrethuan qytetin e Shkodrës (1912-1913). Flitet se në këtë rast ka marrë një
shumë prej 600 000 frangash nga malazezët, të cilët përhapen zëra se Esadi e
kishte shpallur veten mbret i Shqipërisë. Megjithatë Esad pashë Toptani u
mjaftua në fillim me tërheqjen në Tiranë, me ushtarë dhe topa që i solli nga
Shkodra. Serbët (sipas shumë burimeve) i dhanë Esadit një pension mujor prej 200
000 frangash për shpenzimet e të ashtuquajturës qeveri të tij, mbasi ai kishte
rreth tij disa njerëz që merrnin tituj ministrash si dhe “taborin” e tij të
famshëm.

 

Esad Toptani shpalosi egërsisht dinakërinë e tradhtinë e
tij ndaj interesave kombëtare

 

Në kushtet e
vështira që po kalonte shteti i pafuqishëm shqiptar, atëherë kur kthetrat e
putrës sllavo-serbo-malazeze në veri të vendit dhe dhëmbët helmues të nepërkës
greke po nguleshin në mishin e njomë të Shqipërisë së re, krahasimisht me atë
të “foshnjës pa pelena”, Esad Toptani shpalosi egërsisht dinakërinë e tradhtinë
e tij ndaj interesave kombëtare dhe egoizmin e etjen e tij për pushtet të
palavdishëm, duke dorëzuar Rozafën e lashtë, themelin e qëndresës shekullore
shqiptare. Është fakt i pakundërshtueshëm se Esadi ka qenë komandant i trupave
rezerviste shqiptare në mbrojtjen e Shkodrës, kur ushtritë serbo-malazeze e
kishin rrethuar Shkodrën nga fundi i nëntorit 1912, duke iu shërbyer me
devotshmëri interesave të shtetit turk. Faktet për këtë periudhë flasin se
gjatë dhjetorit 1912 dhe janarit të vitit 1913 janë zhvilluar luftime të
përgjakshme në malin e Taraboshit, në kodrat e Beltojës, të Bërdicës e të
Bardhanjorëve, si edhe në fushën e Shtojit. Së bashku me gjeneralin Hasan Riza
Pasha të divizionit turk, Esad Toptani ka drejtuar vendosmërisht qëndresën edhe
pasi Turqia iu kërkoi armëpushimin shteteve ballkanikë, më 3 dhjetor 1912. Pas
vendimit të Fuqive të Mëdha, të datës 22 mars 1913, për kufijtë e Shqipërisë së
Veriut e të Lindjes, të cilat kërkuan nga Serbia dhe Mali i Zi që të pushonin
luftën dhe të largonin forcat që mbanin Shkodrën të rrethuar, Esad Toptani
ideoi tradhtinë e intrigoi dhe realizoi vrasjen makbethiane të Hasan Riza
Pashës, më 3 janar 1913. Studiuesi Hamdi Bushati, i gjallë në kohën e vrasjes
së Hasan Riza Pashës, duke shkruar të zezën mbi të bardhë në librin “Shkodra
dhe motet” ka theksuar se:“Opinioni publik shkodran pat përshtypjen dhe bindjen
se, Esad Toptani e kishte kurdisë planin e vrasjes së Hasan Riza Pashës me
dorën e kriminelëve: Osman Bali nga rrethet e Tiranës, të Mahmutit nga Kavaja
dhe të një të quejtunit Teofik nga Shqipnia e Mesme”. Në marrjen e vendimit për
vrasjen e Hasan Riza Pashës ka pasur edhe nxitjen e shtatmadhorisë xhonturke,
gjë të cilën Esadi e realizoi më tepër nga etja për pushtet. Fjalët e fundit të
pashait luftëtarë: “Këto dy dekorata (plumba – shënimi im) do doja t’i merrja
në luftë e jo kështu, dhe, mbasi vritem këtu, djemtë e këtij vendi duhet të ma
marrin gjakun”, dëshmuan se ai u vra me pëlqimin dhe kontributin e Esad
Toptanit, duke dalë nga shtëpia e tij, pabesisht. Këtë vrasje Esadi u përpoq
t’ia vishte Ndoc Dedës prej Shoshit, sikur ky ka qenë i shtyrë prej Malit të
Zi. Miku i tij Alush Lohja, një nga njerëzit më të shquar e më guximtarë të Shkodrës
në ato vite, mori në mbrojtje Esad Toptanin. Më 16 prill 1913 Serbia, e trembur
nga Austro-Hungaria, se do të hynte në sanxhakun e Novi-Pazarit, dhe e
këshilluar nga Rusia, largoi rrethimin e Shkodrës. Në këtë kohë krajl Nikolla i
Malit të Zi, ndonëse i kërcënuar nga Fuqitë e Mëdha, shfrytëzoi tradhtinë e
Esad Toptanit. Sikurse theksohet më lart, Esadi ëndërronte të bëhej sundimtari
i Shqipërisë duke ndjekur rrugën më të lehtë, atë të bashkëpunimit me shtetet
fqinjë dhe me përkrahësit e tyre. Është e vërtetë se pak ditë mbas vrasjes së
Hasan Riza Pashës, pikërisht me 23 prill 1913, Esad Toptani i dërgoi njoftim
komandantit të Kral Nikollës se donte “me dorëzue Shkodrën, mbasi mungonte çdo
gja”. Në të njëjtën ditë ai pati mbledhur parinë e Shkodrës në Zyrën e
Doganave, të cilëve u njoftoi se “qytetin do ta dorëzonte derisa i ishin sosë
ushqimet e nuk ishte ma në gjendje me qëndrue”. Duke kundërshtuar deklaratën e
tij disfatiste, paria Shkodrës ofruan ndihma, sikurse ishin gjashtë të
krishterë që premtuan sigurime, Sulçe beg Bushati ofroi ndihmë me 100 krerë
lopë, Jakup Rroi ofroi ndihmë me bagëti të trasha dhe me të holla, tregtarë të
tjerë garantuan për ndihmë me të holla, etj. Hamdi Bushati shkruan se Muharrem
Gjylbegu, i pranishëm në takim, ka pohuar se Esad Toptani foli ashpër kundër
shkodranëve dhe në fund “…doli nga
mbledhja tue sjellë krahët. Të pranishmit mbetën shtang, me krena të ulun e
disave u shkonin lotët nga dëshpërimi”.

