Zyrtarizohet koalicioni opozitar/ PD, LSI, PR, PBDNJ, PDK, PAA, PDIU, nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me 10 pika. Basha: Nuk do të ketë më zgjedhje false! Protesta do të masivohet në gjithë vendin. Opozita që nesër bllokon akset kombëtare

433
Sigal

10 pikat e marrëveshjes. Nga dita e nesërme  Opozita e Bashkuar do të fillojë bllokimin e akseve kombëtare

Zyrtarizohet koalicioni opozitar, Basha: Nuk do të ketë më zgjedhje false!

Jakup B. GJOÇA

Dje PD-ja dhe partitë aleatë të saj, LSI, LZHK, PDK, PBDNJ, PAA dhe PDIU nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, e cila përbën edhe zyrtarizimin e koalicionit opozitar. Secila nga partitë aleate të PD-së nënshkroi me kryetarin e PD-së Lulzim Basha një marrëveshje bashkëpunimi në planin bilateral.

Nënkryetari i PD-së, Spaho: Nga nesër bllokohen akset kombëtare

Nënkryetari i PD-së, dje deklaroi se Opozita e Bashkuar, që nga nesër do të fillojë të bllokojë akset kombëtare. Edmond Spaho: Duke filluar nga e enjtja do të fillojmë me bllokimin e rrugëve, akseve kombëtare në të gjithë vendin për një periudhë kohe të caktuar, një orë. Më vonë, do të rritet edhe koha e bllokimit të akseve kombëtare.

Basha:  Angazhimi kryesor i koalicionit. Kurrë më s’do të pranojmë një proces zgjedhor falso

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, pasi nënshkroi marrëveshjen me krerët e partive aleate, LSI, LZHK, PDK, PBDNJ, PAA dhe PDIU deklaroi se koalicionit opozitar, në ditët në vijim do t’i shtohen edhe parti të tjera. Basha zbardhi edhe qëllimin kryesor të koalicionit opozitar. Basha: Angazhimi i parë dhe kryesor i koalicionit. Kurrë më s’do të pranojmë një proces zgjedhor falso të diktuar nga krimi, që prodhon një Parlament fals, kukull të interesave të oligarkisë, e qeveri false, vegël të oligarkisë. Angazhohemi po kështu të çojmë përpara Reformën në Drejtësi, larg ndikimeve politike, duke nisur me dhënien fund të krizës kushtetuese, funksionimin e gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.”, tha Basha.

Bindja Demokratike, opozitë falso

Dje u zyrtarizua edhe krijimi i partisë së re Bindja Demokratike, ku kryetar i saj është Astrit Patozi. Kryetari i PD-së Lulzim Basha u pyet edhe për partinë e re nga Astrit Patozi dhe Rudina Hajdari, të cilën ai e quajti “opozitë false”. “Gjeneza e të keqes ku ndodhemi janë zgjedhjet false të diktuara nga krimi, prandaj nuk do të ketë më zgjedhje false, parlament fals, qeveri false, drejtësi false, prandaj nuk do të ketë më as opozitë false”, tha Basha. Kjo fillon pikësëpari për t’i dhënë fund krimit elektoral dhe zgjedhjeve false. Kurrë më s’do të pranojmë një parlament false, e qeveri false. Gjeneza e të keqes ku ndodhemi janë zgjedhjet e diktuara nga krimi, prandaj nuk do të ketë më qeveri falso, prandaj nuk do të ketë më as opozitë falso.

 

10 pikat  e marrëveshjes së koalicionit opozitar

Krijimi i një koalicioni të bashkuar opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

Partitë nënshkruese të këtij koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje, vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Rruga e vetme për krijimin e zgjedhjeve të lira është një qeveri tranzitore me mandat të posaçëm.

Partitë e koalicionit opozitar nuk do të lexojnë asnjë farse elektorale.

Pamundësimi i zgjedhjeve farse të diktuara nga pakti i Ramës me krimin.

Rikonfirmojmë vullnetin tone se BE është rruga e vetme për ti dhënë fund tranzicionit.

Angazhohemi për një marrëveshje për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia.

Angazhohemi për lufte pa kompromis ndaj krimit të organizuar.

Mbështesim liritë dhe të drejtat themelore të qytetareve të cilët dhunohen nga veprimet arbitrare te institucioneve shtetërore.

Angazhohemi për çdo individ apo parti te identifikuar si opozitare.

