Zyrtarisht: Anulohen zgjedhjet e 30 qershorit/ Zbardhen argumentet për shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore. Rrezikonte konflikt civil e social dhe përjashtonte pjesëmarrjen e qytetarëve. Flasin Nishani, Bylykbashi, Av. Goxhaj dhe Gjoça

666
Sigal

Ish-Presidenti Nishani: Meta është interpretuesi i parë i Kushtetutës, s’mund ta gjykojnë


Ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka komentuar, situatën e fundit politikë ne vend, ku Presidenti Ilir Meta çdekretoi vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor “Gjithkush ka të drejtë të ketë fjalën e tij, të bëjë analizën e tij, por askush, që nga kryetari i qeverisë dhe përfaqësues të politikës nuk kanë tagrin kushtetues të bëjnë gjykim mbi një vendim të Presidentit. Sepse Presidenti i Republikës është i paraparë si interpretuesi i parë u Kushtetutës. Interpretuesi i parë sipas Gjykatës Kushtetuese është Presidenti, dhe përfundimtar është Gjykata Kushtetuese Ai ka bërë interpretimin e tij sipas Kushtetutës. Ka shfrytëzuar tagrin e tij kushtetues, ka nxjerrë një dekret dhe e ka ç’dekretuar dhe gjithkush që nuk ka mospajtim shkon të Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës i ka të dyja anët e medaljes, ka edhe gjykimin politik, edhe atë të një shtetari. Sjellja politike nuk është vetëm partizane, por edhe në kuptimin politik. Në aspektin kushtetues ka përmbushur dy nga detyrat thelbësore që ka Presidenti i Republikës. Ka si detyrim nr 1 kushtetues përfaqësimin e unitetit të popullit dhe duhet të garantojë unitetin e popullit që e ka bërë duke e lënë të çohet në përplasje civile. Ka garantuar pluralizimin në Shqipëri. Nëse në kthehemi në një sistem monist, atëherë kthehemi pas në kohë”,- tha ish presidenti Nishani