 

Tradhtia e tij u nënshkrua më 22 prill

Tradhtia e tij u
nënshkrua më 22 prill, dhe të nesërmen, më 23 prill, ushtria malazeze u
përgatit për të hyrë në Shkodër, falë dhelpërisë e poshtërsisë së Esad
Toptanit. “Më 22 prill 1913 Esad Toptani
nënshkroi marrëveshjen e kapitullimit dhe në krye të trupave turke e shqiptare
u largua nga qyteti”.

Është fakt i
pamohueshëm se më 23 prill 1913, Shkodra, kështjella madhështore e qëndresës së
Veriut, iu dorëzua malazezve. Pas kësaj Esadi erdhi në Tiranë me ushtrinë e
përbërë nga shqiptarë dhe turq, duke u pritur dhe përcjellë me nderime në Lezhë
prej ushtrisë serbe. Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar atë ditë, afër
mesnate, Princ Danilo, në krye të ushtrisë malazeze, me 24 prill hyri në
Shkodër, duke marrë çelësat e qytetit nga dora e Esad pashë Toptanit. Në saje
të kësaj tradhtie Esad Toptani, u lejua të largohej me nderime ushtarake në
krye të divizionit të tij. Ndërkaq, në Shkodër, agjentët e kral Nikollës
filluan terrorizimin e banorëve, ndonëse Shkodra i bëri një refuzim të ashpër
kësaj loje (tradhtie) të Esad Toptanit. Veprimi i Esadit e koklaviti edhe më
tepër çështjen shqiptare, aq sa Austro-Hungaria dhe Italia kërkuan menjëherë jo
vetëm tërheqjen e Malit të Zi nga Shkodra, por edhe largimin nga Shqipëria të
trupave turke të komanduara prej Esad Toptanit. Pasi dorëzoi Shkodrën, Esad
Toptani u vendos në Tiranë e në Durrës, me objektiv të qartë të mbajtjes të
copëtuar të trojeve të Shqipërisë. Duhet theksuar se Esad pashë Toptani nuk e
njohu realisht shpalljen e pavarësisë së vendit, duke pretenduar se dëshironte
ngritjen e Flamurit Kombëtar në Shkodër, ndonëse nga krerët e saj iu bë thirrje
për bashkëpunim me anën e një letre të njerëzishme. Gjithashtu, me këtë
pretekst ai nuk njohu as qeverinë e Vlorës, të parën qeveri të Shtetit të
Pavarur shqiptar dhe që në fillim luftoi me tërbim kundër saj. Esadi e ndjente
se kishte kundër tij të gjithë rrymën e lëvizjes kombëtare, e cila lidhej me
qeverinë e Vlorës, dhe përkrahej deri diku prej Austro-Hungarisë dhe Italisë,
të cilat i kishin dalë zot shtetit shqiptar të pavarur, për të plotësuar
qëllimet e tyre të kontrollit të Adriatikut. Gjithashtu, ai u detyrua të
zbatonte kërkesën e Vjenës e të Romës për largimin e trupave turke nga
Shqipëria. Në historinë e Shqipërisë është theksuar: “…monarkia e dyfishtë e
përkrahur nga Roma kërkoi në mënyrë të vendosur nga Esad Toptani dhe Porta e
Lartë që të jepej urdhri për riatdhesimin e ngutshëm të trupave turke të cilat
ndodheshin ende në Shqipëri, nën komandën e Esadit. Presioni austro – hungarez
e bëri efektin e vet. Stambolli dhe Esad Toptani u detyruan ta pranonin
kërkesën e Vjenës. Ismail Qemali e ftoi Esadin në qeverinë e tij duke i dhënë
postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Esad Toptani pranoi propozimin e
Ismail Qemalit për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme në vend të Mufid
Libohovës që zuri dikasterin e Punëve të Jashtme dhe u nis në Vlorë”.

