Diaspora shqiptare nga arbërit dhe arvanitasit e deri te emigrantët e sotëm

2753
Sigal

 

Emigrimet e para të
njohura i përkasin shekullit të XV dhe janë ato të arbërve dhe arvanitasve. Ato
lidhen me largimin e një numri të madh banorësh të trevave shqiptare,
veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga
Perandoria Osmane

Emigrimi ka qenë
historikisht pjesë e zhvillimit njerëzor dhe në thelb është shprehja e dëshirës
dhe vendosmërisë së individit për të dalë mbi vështirësitë, duke shpresuar dhe
projektuar një jetë më të mirë për veten dhe familjen. Krahasuar me popullsinë
në vendin e origjinës, emigracioni shqiptar mund të konsiderohet si ndër më të
mëdhenjtë në botë. Emigrimi shqiptar identifikohet në disa periudha. Emigrimet
e para të njohura i përkasin shekullit të XV dhe janë ato të arbërve dhe
arvanitasve. Ato lidhen me largimin e një numri të madh banorësh të trevave
shqiptare, veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit
Ballkanik nga Perandoria Osmane dhe vdekjes së Skënderbeut. Rezultat i këtyre
valëve migratore ishte krijimi i ngulimeve të rëndësishme shqiptare në Italinë
e jugut, Greqi, në bregdetin e Dalmacisë e gjetkë. Modeli më i spikatur është
komuniteti arbëresh i vendosur në Italinë e jugut. Në Turqi mendohet se jetojnë
disa milionë banorë me origjinë shqiptare, të cilët kanë emigruar
sistematikisht dhe kryesisht në kohën e perandorisë Osmane. Emigracioni ka
prekur të gjitha hapësirat ku banojnë shqiptarët. Një numër i madh shqiptarësh
me banim në rajonet e ish-Jugosllavisë u larguan nga vendbanimet e tyre pas
Luftës së Dytë Botërore. Numri i tyre erdhi në rritje duke filluar nga vitet
80, si rezultat i shtimit të represionit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu,
menjëherë pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ndodhi shpërngulja e
madhe e shqiptarëve drejt Italisë, e më pas drejt pothuajse të gjitha vendeve
të Evropës.

Emigrimi në Europë

Në kontinentin
evropian, Greqia, Italia, Zvicra, Gjermania, por edhe Belgjika e Mbretëria e
Bashkuar konsiderohen vendet me përqendrimet më të mëdha të shqiptarëve sot.
Përtej Atlantikut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja kanë pritur
numrin më të madh të shqiptarëve. Aktualisht, shqiptarët janë të pranishëm në
rreth 50 shtete në të gjitha kontinentet. Si një dukuri shumëdimensionale,
migracioni ka ndikime të ndryshme ekonomike dhe shoqërore si për vendet e
destinacionit ashtu dhe ato të origjinës. Përveçse një rrugëdalje nga kushtet e
vështira social-ekonomike, migracioni ka përfaqësuar edhe një mundësi në rritje
për zhvillimin e ekonomisë për të gjitha zonat e origjinës. Remitancat kanë
ndikuar pozitivisht në rritjen e mirëqenies materiale, si ndihmë ekonomike e
vlefshme jo vetëm për familjet e migrantëve, por edhe për stabilizimin
social-ekonomik të vendit në tërësi. Gjithashtu, migracioni ka ndikuar në
reduktimin e papunësisë dhe në aftësimin profesional e intelektual, nëpërmjet
profesioneve dhe përvojës që ata fitojnë në vendet e destinacionit. Por, siç ka
treguar  eksperienca botërore, migrimi
shqiptar është shoqëruar edhe me rrjedhjen e trurit, ikjen e aftësive më të
mira dhe talenteve të shkëlqyera, çka në kohë e rrethana të veçanta ka ndikuar
në copëtim apo shpërbërje të familjes. Jo rrallë migrimi është shfrytëzuar edhe
për qëllime të jashtëligjshme si kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore
si rezultat i shfrytëzimit të flukseve migratore nga organizata kriminale dhe
terroriste. Megjithatë, realiteti ka vërtetuar aftësinë e mrekullueshme të
shqiptarëve për t’u integruar shpejt dhe suksesshëm në jetën e vendeve të
destinacionit, duke ruajtur dhe zhvilluar vlerat dhe identitetin e tyre. Për të
gjitha arsyet e lartpërmendura, mbajtja dhe zhvillimi i lidhjeve sa më të
ngushta të bashkëpunimit mes emigracionit dhe vendit të origjinës marrin
rëndësi të veçantë.

