Bashkim Koçi: Në Prishtë, nën Taroninë dhe shkollën gërmadhë që dikur ngjante si filial universiteti

158

Reportazh

 

Shkolla 9-vjeçare, e cila dikur më ngjante si filial universiteti, është shkatërruar krejt, është transformuar në gërmadhë

 

Në Prishtë, nën Taroninë

Nga Bashkim Koçi

Sapo bën një plan për të udhëtuar drejt vendlindjes, njeriu, kushdo qoftë, fillon të mendojë e të fantazojë për rrugëtimin, të planifikojë ç’duhet të ketë me vete për të realizuar udhëtim sa më të rehatshëm, të caktojë “stacionet” për të pushuar pak, qoftë për të pirë një kafe, ku do të ngryset e ku do të gdhihet, nëse “peligrinazhi” është për disa ditë, e deri tek llogaritë që kanë të bëjnë me faturën e shpenzimeve. Por plan të detajuar, të mirëorganizuar e me merakun e një turisti të mirëfilltë, nga ata që vijnë nga Evropa, nuk mund të jetë për një të tillë që merr rrugën për në Skrapar. Aty, “preventivin” e asaj që ke pasur ndërmend, ta “grisin” sapo takohesh e shkëmben fjalët e para. Me të njohur apo me të panjohur. Ata janë njerëz të çuditshëm, komunitet që janë absolutisht të imunizuar nga sëmundja e pashërueshme “modernizmit”. Në Bogovë, fjala vjen, Zalo Qato “të gris xhaketën” për të të dhënë një dhallë të ftohtë a raki thane; Afrimi, tjetër biznesmen, të hap zemrën dhe, meqë nuk të plotëson dot strehim për 11 persona, merr në telefon Lake Saliasin në Çorovodë për të pritur ca miq që vijnë nga Tirana e të mos e turpëronte; Izeti Qato, emigrant në Holandë, i cili mban mend një kujtim të largët nga fëminia, këtu e 40 vjet më parë, këmbëngul për ta “shlyer” atë mirësi me një birrë të bërë “akull” nga uji që buron nga mali i Tomorrit.

 

Udhëtim në dy muaj, gusht-shtator

 

Nuk është se qëndruam dy muaj. Jo, vetëm dy ditë. Por qëlloi që udhëtimi për në vendlindje, për në Skrapar dhe ca më tutje qytetit të Çorovodës, në fshatin Prishtë të bëhej në datat 31 gusht dhe 1 shtator. Por, sidoqoftë, janë dy ditë të dy muajve të ndryshëm. Gushti “dorëhiqet” dhe vjen dita e diel që shkel shtatori. Të dy muajt konsiderohen të begatë, nëse ua themi atë çka ata i dhurojnë njerëzisë, siç janë prodhimet bujqësore, perimet dhe frutat që përkojnë me periudhën e kalimit nga vera në stinën e vjeshtës.

E shtuna e fundit e Gushtit, si edhe të shtunat e tjerat, në Çorovodë është ditë pazari. Bëhet një tip panairi me të gjitha produktet bujqësore ku predominojnë perimet dhe frutat. Vijnë fermerë nga të gjithë fshatrat e zonës, por ata që bëjnë shumicën dhe që dominojnë tregun janë fshatrat aty afër, rreth e qark qytetit të Çorovodës. Ata të largëtit tregtojnë kryesisht nënprodukte të qumështit, si djathë e gjalpë, pa përjashtuar bagëtitë që i marrin tregtarët për mish, të cilët aty në Skrapar i gjejnë bio dhe me çmim të leverdishëm.

