Zyrtari i CDU-së: Çdo parti vendos vetë se çfarë bën me mandatet e saja!

492
Sigal

Përfaqësues i partisë gjermane CDU Martin Henze, i cili ka vizituar Shqipërinë, ka deklaruar se djegien e mandateve nga opozita e ka sjellë mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

Henze shprehet se e kupton situatën e opozitës, e cila sipas tij u detyrua të digjte mandatet në një kohë kur nuk ka patur asnjë mundësi të apelojë vendimet e qeverisë.

“Çdo parti vendos vetë se çfarë bën me mandatet e saj, në Europë ka mendime kontradiktore, këtu vijnë informacione të filtruara.

Opozitës në Kuvend i është mohuar e drejta parlamentare, pasi nuk ka asnjë mundësi për të apeluar vendimet e marra nga shumica.

Dorëheqja nga mandatet, vendimi demokratik i tyre, protestat janë legjitime, nuk cënohet e drejta e qytetarëve të tjerë. Edhe në Gjermani ka pasur protesta të fuqishme. Protestat ndodhin në të gjithë botën, mund të jenë edhe më emocionale sesa duhet”, është shprehur Henze në një deklaratë për mediat.

Nga ana tjetër, zyrtari gjerman tha se duhej një interpretim nga Gjykata Kushtetuese për prurjet e reja në Kuvend, duke qenë se deputetët e rinj vijnë nga një listë partiake dhe nuk janë drejtpërdrejt të zgjedhur nga populli.

“Duke qenë se deputetët vijnë nga një listë partiake, atëherë është votuar partia dhe jo deputeti. Prandaj kjo çështje lë debat sa kohë që Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehet”, tha Henze.

Zyrtari i CDU-së kërkoi pjekuri nga të dyja palët politike.