29 Nëntor 1944, Dita e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë

841
Sigal

 

– Në luftë për çlirimin e Shkodrës  dhanë jetën 
44 partizanë nga shumë krahina të Shqipërisë

– Luftimet për çlirimin e Shkodrës filluan më
23 nëntor me një plan të detajuar

-Shkodra 
ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë  grumbulluar rreth 3000-4000 gjermanë dhe
2500  bashkëpunëtorë të tyre

 

 

Shkodra kishte një fortifikim natyror; liqenin, Drinin, Bunën, Kirin,
sistemin e  kodrave të Bërdicës,
Beltojës, të Bardhajve

– Nënreparte të Korpusit të XXI të ushtrisë
gjermane dhe  disa qindra mercenarë  shqiptarë kishin minuar terrenin

– Sipas planit të operacionit në mësymje do të
merrnin pjesë  Brigadat VI, VII dhe XXII
të Divizionit II të Brigadave XXIII, XXIV dhe Grupi partizan i Shkodrës

– Sulmet e 
kundërsulmet e batalioneve të Brigadës XXIV dhe XXIII në kodrat e
Beltojës dhe të Bërdicës për 4 ditë  u
zhvilluan nën breshërinë e gjyleve të artilerisë së rëndë gjermane

Në mbrëmjen e 26 nëntorit tre batalione të Brigadës XXII u futën në
rajonin e Postribës dhe dolën në Drisht

– Natën e 27-28 nëntorit një batalion i Grupit
partizan  të Shkodrës dhe një kompani e
Brigadës XXII sulmuan armiqtë në pikëmbështetjen e Urës së Mesit

– Pas mesnate të  natës 28 nëntorit,  plasje të tmerrshme tronditën Shkodrën. Ishin
urat e Bunës e Bahçallëkut, që 
hidheshin  në erë nga vandalët e
shekullit XX

 

Nga Sali Onuzi, kolonel (R)

 

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 Nëntor
dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës
dhe qarku i tij. Pa Shkodrën e çliruar nuk kish e s’mund të kishte Shqipëri të çliruar.
Shkodra nuk ishte vetëm një  territor,
ajo kishte qenë dhe ishte shpirti i Shqipërisë, kryeqendra historike e Veriut të
saj, kryeqyteti i lashtësisë  së saj ilire.

 

Në Shkodër armiku e
kishte përgatitur me kohë mbrojtjen. Shkodra 
ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë  grumbulluar rreth 3000-4000 gjermanë dhe
2500  bashkëpunëtorë të tyre. Informacionet
e kohës japin të dhëna për kuislingë e bashkëpunëtorë të tjerë, që u larguan
nga Tirana bashkë me autokolonën gjermane dhe t’u  mbyllur 
në Shkodër, ku kishin   krijuar  madje edhe një “qeveri”, por edhe forca të
armatosura  “kombëtare”. Këta, bashkë me
hitlerianët, kishin vendosur një regjim terrori në qytet. Ky përqendrim tepër i
madh trupash në Shkodër kishte ardhur për shkak 
të  vështirësive të  mëdha  që
 Gruparmata  gjermane “E”  kishte hasur, gjatë kalimit përmes një terreni
të thyer malor në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në konceptin operativ dhe
taktik gjermanët qenë  në Shkodër, sa në
tërheqje, aq edhe në mbrojtje. Shkodra kishte një fortifikim natyror; liqenin,
Drinin, Bunën, Kirin, sistemin e  kodrave
të Bërdicës, Beltojës, të Bardhajve dhe vetë Kalanë  e Shkodrës. “Pikëfundore”, “pozicion pengues”, (terma të tyre) më të sigurt në
pikëpamje natyrore, forcat gjermane nuk mund të kishin në rrugët e tërheqjes në
territorin malor te Malit të Zi dhe të Bosnjës. Këtë avantazh ata, s’do mend, që
do të përpiqeshin ta shfrytëzonin, aq sa të ishte e mundur.

 

Minimi

Nënreparte të
Korpusit XXI të ushtrisë gjermane dhe  disa qindra mercenarë  shqiptarë kishin minuar terrenin dhe
vendkalimet në periferi të qytetit deri afër Vaut të Dejës dhe Bushatit dhe qenë
vendosur në qendra zjarri, në pikëmbështetje të fortifikuara me  detyrë  “
mbanin sa më gjatë Shkodrën, me qëllim që të siguronin tërheqjen drejt Malit të
Zi .”