Por një fshatar nga Dorsi, Sokol Fusha, i cili ka zbritur deri aty vetëm për t’u furnizuar me ushqime nga ata të industrisë, sheqer, oriz, makarona, kafe e të tjera, thotë se tregun e së shtunës e mbajnë gjallë fermerët që vijnë deri aty nga fshatrat e Beratit. Bollëku në prodhimet e stinës i bën ata që aty në Çorovodë të gjejnë blerës, t’u krijohet më shumë mundësi për të shitur mallin, kryesisht perime të stinës si domate, tranguj, speca, bostan dhe ç’të munden. Po sa fitojnë dhe a ia vlente bësh tërë atë rrugë? Qëndrova për disa çaste në Poliçan dhe pashë me sytë e mi atë që është koncentruar në thënien “E lirë kripa në Durrës, por e ha qiraja rrugës”. Domatja e cilësisë së parë, nga ato që mund t’i gjesh vetëm në Kapinovë të Beratit, shitej nga fermerët me një çmim qesharak. Vetëm 30 lekë, ndërkohë që në Tiranë ajo farë domate, të paktën unë shkruesi i këtyre radhëve, do ta blija me qejf 150 lekë.

-Pse kaq e lirë kjo domate? -pyes shitësin, një burrë, i cili bashkë me gruan mbanin në anë të rrugës tri arka domate.

-Ti po i merr me 30 lek, më thotë ai, por unë ia mora një fshatari vetëm me 20 lekë. Unë banoj këtu në qytet dhe e bëj përditë këtë punë për të nxjerrë ndonjë të ardhur.

-Mirë, i thashë, mua do të m’i shesësh me 40 lekë.

Varfëri e madhe, që të trishton.

Në Prishtë nuk ka kush të na presë

 

Rruga për në fshatin Prishtë është paksa e vështirë. Janë bërë disa përpjekje për ta ndërtuar me parametra të pranueshëm, por me sa duket nuk janë siguruar paratë. Dhe bëhet fjalë për pako gjë, për 7 km. Kur pyes veten, se përse nuk ndërtohet rruga për një fshat si Prishta, mendja më shkon se ai “dikushi” i ka bërë llogaritë dhe nuk i del hesapi. Po pse?! Sepse banorët e Prishtës janë larguar të gjithë, nuk ka mbetur njeri. Janë fare, fare pak familje, të cilat deri tani kanë rezistuar për të mos e tradhtuar fshatin.

Kur vija dikur në fshatin tim të lindjes, në Prishtë, dilnin përpara njerëzit e mi, miq dhe shokë të më prisnin, pa thënë që këtë pritje e bënin dhjetëra të tjerë, të cilët grumbulloheshin çdo natë në qendër të fshatit, aty ku ishte vatra e kulturës, biblioteka, shkolla dhe mjediset tregtare. Nga ajo “popullatë” tashmë nuk ka asnjë. “Të hanë” shtëpitë e shkatërruara, banesat e kyçura dhe qendra e fshatit, e cila tashmë nuk ekziston. Bëj të dëgjoj ndonjë zë njeriu, blegërimë deleje apo lehje qeni, po meazallah se vjen ndonjë zhurmë. Nuk ka as burra e as gra, por as pleq e as fëmijë. Shkolla 9-vjeçare, e cila dikur më ngjante si filial universiteti, është shkatërruar krejt, është transformuar në gërmadhë. Po sjell vetëm këto dy shifra, të cilat i sjell ish-drejtori i shkollës, Ismail Sheroku: Në vitin 1986 në shkollën e Prishtës mësonin 189 nxënës. Po sot? Vetëm 4 nxënës. Është vërtetë për të vënë ulërimën. Poeti, një djalë lindur aty, ka sjellë këto vargje drithëruese për atë çka ngjarë në Prishtë.

U ktheva etur këtij trualli,
Rrëmoj në mure nëpër gurë,
Më nxit një dhembje shtyrë prej malli,
Që nga ky shpirt s’më ikën kurrë.

Një lëmsh në grykë ngadalë më mblidhet
E më shtrëngon sikur më mbyt,
Oxhakut, ku zjarri më s’ndizet
Me tym kërcunjsh, që digjte sytë.