Kryemadhi: Asnjë hap pas, s’ka zgjedhje me Edi Ramën

Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes me PD-në dhe partitë e tjera opozitare është fryt i agjendës së mirëorganizuar prej 1 viti. Kryemadhi: Sigurisht aksionit opozitar i shtohet një element tjetër shumë i rëndësishëm. Tashmë kanë strategjinë, platformën dhe alternativën e opozitës, është shumë e qartë, ju do të njiheni menjëherë mbas kësaj, vjen si rezultat i gjithë kësaj agjendë opozitare e mirëorganizuar prej 1 viti, e cila përfundon sot në nënshkrimin e një koalicioni të përbashkët opozitar përballë, një shteti të kapur nga krimi i organizuar, e cila garanton mbi të gjitha zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo marrëveshje është flamuri i shpresës për shqiptarët, për të rinjtë dhe të rejat dhe për të gjithë ata, të cilët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe familjen e tyre në Shqipëri. Ne jemi anëtar të BE-së, vërtet nuk jemi institucionalisht me flamur të ngritur në Bruksel, por Shqipëria është vend që Zoti e ka vendosur në mes të Bashkimit Evropian dhe duke qenë në mes të BE-së çdo përpjekje e Edi Ramës dhe bandave kriminale për ta mbajtur Shqipërinë larg BE-së është e dështuar. Absolutisht nuk ka asnjë lloj tërheqje, këtu nuk është problemi Edi Rama individ, këtu është problemi Edi Rama fenomen, i cili është telekomanda e krimit të organizuar shqiptar dhe ndërkombëtar i cili e ka kthyer Shqipërinë në kështjellën mbrojtëse të grupeve kriminale. Mjafton të lexoni raportin e DASH dhe e kuptoni shumë mirë se çfarë është Shqipëria.

Agron Duka, kryetari i PAA: Qeveri tranzitore, para se të shkojmë në zgjedhje

Marrëveshja e koalicionit opozitar është një akt politik nëpërmjet të cilit ne si opozitë e bashkuar, shpallim vendosmërinë tonë për të mos u bërë pjesë e një procesi zgjedhor fasadë, sikurse është ai i 30 qershorit. Njëkohësisht me marrëveshjen ne deklarojmë vendosmërinë tonë për t’u regjistruar në zgjedhje vetëm  kur të ekzistojnë të gjitha garancitë që ato do të jenë të lira dhe të ndershme. Gjithashtu, në këtë platformë bashkëpunimi, parashikohet vullneti i përbashkët për realizimin e Reformës Zgjedhore si dhe eliminimi i pabarazisë mes partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Ky është një sinjal pozitiv për jo vetëm për partitë sigluese të marrëveshjes por edhe për shoqërinë shqiptare, e cila e konsideron ndryshimin e rregullave të lojës një element thelbësor për përmirësimin e sistemit politik dhe përfaqësimit qytetarë në organet vendimmarrëse. Simbolikisht marrëveshja u firmos në ditën e fundit të vlefshme për regjistrimin në zgjedhjet e 30  qershorit, gjë që nënkupton vullnetin e opozitës për të kërkuar zgjidhje, nëpërmjet qeverisë tranzitore, përpara se të shkojë në zgjedhje.

Nard Ndoka, kreu i PDK-së: Marrëveshja është hap drejt zgjedhjeve të lira

Unë e falënderova edhe liderin demokrat, edhe PD për faktin që ka ruajtur mozaikun e vlerave të përfaqësimit. Sot Rama ndodhet i vetmuar pavarësisht se ka thirrur disa parti që nuk i ka përjashtuar akoma në koalicion. Ndryshe nga e majta e çoroditur, kemi ngritur një ekip në një kohë që Rama po tenton të garojë me një ekip me të cilin dështoi në parlament. I bëj thirrje zotit Rama të kuptojë realitetin e politikës shqiptare, dhe faktin që opozita është garancia e këtij sistemi. Jemi të vendosur të zhvillojmë zgjedhje të lira pa Ramën kryeministër, për të hapur një axhendë evropiane.

Shehi, kryetar i LZHK-së: Ne kemi marrë një premtim nga Basha për të ndryshuar sistemin zgjedhor

Ne nuk jemi kundër negociatave, por ajo që negociohet duhet të jetë një gjë e madhe dhe me vlerë. Duhet të ndryshohet sistemi dhe njerëzit si pjesë përbërëse të këtij sistemit. Ne tentojmë të ulim gardhin që të kemi mundësi të bashkëpunojmë me parti të ndryshme, dhe partnerë të tjerë. Ne kemi marrë një premtim nga Basha për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Duhet të bashkojmë Shqipërinë dhe të largojmë shqiptarët nga flamujt partiakë, Jemi bashkuar me bindjen që Basha të sakrifikojë interesat e tij për të mirën e përgjithshme të Shqipërisë. Por një parti që regjistrohet në KQZ në ditën e fundit, pa program nuk më pëlqen, mund të ishte bërë 6 muaj më parë p.sh., Pushteti me politikën janë gjëra të ndryshme. Këta janë marrë me pushtetin. Politikë bëhet  dhe pa qenë në pozitë.