 

Esad Toptani është evidentuar si udhëheqësi i forcës së
parë opozitare

Në historinë e
shtetit të pavarur shqiptar, Esad Toptani është evidentuar si udhëheqësi i
forcës së parë opozitare. Është i njohur fakti që ai ka qenë kundërshtar i
qeverisë së Ismail Qemalit, ndonëse u thirr në atë qeveri, në postin e lartë,
të ministrit të Brendshëm. Esadi pranoi këtë pozitë por gjithmonë me qëllim që
të merrte kalanë nga brenda. Mbasi nuk gjeti në Vlorë ambientin e përshtatshëm
për të realizuar planet e tij të mëtejshme dhe për sigurimin e jetës së vet,
Esadi pas dy-tre ditësh qëndrimi në Vlorë u kthye në Durrës (ka qëndruar më
shumë në sarajet e veta në Tiranë) me synimin e qartë që të formojë një qeveri
të re. Gjatë kësaj kohe në epiqendër të punëve të Toptanit kanë qenë përpjekjet
për formimin e qeverisë së Durrësit. Fillimisht E. Toptani ka ftuar parinë e
vendit dhe të Shqipërisë, si Zogun 18 vjeçar, Elez Isufin, Dine Hoxhën,
vëllezërit Dema, Selim Ndokën, Dervish Biçakun, etj. Në mbledhje është
shprehur: “…Fuqit’ e Mëdha e njofën pavarësinë e Shqipërisë. Pra, para këtij
fati të lumtur, gjithkush duhet të mendohet për mënyrën e sundimit të vendit
tonë dhe për udhëheqësin e tij, për të cilin unë mendoj se, mbasi Shqipëria
përbëhet prej një shumice myslimanësh, duhet ta ketë një udhëheqës mysliman.
Për këtë gjë besoj se edhe zotëria juaj do të jeni dakord me mue”.

Duke vazhduar
intrigat si më parë dhe me shpresë se do të kishte në dorë xhandarmërinë, Esadi
provoi të afronte rreth vetes kundërshtarët e Ismail Qemalit, por sidomos të
fitonte besimin e Italisë dhe të Austro-Hungarisë. Për këtë qëllim bëri një
udhëtim në Romë e në Vjenë, por nuk gjeti përkrahjen e shpresuar. Pas kthimit
në Shqipëri, sikurse theksohet më lart, qëndroi vetëm disa ditë në Vlorë dhe
shkoi e u vendos përsëri në Durrës, i veshur me cilësinë e ministrit të Punëve
të Brendshme, për të organizuar në Shqipërinë e Mesme xhandarmërinë dhe
administratën. Vazhdoi shpifjet dhe propagandën kundër qeverisë së Vlorës duke
e akuzuar këtë se gjoja punonte në dëm të Shqipërisë, por sidomos të fesë
islame, dhe se donte të sillte në Shqipëri një mbret kaur. Sipas tij, qeveria e
Vlorës duhej rrëzuar dhe në vend të saj duhej formuar një qeveri e re me qendër
në Durrës. Për të nxitur fanatizmin në Shqipërinë e Mesme, Esad Toptani
tregohej akoma besnik i Turqisë,

ndërsa agjentët e
tij bënin propagandë për një princ mysliman nën varësinë e Sulltanit. Qeveria e
Vlorës dhe i tërë nacionalizmi shqiptar paraqiteshin prej esadistëve si një
lëvizje e pa fe.