Më tej e shqyer një kamare,
Një drapër varur dhe një shportë,
Sepete e vjetër nën dritare,
Dhe gozhdë e ndryshkur, më ndjell lot.

Ah mën’ i lashtë, avllisë së shkretë,
Si një statujë më flet pa fjalë
Çfarë qeshëm, qamë, aty u tret
Kjo baltë-mjaltë i ruan të gjallë!

Vend i bukur, i bekuar nga natyra

Fshati ka një pozicion të bukur, por edhe me plot ujë, gjelbërim, pemë frutore nga më të ndryshmet dhe trashëgimi historike. Prishta ndodhet fiks nën malin e Taroninës, nga ku mund të sodisësh vargmalet Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe nga krahu tjetër, ai verior, vargmalin tjetër Mali i Leshnjes-Ramije-Tomorr. Mali i Taroninës, lartësia e të cilit shkon në 1247 metra mbi nivelin e detit, është krejt e veshur me pyje dhe gjelbërim, gjë që i jep një pamje të rrallë. Atë e kanë cilësuar si “çatia” e Prishtës. Aty janë zhvilluar shumë luftëra. Edhe sot e kësaj dite gjenden mbetje predhash e fishekësh luftarakë. Madje ky mal mbahet mend si istikam nga ku ka thyer qafën armiku, grekë, italianë e gjermanë.

Çka e bën Prishtën një ndër fshatrat më të begatë të Skraparit është pozicioni gjeografik, klima dhe shumëllojshmëria e pemëve frutore. Dikur në fund të fshatit qëndronte fabrika moderne, me teknologji të kohës, e përpunimit të frutave e rrushit. Aty, sipas të dhënave që na jep ish-kryeagronomi i viteve ‘80-’90, Sadik Mersini, përpunoheshin më shumë se 3000-3500 kv rrush dhe më shumë se 100 kv mollë. Rakia e famshme e Skraparit përgatitej në atë fabrikë. Po edhe nënprodukte të tjera si; verë, rehani, marmelatë molle etj. Mund të më thotë kush ku vajti dhe cila është historia e asaj fabrike, e cila sot nuk ekziston më? Ku vajtën vaskat metalike të ruajtjes dhe përpunimit të rrushit? Ç’u bë me aparaturat, me mjetet e tjera nga ku dilnin sa e sa hektolitra raki, verë e nënprodukte të tjera të rrushit e frutave? Ajo pasuri tashmë është kthyer në një pirg me gurë, në një gërmadhë që të tremb.

Por bashkë me fabrikën e përpunimit të rrushit dhe frutave, për çudi, u zhdukën edhe pemët, pjergullat, vreshtat, pemëtoret, gjithçka. Janë zhdukur, sepse janë zhdukur njerëzit, ata që mbanin gjallë punën dhe që e bënin atë me shumë dashuri. Meqë m’u dha rasti hodha shikimin mbi sipërfaqet që dikur ishin pemëtore, blloqe të mirëmbajtur e të sistemuar, por nuk m’i zuri syri. Pemët ishin degraduar e pjergullat, kur një herë e një kohë ishin të ngarkuara me rrush, nuk dukeshin më. Më erdhi keq, shumë keq dhe fillova të filozofoj se si mundet të lërë njeriu vendin e begatë për t’ju afruar “rrëmujës e rrëmetit”, siç thoshte i madhi Naim.