 Komanda e përgjithshme e UNÇSH, kishte
ngarkuar shtabin e korparmatës III (komanduar nga kolonel Tahir Kadare dhe kolonel
Tuk Jakova), për drejtimin e mësymjes përfundimtare kundër grupimit të ushtrisë
gjermane në Shkodër. Sipas planit të operacionit në mësymje do të merrnin pjesë
 Brigadat VI, VII dhe XXII të Divizionit
II, Brigadat e XXIII, XXIV dhe Grupi partizan i Shkodrës. Ky grupim operativ,
gjithsej 6000 partizanë, kishte për detyrë “të  ndalonte tërheqjen e forcave gjermane, të rrethonte
dhe asgjësonte grupimin e fundit  armik të
Shqipërisë dhe të çlironte qytetin e Shkodrës
”.

 

Goditja kryesore

Goditja kryesore do
të jepej nga verilindja me forcat e Brigadës XXII dhe të Grupit partizan të
Shkodrës, ndërkohë që Brigada VII do të mësynte   drejt Shkodrës nga rajoni i Vaut të Dejës-Stajkë
(nga juglindja) Brigada XXIII dhe XIV nga rajoni i Beltojës e i Bërdicës (nga
ana jugore), kurse Brigada VI, do të vendosej në pritë, kundër forcave gjermane
që do të mund të tërhiqeshin gjatë rrugës automobilistike Shkodër-Koplik-Podgoricë.
Në realizimin e këtij veprimi luftarak kalimi i Drinit, të  fryrë tepër nga reshjet e shumta, ishte një
detyrë e vështirë. Urat mbi Drin e në Vaun e Dejës i kishin shkatërruar
gjermanët që më 21 nëntor, ndërsa  Ura e
Bahçallëkut mbi Drin (në hyrje të Shkodrës nga jugu) ishte minuar dhe ruhej me
një  truprojë  të veçantë. Luftimet për çlirimin e Shkodrës
filluan më 23 nëntor me veprimet luftarake të brigadave drejt objektivave të përcaktuar
në urdhrin e luftimeve të Korparmatës III. Brigada XXII sulmoi dhe detyroi garnizonin
gjerman të lëshonte me të vrarë dhe të plagosur, Vaun e Dejës . Brigada VII, me
ndihmën e banorëve vendas kapërceu me varka Drinin dhe, nga një pozicion i vështirë
taktik, sulmoi gjermanët në kodrat e Jubanit e të Sheldisë, doli në Gur të Zi,
Rrenc dhe në kodrat e Bardhajve përballë qytetit të Shkodrës.

 

Sulmet e 
kundërsulmet

Sulmet e  kundërsulmet e batalioneve te Brigadës XXIV
dhe XXIII në kodrat e Beltojës dhe të Bërdicës për 4 ditë u zhvilluan nën breshërinë
e gjyleve të artilerisë së rëndë gjermane, vendosur në Kalanë e Rozafës dhe
kundërsulmeve të këmbësorisë së tyre, madje edhe natën (e jashtëzakonshme për
ta). Më 28 nëntor në mbrëmje  partizanët  çliruan Bahçallëkun. Disa ditë më parë forca
të Brigadës XXIV kishin zënë në Bunë duke lundruar për të dalë në Adratik një
grup prej rreth 100 kuislingësh  e mercenarësh.
Në mbrëmjen e 26 nëntorit tre batalione të Brigadës XXII u futën në rajonin e
Postrribës dhe dolën në Drisht. Kullat e Boksit, Ura e Mesit, Kodrat e
Bardhajve u kapën me luftime nga partizanët e Brigadës XXII. Me këtë manovër
grupimi i forcave të UNÇSH e mbylli armikun në unazën e rrethimit. Luftimet  për asgjësimin e forcave gjermane dhe për çlirimin
e qytetit të Shkodrës hynë në fazën përfundimtare dhe u zhvilluan nga 24 deri më
29 nëntor 1944. Forcat e Grupit partizan të Shkodrës  dhe të Brigadës XXII me 27 nëntor thyen forcat
gjermane në kullat e Boksit, në Urën e Mesit 
dhe në Kodrat e Bardhajve dhe dolën në vijën Dragoç-Mes-Myselim-Bardhaj.
Pastaj thyen  edhe qëndresën e armiqve  ne fushën e Shtojit e në Bardhaj dhe dolën në
vijën Golem- varreza.