Edhe
pse Ismail Qemali e fali për dorëzimin e Shkodrës dhe e emëroi ministër në

kabinetin e tij,
Esad pashë Toptani nuk ishte i kënaqur. “Esad Toptani shpalli më 12 tetor 1913
në Durrës formimin e “pleqësisë së Shqipërisë së Mesme, në krye të secilës u vu
vetë, preu çdo marrëdhënie me qeverinë e Vlorës dhe filloi luftën kundër saj”.

 

Në qeverinë (kryepleqësinë) e Esad Toptanit

 

Në qeverinë
(kryepleqësinë) e Esad Toptanit bënin pjesë Ali bej Zajmi (dibran), Isuf bej
Dibra, Aziz Vrioni. Duhet pranuar se qeveria e tij pati administratë të
rregullt e të stabilizuar. Që në muajin maj 1913 ai pati krijuar në hije një
qeveri të tijën dhe një batalion xhandarmërie nën komandën e Tajar Tetovës.
Sipas historiografisë shqiptare, Esadi, u shkëput nga qeveria e Vlorës dhe u
përpoq të shtinte në dorë Elbasanin me anën e Dervish bej Biçakut dhe të ca
përkrahësve të tjerë të tij, por nuk mundi, sepse qytetin e mbrojti me forcë Aqif
pashë Biçaku (më vonë është caktuar ministër i Brendshëm dhe do të njihemi me
jetëshkrimin e tij në këtë libër), i cili ishte një atdhetar i shquar i
lëvizjes kombëtare. Në historinë e Shqipërisë është shkruar “Një rol të rëndësishëm në dështimin e planeve
të Esad Toptanit luajti prefekti i Elbasanit Aqif pashë Biçaku, i cili i
qëndroi besnik deri në fund qeverisë së Ismail Qemalit dhe mori pjesë aktive në
luftën për bashkimin e vendit
”.

Historia e Shqipërisë, vëllimi i
tretë, (1912-1944), botimi vitit 1984, faqe 127

Nga ana e veriut,
Esadi e shtriu ndikimin gjer në Dibër e Mat, por në Bregun e Matit fuqia e tij
ndeshi në qëndresën e Dedë Cokut dhe nuk mundi të gjente mbështetje në krahinën
e Lezhës dhe në veri të lumit të Matit.

Kur
popullsia e Jugut të Shqipërisë kërkoi përforcime me armë e trupa për t’u
mbrojtur nga masakrat e shovinistëve grekë, Esadi ua refuzoi ato me cinizëm. Më
18 shtator 1913, Esadi veproi me dhelpëri e ligësi për të mbledhur rreth vetes
krerët e Veriut. Në këtë rast i dërgoi letër Preng Bib Dodë pashës, në Kallmet,
(nëpërmjet Mano begut në Lezhë) ku i shkruante “Si ministër i Brendshëm erdha me punue në Durrës. Të punojmë bashkë ose
të paktën të më përkrahësh, se Princ Vidi asht shënue si mbret dhe s’kam se
çfarë me ba”.


 Nesër
do të lexoni

– Marrëveshja e Esat Pashë Toptanit me
ministrin Luba Jovanoviq, në qershor 1915 në Tiranë;

– Si u ndihmua tërheqja e ushtrisë serbe nëpër
Shqipëri nga Esat Pashë Toptani, më 1915/16?

– Si u largua bashkë me ushtrinë serbe edhe
Esat Pashë Toptanit nga Shqipëria për në Greqi?

– Pse Esat Pasha u largua nga Selaniku (nëpër
Beograd) për në Paris?

– Esat Pashë Toptani mbrojtës i interesave
serbe në Paris;

– Çka i shkruan Pashiqi, kryeministrit francez
Mileran, për Esatin?!

– Mbështetja politike dhe financiare e Serbisë
për Esat Toptanin;

– Kush ishte Avni Rustemi, vrasësi i Toptanit?

– Rrugëtimi i Avni Rustemit nga Shqipëria për
në Paris;

– Cilat ishin lëvizjet e Avni Rustemit, në dy
javët e fundit, para se ta kryej atentatin ndaj Esat Pashë Toptanit?