Arbëria

Ndër popujt evropianë,
shqiptarët kanë një nga traditat më të vjetra e më të shënuara të emigracionit.
Valët  e para të migracionit masiv
shqiptar datojnë në shekullin XV, si pasojë e rrezikut e më pas pushtimit
otoman. Pasardhësit e tyre në ditët tona janë pakicat etno-gjuhësore që jetojnë
sot në Itali, Greqi dhe Kroaci, të njohura respektivisht me emrin arbëresh,
arvanitas e arbanas, sipas shqiptimit të gjuhës së përdorur në vendet ku janë
vendosur e jetojnë aktualisht. Emri dhe dialektet e gjuhës shqipe të folura
prej tyre kanë prejardhje nga emërtimet “arbër” e “Arbëri”, terma me të cilat
njihej popullsia e trojet e banuara nga shqiptarë në periudhën historike që
përkon me migrimin. Pasardhësit e bashkësive arbërore e sidomos arbëreshët e
Italisë kanë një meritë të paçmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës,
kulturës, identitetit, traditës dhe vlerave të popullit shqiptar. Njëkohësisht
ata kanë dhënë edhe një kontribut të vyer në zhvillimin shoqëror, lufëtrat për
liri dhe shtetformimin e vendeve ku janë zhvendosur.

Diaspora arbëreshe

Komuniteti shqiptar në
Itali përbëhet nga komuniteti “arbëresh” i cili i ka fillimet në vitet 1300 si
edhe nga komuniteti i emigracionit të ri, i vendosur atje që prej vitit 1990.
Komuniteti arbëresh sot numëron rreth 100 mijë persona ndërsa komuniteti i ri
mendohet se përbëhet nga rreth 500 mijë vetë. Edhe pse emigrimi i shqiptarëve
në Itali ka ndodhur në faza të ndryshme duke filluar që në vitin 1396, duhet
theksuar se vala e madhe e emigrimit erdhi pas vdekjes së Skënderbeut më 17
janar 1468, për të shpëtuar nga persekutimet e pushtuesve turq. Gjatë më shumë
se 500 viteve në Itali, arbëreshët kanë treguar se dinë të ruajnë origjinën,
historinë, gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre, përfshirë edhe traditat fetare
të ritit ortodoks bizantin. Por, në të njëjtën kohë, ata kanë dhënë një
kontribut të shquar në historinë, kulturën dhe jetën shoqërore italiane. Të
shpërndarë në të gjithë Italinë jugore dhe ishujt, arbëreshët përbëjnë një nga
pakicat etno-gjuhësore më të mëdha në Itali. Arbëreshët kanë luajtur një rol të
rëndësishëm në bashkimin e Italisë si edhe në jetën politike, ekonomike dhe
shoqërore italiane. Gjuha e folur e arbëreshëve është arbërishtja, një varietet
antik i dialektit toskë. Në disa zona ajo është një përzierje me infleksione të
gegërishtes, mbetjeve të greqishtes së lashtë dhe dialekteve jugore të
zhvilluara gjatë qëndrimit në Itali. Arbërishtja i përket grupit të pakicave të
lashta të cilat nuk kanë pasur vijimësi territoriale me grupin e origjinës:
është në fakt një ishull i vërtetë gjuhësor me tradita të lashta, që ka
përcjellë dhe ruajtur gjatë shekujve, dhe më së shumti me gojë, trashëgiminë
gjuhësore, kulturën dhe fenë. Edhe pse nuk ka ndonjë strukturë zyrtare
politike, kulturore dhe administrative që të përfaqësojë komunitetet arbëreshe,
vitet e fundit, në rajone të veçanta të Italisë së jugut ku ekziston një prani
domethënëse arbëreshe janë krijuar departamente të veçanta të pakicave
gjuhësore si rrjedhojë e një koordinimi më të mirë institucional. Që nga viti
1999, gjuha “arbëreshe” njihet plotësisht nga qeveria italiane si “gjuha e
pakicës etnike dhe gjuhësore shqiptare”, sidomos në kuadër të pushtetit vendor
dhe shkollave fillore. Disa shoqata janë angazhuar në mbrojtjen dhe
përmirësimin e saj nëpërmjet stacioneve radiofonike private dhe revistave
vendore. Statutet rajonale të Molizes, Bazilikatës, Kalabrisë dhe Siçilisë i
referohen gjuhës dhe traditës greko-shqiptare, nëpërmjet studimit edhe në
shkolla e universitete, por përpjekje edhe më të mëdha e të vazhdueshme
nevojiten për të ruajtur  trashëgiminë
kulturore.