Oerd Bylykbashi: Precedenti i harruar që i jep të drejtë Presidentit

Presidenti sapo anuloi 30 qershorin si datë zgjedhjesh vendore. Presidenti e bëri të qartë që data e re do të caktohet në një datë të përshtatshme‎. Por sot kemi një boshllëk. Ky boshllëk ka një precedent që dikur shpëtoi zgjedhjet dhe këtë precedent e ka vendosur Parlamenti dikur në vitin e largët 2005. Listat e zgjedhjeve të vitit 2000 ishin krejtësisht të manipuluara. 600 mijë emra (25%) të listës prej 2,4 milionë zgjedhësish‎ ishin të dubluar dy apo më shumë herë dhe 150 mijë prej tyre ishin rekorde fantazmë, të falsifikuar, që nuk figuronin fare në regjistrat e gjendjes civile. 100 zonat zgjedhore një emërore për zgjedhjet për Kuvendin‎ e vitit 2001 u hartuan mbi bazën e kësaj liste zgjedhësish të manipuluar. Rezultati ishte një hartë zonash zgjedhore e manipuluar rëndë në Jug të Shqipërisë ku PS ishte e fortë, një mandat zgjedhës u fitua deri edhe me 40% më pak vota se në Veri, duke i dhënë avantazh në tavolinë PS kundër opozitës. Njësoj siç PS bëri me hartën e ndarjes territoriale në 2014-n për të fituar avantazh në hartën e bërë mbi tavolinën e PS. Reforma 2002-2003 konstatoi këtë deformim të rëndë të standardeve të zgjedhjeve dhe me marrëveshjen e PS dhe PD, të 17 majit 2003, u ra dakord që zonat zgjedhore për zgjedhjet e 2005 të ribëheshin. Por në nëntor të vitit 2004 mazhoranca e ‎PS ndërpreu njëanshmërisht procesin e hartimit konsensual të 100 zonave të reja zgjedhore, sepse vendosi të mbante zonat e vjetra dhe të shfrytëzonte avantazhin. Opozita, si kundërpërgjigje bllokoi në dhjetor 2004 miratimin e amendamenteve të reformës zgjedhore të viti 2004. Kriza politike që u nxeh shpejt, u zgjidh me një marrëveshje në ditët e fundit të dhjetorit 2004. PS dhe PD ranë dakord, me negocim të OSBE, që ligji i 100 zonave zgjedhore të shfuqizohej pa miratuar një ligj të ri që ta zëvendësonte. Në janar 2005 Parlamenti shfuqizoi ligjin duke krijuar vakum jo vetëm në legjislacion, por në vetë sistemin zgjedhor që 100 mandate i zgjidhte me zona një emërore dhe 40 mandate i zgjidhte me lista proporcionale. Kuvendi caktoi muajin mars 2005 si afat për ligjin e ri. Kjo krijoi një vakum gjigant ligjor, sepse pa këtë ligj mungonte baza ligjore për 71% të mandateve të Kuvendit. Pa këtë ligj, dhe pa një ligj të ri, zgjedhjet e korrikut 2005 nuk mund të zhvilloheshin dhe askush nuk kishte garanci që ligji i ri do të miratohej përpara zgjedhjeve. Pra, VULLNETI POZITIV POLITIK i palëve politike për të bërë zgjedhje me standarde demokratike ishte ‎thelbësor që të arrihej marrëveshje dhe ligji i ri të plotësonte boshllëkun jo thjesht ligjor që shkaktoi Kuvendi, por me pasojën kushtetuese të mosmbajtjes së zgjedhjeve Por atëherë Kryeministër dhe kryetar i PS ishte Nano, që bënte marrëveshje. Në mars 2005 u miratuan me konsensus 100 zonat e reja zgjedhore në Kuvend, zgjedhjet u zhvilluan, ndodhi rotacion demokratik paqësor dhe kriza e dhjetorit 2004 u harrua. Por precedenti që Kuvendi vendosi duke krijuar një boshllëk ligjor për të çuar në zgjidhje të përbashkët për zgjedhje demokratike dhe që sot i hapi rrugën Presidentit është aty.

KQZ nuk ka kompetencat e Gjykatës Kushtetuese që të diskutojë, nëse është i vlefshëm apo i pavlefshëm dekreti i Presidentit!

Avokati Altin Goxhaj

A mund të kundërshtohen në Gjykatë Administrative Dekreti i Presidentit për Zgjedhjet? S’ka asnjë mundësi ligjore! Ai mund të ankimohet vetëm në Gjykatë Kushtetuese, pasi caktimi i datës së Zgjedhjeve është akt i natyrës juridiko-kushtetuese: [Neni 92 (pika gj.) i jep fuqi ekskluzive Presidentit ku përcaktohet se ai “cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;”]! Sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese me vendimin nr. 25, datë 13.2.2002 është përcaktuar se cilat lloje dekretesh mund të ankimohen në Gjykata Administrative: – vetëm ato me karakter individual (p.sh., emërim apo shkarkim prokurorësh, gjykatësish etj). Pra, Dekreti i Presidentit për shfuqizimin e ditës së Zgjedhjeve, që të konsiderohet Akt Administrativ Individual dhe që të kundërshtohet për pavlefshmëri absolute në Gjykatë Administrative duhet të kishte efekt mbi një individ të caktuar nominalisht. Ndërkohë Dekreti për caktimin e datës së Zgjedhjeve nuk është as akt administrativ nënligjor sipas përcaktimit të Nenit 3 të Kodit të Procedurës Administrative (2. “Akt normativ nënligjor” është çdo shprehje e vullnetit nga një organ publik, në ushtrimin e funksionit të tij publik, që rregullon një apo disa marrëdhënie juridike, duke vendosur rregulla të përgjithshme të sjelljes dhe nuk është i shteruar në zbatimin e tij.). Po ashtu, sipas doktrinës juridike të unifikuar gjatë viteve akti normativ nënligjor është akt administrativ që del në bazë dhe për zbatim të një ligji dhe jo Kushtetutës dhe prandaj ka karakter nënligjor dhe jo “nënkushtetues”. E vetmja Gjykatë që mund të shqyrtojë është Gjykata Kushtetuese, sepse sipas: • Neni 92 (pika gj) të Kushtetutës Presidenti “cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;”

  • Neni 93 “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.”
  • Neni 94 “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.”