 

 

Natën e 27-28 nëntorit

 

Po natën e 27-28 nëntorit
një batalion i Grupit partizan  të
Shkodrës dhe një kompani e Brigadës XXII sulmuan armiqtë në pikëmbështetjen e
Urës së Mesit. Të nesërmen paradite një grup prej afro 100 hitlerianësh shoqëruar
me 5 tanke, me një zjarr të dendur të artilerisë e të mortajave të rënda sulmon
egërsisht pozicionet e  Grupit partizan të
Shkodrës, që mbrohet fort me sulme dhe kundërsulme ne kodrën e Katrollit dhe i
thyen armiqtë, të cilët buzë mbrëmjes tërhiqen përfundimisht në qytet. Dështoi
tentativa e tyre për t’i larguar partizanët nga ky drejtim shumë i rrezikshëm për
ta. Në këtë drejtim depërtuan forca të Brigadës XXII, të cilat do t’i
afroheshin qytetit nga verilindja. Natën e 28 nëntorit  batalioni i parë i Brigadës XXII doli në
Dobraç për të penguar tërheqjen e gjermanëve drejt Koplikut. Edhe forcat e
Brigadës VII kishin depërtuar në lagjet e jashtme të qytetit. Në mesnatën e 28
nëntorit 1944, pasi kishin hedhur në erë të gjitha urat e qytetit dhe kishin minuar
depot e municioneve në lagjen “Perash”, gjermanët tentuan të hedhin në erë
objekte të rëndësishme në qytet. Një pjesë e qytetarëve ishin larguar nga
qyteti, të tjerët prisnin me ankth se ç’do të ndodhte. Ky plan i naziztëve  pothuajse dështoi. Dy nga robërit italianë, që
bashkë me të tjerë kishin bërë minimin, me largimin e hitlerianëve i prenë
lidhjet kryesore të eksplozivëve. Po ashtu, 
njësitet guerile ç’minuan pjesën tjetër të rrjetit të minave. U shpëtua
kështu  fabrika e çimentos, centrali elektrik
dhe spitali civil. “Pas mesnatës së  natës 28 nëndorit,  plasje të tmerrshme tronditën Shkodrën. Ishin
urat e Bunës e Bahçallëikut, që 
hidheshin  n’erë nga vandalët e
shekullit XX”.
– do të shkruhej ato ditë në një kronikë shkodrane. Një grup
hitlerianësh u rikthye në qytet, i kapi dy italianët, i varrosi të gjallë dhe vrau
e plagosi disa qytetarë shkodranë .

 

Sulmi vendimtar

 

Sulmi vendimtar për
çlirimin e qytetit filloi natën e 28-29 nëntorit me goditje  nga të gjitha drejtimet. Batalioni parë i Brigadës
XXII sulmoi tek ura e Maxharit (në portën veriore të Shkodrës) praparojën e
kolonës gjermane, e shkëputi atë nga forcat kryesore, kapi robër 30 gjermanë
dhe shkatërroi disa automjete. Pjesa kryesore e forcave  gjermane duke përfituar nga nata, u largua me
shpejtësi në drejtim të Koplikut, ku do të sulmohej nga forca të Brigadës VI. Të
ndihmuara nga grupet partizane, njesitet guerile dhe populli i qytetit të
Shkodrës, forcat partizane përparuan me shpejtësi në qendrën e qytetit. Forcat
e Brigadës XXII hynë të parat në qytetin e Shkodrës. Në mëngjezin e 29 nëntorit
qyteti i Shkodrës u çlirua. Brigada XXIV dhe XXIII e kaluan në mëngjes me varka
lumin dhe hynë në qytet. Një grup partizanësh të Brigadës XXIII u ngjit në
Kalanë e Rozafës dhe ngriti aty Flamurin tonë Kombëtar. Në qytet hynë dhe u
pritën me  urime e brohoritje fitimtarët
e Ushtrisë NÇ. Në drekë, në qendër të qytetit, grupi partizan i Shkodrës, i
shtuar me partizanë të rinj, përuroi krijimin e Bigadës XXVII, të komanduar nga
Sadik Bekteshi dhe Qazim Kapisyzi.

 