Prishta, e braktisura e qeverisë

Qeveria, nën modelin e Rilindjes Urbane, ka një program të fokusuar tek turizmi dhe agrobiznesi ku edhe do të financojë rehabilitimin e plotë infrastrukturor, kulturor dhe historik të 100 fshatrave anembanë vendit. Çudia qëndron se në Skrapar janë shënjuar dy fshatra, Blezëncka dhe Kapinova, të cilët, sipas mendimit tim, janë larg ku e ku me Prishtën. Për këtë ka argumente, ka të dhëna që nuk mund të gjejnë krahasimin nga çdo pikëpamje. Nëse e gjej mirëkuptimin me lexuesin, më duhet të them se Blezëncka nuk ka asnjë aset që të mund ta bëjnë të lakmueshme për turistët. E vetmja gjë janë kanionet e Osumit, të cilët janë edhe si portë hyrëse për të shkuar në Prishtë. Por Prishta ka ca pasuri të tjera që, me pak investime, mund të tërheqë shumë turistë, studiues dhe pelegrinë të besimit bektashi. Po pse? Sepse në Prishtë është ka një Kala, e cila për nga vlerat historike përbën një pasuri të rrallë. Kalaja e Prishtës na çon mijëra vjet prapa, qindra vite para erës sonë. Është ajo kala-përmendore, që na i jep “të zbardhur” jetën e të parëve tanë, duke shpalosur cilësi e virtyte të mahnitshme të racës sonë në rrugëtim të përjetshëm. Meqë na jepet rasti po sjellim këto të dhëna: Njëra nga kështjellat e pushtuara prej konsullit romak mund të jetë edhe ajo e Prishtës, e cila gjendet në rrugën e përshkruar prej tij. Gërmimet në Prishtë si dhe hapja e disa varrezave antike kanë dhënë mundësi që të njihemi në vija të përgjithshme me kulturën qytetare ilire të periudhës së zhvillimit të pavarur ekonomik e politik. Kështjella është ngritur në një kodër, e cila shkon në lartësinë deri në 1000 metra mbi nivelin e detit. Është për të shënuar fakti se vendi ku janë “gërmadhat” e kështjellës thirret “Rredhi i Kalasë”. Është një toponim i përcjellë nga shekujt dhe që, për hir të së vërtetës “orientoi” specialistët arkeologë për të filluar punën për zbulimin e historisë të kësaj kështjelle. Kështjella e Prishtës është ndërtuar në një vend që ka “nën vete” gjithçka, është mbizotëruese, e përkryer nga pikëpamja për ngritjen e një vendbanimi të fortifikuar. Ndërtuesve të kështjellës u ka dhënë zemër jo vetëm pozicioni “luftarak”, i mbrojtur mrekullisht nga të gjithë krahët, por edhe formacionet shkëmbore, nga do të sigurohej “lënda e parë”, blloqet e gurëve që duheshin për ndërtimin e kështjellës. Pasuritë e tjera, nga morën zemër kështjellëngritësit, ishin kodrat e buta që e rrethonin, toka pjellore që shtrihej nën këmbët e saj, kullotat pambarim që e rrethonin dhe burimet e shumta me ujë.

Një pyetje. A nuk do të ishte kjo Kala një “magnet” për të tërhequr studiues, njerëz të pasionuar për arkeologjinë apo turistë që janë të “çmendur” ndaj lashtësisë, historisë së popujve?

Po teqeja e Prishtës, ajo që pati fatin të ishte për një kohë Kryegjyshatë Botërore e Bektashizmit, selia ku u mblodh Kongresi i Parë Bektashi (14 deri 17 janar 1921)? Numri i besimtarëve bektashinj që njohin dhe admirojnë teqenë e Prishtës do të ishte shumë i madh. Nëse do të futemi pastaj në aftësinë prodhuese të këtij fshati për fruta, perime, produkte blegtorale, pije alkoolike etj. Prishta mban një vend të lavdërueshëm jo vetëm në Skrapar, por edhe në shkallë vendi. Sipas meje nuk është vonë për të hedhur sytë nga ky fshat, i cili mund të bëhet edhe një portë hyrëse për në rrethin fqinj, të Përmetit.

