Zyrtarisht nga Komisioni i Venecias: Presidenti nuk mund të shkarkohet

546

Shtyrja e zgjedhjeve pa një bazë të qartë ligjore, është tejkalim i Kushtetutës, por jo shkak për shkarkimin e Presidentit”, ky është konkluzioni i Opinionit të Komisionit të Venecias në përgjigje të kërkesës së dërguar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas ekspertëve të Komisionit të Venecias, e drejta e Presidentit për të shtyrë ose anulluar zgjedhjet është e diskutueshme dhe nuk mund të ushtrohet pa një bazë të veçantë ligjore.

Qëllimi legjitim i ruajtjes së rendit kushtetues mund të justifikojë shtyrjen e zgjedhje në situata të jashtëzakonshme, të tilla si gjendje lufte ose fatkeqësi natyrore. Kur një krizë e rëndë prek vendin, zgjedhjet me të vërtetë mund të përkeqësojnë konfliktet politike dhe mund të jetë e nevojshme për të kërkuar një zgjidhje të krizës. Në kushte shumë të jashtëzakonshme mund të jetë detyrë e autoritetet të shtyjnë zgjedhjet me qëllim të uljes së tensioneve dhe t’i japin votuesve mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në një kontekst të sigurt dhe të rregulluar.

Mirëpo, Sipas Komisionit të Venecias Presidenti mund t’i referohet vetëm një situate krize që është nën nivelin e veprimit të masave të jashtëzakonshme. Prandaj një “nivel më i ulët” i krizës nuk mund të justifikojë anulimin ose shtyrjen e zgjedhjeve nga një organ publik, që nuk e ka shprehimisht këtë të drejtë.

Garantimi i zgjedhjes mes disa alternativave, shmangia e mundshme e konflikteve në shoqëri dhe ruajtja e demokracisë, mund të konsiderohet si qëllime të ligjshme për shtyrjen e zgjedhje. Por, edhe pse Presidenti mund të ketë ndjekur një qëllim të ligjshëm për shtyrjen e zgjedhjeve, as Kushtetuta dhe as Kodi Zgjedhor nuk përcaktojnë ndonjë fuqi të përgjithshme që Presidenti të anulojë zgjedhjet dhe të caktojë një datë të re. Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se bojkoti i zgjedhjeve nga partitë kryesore të opozitës nuk është shkak i mjaftueshmë për të shtyrë apo anuluar zgjedhjet.

Duke marrë në konsideratë qëllimin legjitim që ka ndjekur Presidenti dhe veprimet e kryera prej tij, edhe pse vlerëson se për këtë vendimin duhet ta marrë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni i Venecias, është i mendimit se anulimi dhe shtyrja e më vonshme e zgjedhjeve lokale nuk plotësojnë kriteret e domosdoshme për t’u konsideruar një shkelje e rëndë e Kushtetutës që sjell shkarkimin e Presidentit.

Në përfundim të Dokumentit prej 19 faqe, Komisioni i  Venecias arrin në konkluzionin se:

1. Në mungesë të një dispozite ligjore të posacme, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm në një situate që plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme.

2. Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen nga autoritetet shtetërore të masave të jashtëzakonshme. Në rastin konkret, rregullat kushtetuese për marrjen e masave të jashtëzakonshme nuk janë ndjekur në këtë rast dhe as nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte këtë krijimin e një baze ligjore ad hoc për shtyrjen e zgjedhjeve.

3.  Anulimi i zgjedhjeve ndikon gjithashtu në të drejtat për të zgjedhur të njohura instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe çdo ndërhyrje kërkon respektimin e parimit të proporcionalitetit.

4. Mungesa e një baze ligjore dhe disponueshmëria e alternativave (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave të jashtëzakonshme sipas nenit 170 të Kushtetutës ose rifillimit të dialogu politik pas zgjedhjeve) bën ndërhyrjen në të drejtat pë të zgjedhur joproporcionale.

5. Bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektorati nuk mund të ndalojnë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të kishin një mjet për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje.

6. Megjithëse Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale pa një bazë të veçantë ligjore, rrethanat që e diktuan mund të çojnë në përfundimin se akti i tij nuk mund të jetë i një natyre mjaft serioze që passjell shkarkimin e Presidentit.