Dhanë jetën  44
partizanë

Në luftë për çlirimin
e Shkodrës  dhanë jetën  44 partizanë nga shumë krahina të Shqipërisë. (sipas
“Dëshmorët e Atdheut”, botim i Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, 2012). Për  çlirimin e Shkodrës ka në  arkivat tona plot  dokumente dhe për to janë shkruar mjaft libra,
bazuar në to  dhe në kujtimet nga  ish drejtues e  veteranë pjesëmarrës, studiues etj. Po edhe
nga  ditarët e komandës gjermane del qartë
se, tërheqja e tyre me 29 nëntor nga Shkodra dhe qarku i saj, ka qenë e
detyruar dhe është bërë me luftë.  Për
datën 26 dhe 27 nëntor ata kanë shkruar në këto ditarë për “presion të 
vazhdueshëm të bandave (forcave partizane S.O) në pozicionin pengues në jug
të Shkodrës
.” Fare qartë në këtë ditar 
shkruhet se  “me 28 nëntor, nën presionin e bandave, ka filluar lëshimi
i pozicionit pengues, Shkodrës”. Dhe për datën 29 nëntor: “Shkodra u lëshua” Kjo veprimtari luftarake e njësive të UNÇSH, ky
“presion “i detyroi hitlerianët të 
luftonin ashpërsisht, duke lënë dhjetëra të vrarë dhe të plagosur, në
pikëmbështetjet e fortifikuara jashtë qytetit të Shkodrës. Nga frika e ndonjë
“Mushqetaje” dhe “Tirane” tjetër, komanda gjermane do të detyrohej të tërhiqte
forcat pa qëndresë brenda në qytet (ndryshe nga ç’kish bërë në Elbasan dhe
Tiranë) të gjente rrugëdalje dhe të kapte 
e  rindërtonte, me çdo sakrificë, edhe
urën e Bioçes në Mal të Zi.

 

Në mëngjes herët më 29 nëntor

Në mëngjes herët më
29 nëntor komanda e përgjithshme e UNÇSH 
në Tiranë do të njoftohej më radiogram për çlirimin e Shkodrës. Njoftimin
e Shtabit të Përgjithshëm e ka shpallur po atë ditë, me 29 nëntor,  Nako Spiru në një miting të rinisë
antifashiste që mbahej  në Tiranë (në
sheshin e sotëm “Nënë Tereza”) dhe që e transmetonte gjithashtu drejtpërdrejt
Radio Tirana. Të nesërmen, më 30 nëntor komiteti qarkor i Shkodrës do të  shpërndante një trakt të posaçëm në të cilin
njoftonte çlirimin e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Më 30 nëntor 1944 në Buletinin e Luftës Nacionalçlirimtare në faqen
e parë, lart, në një kornizë, me shkrim të theksuar, nën okelion “Ora e fundit”
shkruhej: “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare njofton: Repartet
e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, që veprojnë në veri të Shqipërisë, çliruan
Shkodrën”. Më 5 dhjetor 1944, Buletini i Luftës Nacional Çlirimtare, organ i
Shtabit të Përgjithshëm botonte një kronikë të shkëlqyer për çlirimin e Shkodrës
e të gjithë Shqipërisë me 29 nëntor nën titullin “Veprimet e korpusit të tretë
për çlirimin e Shkodrës”. Më 7 dhjetor 1944 gazeta “Mundimi”, organ i forcave
ajrore anglo-amerikane, nën titullin “ Shqipnija u çlirue” shkruante se “gjermanët
e thyen qafën. Shkodra  qyteti i fundit në
duer t’anmikut, u çlirue”. Në mes të dhjetorit 1944 në redaksinë e Buletinit të
LANÇ  një partizan shkodran dërgon një
kronikë të titulluar: “Me çlirimin e Shkodrës u çlironte e tanë Shqipnija…” Më
3 janar 1945, duke bërë bilancin e vitit 1944, Agjencia Telegrafike Shqiptare
(ATSH) kujtonte, se më 29 nëntor Radio Tirana transmetoi lajmin e çlirimit të
qytetit të Shkodrës nga Ushtria NÇ dhe po atë ditë, me 3 janar, këtë e botonte
edhe gazeta “ Bashkimi”.

 

Shtypi

 

Gazeta e Ushtrisë,
“ Luftëtari” më 10 korrik 1945, në një shkrim me titull “Brigadat që çliruen
qytetet tona” , shkruante për çlirimin e Shkodrës me 29 nëntor 1944. Në shtator
1945, me vendim të organeve lokale, gjimnazi i Shkodrës merr emrin “ 29 nëntori”.
Ndërsa me 9 nëntor 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist NÇ vendos që 29 nëntori,
si ditë e Çlirimit  të Shqipërisë, të
shpallej festë zyrtare. Kjo datë është shpallur 
festë zyrtare   edhe me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të
kohës së Demokracisë  dhe festohet e do të
festohet gjithnjë, në shenjë nderimi  për
ata që dhanë jetën dhe luftuan  për çlirimin
e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Më 29 nëntor 1944 u mbyll lufta epike
Nacionalclirimtare e popullit shqiptar, që rivendosi pavarësinë e  Atdheut, e shkëputi Shqipërinë nga blloku
nazifashist, ku e kishin futur kuislingët dhe e vuri në radhën e  koalicionit të madh antifashist botëror.