Britaniku Xhozef Suajër dikur ka vizituar Prishtën

 

Që ky fshat mbetet vend interesant, disi i magjishëm për pozicionin gjeografik dhe ndodhjen aty të një teqeje me histori të pasur, e tregon fakti se ai është vizituar nga shumë njerëz dhe jo rrallë personalitete të fushave të ndryshme qysh më herët. E shikoj me vend që të sjell në këtë reportazh shënimet e britanikut Xhozef Suajër, i cili ka ardhur si turist në Skrapar dhe në teqenë e Prishtës.

“Në mëngjes arritëm në qendrën e nënprefekturës së Skraparit, në Çorovodë, një vendbanim me 55 shtëpi, rreth një sheshi të vogël në bregun e lumit Osum. Nënprefekti, doktori dhe gjykatësi nga Berati na përshëndetën në zyrën e komandantit të zonës (nëntoger Qemal Borshit), i cili këmbënguli për të qëndruar një natë që të na shërbente miqësisht. Dëshirën e tij e gjykuam si të sinqertë dhe e pranuam… Nata në shtëpinë e Borshit ishte e rehatshme. Gruaja e Z. Borshit ishte një vajzë e pashme, e cila, sipas certifikatës ishte 17 vjeç, por zonja Borshi dukej rreth të 20-ve. Duke ecur sërish, ne ndoqëm të tatëpjetën e një lugine të thiktë, me një lumë që rridhte nën pemët e mëdha. Pastaj u ngjitëm me mundim në teqenë e Prishtës. Rruga për në teqe kalon në një shteg të veshur, përballë një gremine balte dhe shisti argjilor, kështu duke rrëshqitur hoqëm çizmet, veshëm këpucë të sheshta me pafta hekuri, të cilat nuk na shërbyen dhe shaluam kuajt.

      Teqeja e Tahir babait me gurë dhe me shumë dritare të thjeshta u ndërtua me vështirësi nga dervishët në vitin 1921. Kuzhina ishte si një shpellë me mahi të nxira nga tymi dhe me një vatër të madhe zjarri, nën një oxhak shumë të madh mbi katër këmbë, me enët prej kallaji dhe fajance (balte) dhe tryeza të pastra. “Teqeja u ndërtua për herë të parë në vitin 1870, por u shkatërrua nga banditët grekë në vitin 1914. Grekët shkatërruan rreth 40 teqe, pa llogaritur tempujt, por tanimë në Shqipëri ekzistojnë më shumë se 50 të tilla. Të gjithë banorët e krahinës u larguan për në Vlorë, por u kthyen sërish kur erdhën italianët. Dervishët ishin në gjendje të vazhdonin “t’u jepnin mësim njerëzve për të qenë të ndershëm dhe të sjellshëm”. Prishta ka 10 dervishë, të cilët pretendojnë të konvertojnë çdo vit nga zonat afër tyre 500 myslimanë. Teqetë e tyre qëndrojnë për bukuri në një degëzim… Larg, më tutje luginës, mund të shihen kullat e malit të Tomorit dhe faltorja e Abaz Aliut.