Pra, nëse ka pretendime që Presidenti ka shkelur rëndë kompetencat e përcaktuara në Kushtetutë, apo ndonjë institucion (si KQZ sot) që pretendon se Dekreti i President është nul, Kushtetuta i jep përgjigje të menjëhershme nëpërmjet Neni 131 ku shprehimisht thuhet se:

“1. Gjykata Kushtetuese vendos për:

ç) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;”.

Nëse KZQ nuk ndërpret procedurat për Zgjedhje në një datë pa dekret apo, nëse gjykata të tjera (pra jo Gjykata Kushtetuese) sipas urdhrave të hierarkisë sorosiane të drejtësisë dhe Qeverisë apo nën kërcënimin e Vetingut të Soros, guxojnë të vazhdojnë çmendurinë antikushtetuese, kjo konsiderohet Grusht Shteti dhe sipas Kodit Penal, Neni 224 dhe 246, të gjithë personat e përfshirë dënohen me burg!

Denar Biba, kamikazi partiak në KQZ, minoi besueshmërinë e procesit zgjedhor

Jakup B. GJOÇA

Denar Biba, që shantazhoi Gjykatësin e Strasburgut dhe gjykatat në Shqipëri nuk e dënuan, sepse ka imunitet politik, dje në KQZ, veshi edhe atributet e gjithë trupës së Gjykatës Kushtetuese, duke marrë një vendim në emër të KQZ-së, për të mos njohur dekretin e Presidentit të Republikës. KQZ-ja është një institucion kushtetues, detyra e së cilës është që të zbatojë verbërisht çdo dekret të Presidentit që ka të bëjë me procesin zgjedhor, pa pasur aspak të drejtë ligjore që të vlerësojë dhe gjykojë asnjë dekret të Presidentit të Republikës. KQZ-ja nuk ka asnjë tagër kushtetues që të vlerësojë dekretet e Presidentit të Republikës, por, meqë 4 anëtarët e KQZ-së janë përfaqësuesit politikë të Partisë Socialiste, ata, në rolin e kamikazit partiak, injoruan Kushtetutën dhe, duke luajtur rolin e militantit të Partisë, morën një vendim politik për të hedhur poshtë dekretin e Presidentit të Republikës, duke na thënë, se ligji për ata nuk është Kushtetuta, por Partia!… Me këtë vendim, të 4 anëtarët e KQZ-së, me Denar Bibën, na dëshmuan që në KQZ nuk janë për të respektuar dhe zbatuar Kushtetutën,për vetëm e vetëm që të zbatojnë qorrazi çdo urdhër të partisë, edhe kur interesat partiake dëmtojnë gjithë besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe siç thotë proverbi i popullit, Denar Biba me 3 anëtarët e PS-së në KQZ janë ujku, që e kanë vënë të ruajë delet. Vendimi i Denar Bibës dhe 3 anëtarëve të tjerë të KQZ-së, për të injoruar dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, si edhe vendimi i para disa ditësh, që nuk pranuan kërkesën e opozitës për të pasur komisionerë në KZAZ, na bindi edhe një herë, sesa e domosdoshme është reformimi i thellë i administratës zgjedhore, duke filluar që nga KQZ-ja e deri tek komisionet e numërimit të votave, departitizimi dhe depolitizimi i saj. Denar Biba dhe 3 anëtarët e tjerë të kësaj KQZ-je na bindën se procesi zgjedhor me përfaqësues partiakë si administratorë të procesit nuk ka besueshmëri në zgjedhje, nuk ka zgjedhje të lira, nuk ka zgjedhje të ndershme. Kryeministri Rama, me ushtarët partiakë në krye të KQZ-së, na dëshmoi se ka marrë peng të gjitha pushtetet.