      Ndërsa tre dervishë erdhën nga kjo ndërtesë moderne për të na takuar, në mendjen time silleshin mendimet e Omar Khajamit, të Haxhi Babës, madje dhe të Druids. Ata kishin taçe të bardhë me mjekra shumë të gjata (të kuqe e harlisur) dhe mantel me mëngë plotësisht të bardha, qarkuar nga një i kuq i ndezur dhe harke të gjata të zeza si të studentëve. Më pas, ata na përshëndetën, duke shprehur keqardhjen që babai i madh-Kamber Aliu nuk ishte kthyer. Ata na drejtuan neve te personi që kryente detyrën e babait, një burrë i qetë, patriarkal, me mjekër të bardhë e të prishur, me butësinë karakteristike të besimit të tij. Ne me të pimë kafe, ndërsa na tregonin rrugën, këputën për ne dhe për vete trëndafila erëmirë. Kudo shiheshin mace të kënaqura si dervishët, të cilave u shkëlqenin qimet. Dhoma e Kamber Aliut kishte një divan të mbuluar me jastëkë të shndritshëm, me tre cepa dhe një qilim që shkëlqente mbi dysheme me skena qershie, jargavani dhe dollapë me dyer të gdhendura mirë. Këtu vinin për t’u lutur dhe për të mësuar njerëz nga fshatrat përreth. Goditjet e një çange u kujtuan dervishëve që të kryenin ritin e muzgut, ndërsa ne intervalet e ndërmjetme. Ata punonin ose studionin në dhomat e tyte. Dhoma jonë ishte e madhe, me katër dritare, dyshekë, jorganë dhe jastëkë të rehatshëm mbi dysheme; si edhe rafte, tryeza dhe karrige. Pas mezes dhe rakisë së famshme të Prishtës, të cilën e pimë me guxim, u shërbye darka. Fjetëm qetësisht si macet. Kur ishim gati për t’u larguar, babai nuk na mori asgjë për mikpritjen në teqenë e tij, bile as për të varfrit. Ne u varëm poshtë fshatit Prishtë… Dhe arritëm në Zabërzan, fshat me shtëpi në buzë të lumit Osum.”

Do të ndjehesha i lumturuar nëse Qeveria, por edhe Kryegjyshata Botërore në Tiranë, do të kujdeseshin për ta kthyer teqenë në një vend ku pa as më të voglin dyshim do të “çudiste” edhe miq e dashamirës perëndimorë.

Një dritëz që jep shenja ringjallje

 

I rashë fshatit rreth e qark, kryq e tërthor, por në çdo tregues, në të gjitha këndvështrimet del si ai është mpakur e plakur, nuk i ka stolitë që kishte dikur. Iu riktheva një herë shifrave të cilat janë të frikshme. Për numrin e nxënësve e thashë pak më sipër, nga 189 që ishin dikur, tani shkojnë në shkollë vetëm 4 fëmijë. Por le të sjellim ca të dhëna të tjera. Nëse në viti 2005 banonin 315 banorë, brenda pesë viteve, pra në vitin 2010, mbetën vetëm 8 shtëpi me rreth 40 banorë. Pra, largimi nga fshati ka qenë shumë i shpejtë dhe pa kthim mbrapa. Për nga popullimi dhe numri i familjeve që jetojnë e punojnë në fshat, Prishta sot është më e vogël se ajo e 600 viteve më parë. Por ka një gjë që na ngroh të gjithëve- kur shikojmë se shumica e bashkëfshatarëve nuk e kanë hequr “gurin e fundit” nga Prishta. Aty kanë lënë shtëpitë dhe orenditë me mendimin për të qenë sa më afër tyre, pra të vijnë e t’i shohin herë pas here. Në stinë të veçanta, si në pranverë, verë dhe vjeshtë Prishta “ringjallet” nga të ardhurit. Edhe pse këto janë periudha të shkurtra, e ca më keq që ditët e ndenjjes në fshat janë si “të parët e nuses”, përsëri të japin ndjesinë se “Prishta është aty”, nuk vdes kurrë. Ndoshta (dhe për këtë lutemi përditë) do të vijë një kohë që djemtë e Prishtës të kthejnë sytë tek vendi ku “u ka rënë koka”, siç shkruante Çajupi i madh, për ta bërë fshatin tonë të dashur, ashtu si na i do zemra: Të gjallërohet e të popullohet nga njerëzit, për ta bërë të bukur e të begatë. Vura re se janë ngritur shtëpi të reja, shumë të mira dhe që m’u dukën si një dritëz që pak e nga pak do të zmadhohet. Djemtë e Prishtës si Engjëllush Bekteshi, Dajlan Hajdari, Patriot Llane, Refit Dervishi e Avdyl Bekteshi, po punojnë për t’u dhënë zemër të tjerëve, për t’u sjellë lajmin e bukur se Prishta mund dhe duhet të bëhet ashtu si dikur, e Bukura e Dheut.