Zyrtarë të lartë të SHBA dhe BE vizitojnë brenda dy ditësh Shqipërinë

37
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë do të vizojnë brenda dy ditësh Shqipërinë.
Me 12 korrik do të mbërrijë në Tiranë Viktoria Nuland, zëvendës ndihmëse sekretarja amerikane e shtetit, ndërsa me 14 korrik në kryeqytetin shqiptar vjen Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz.
Vizitën e zyrtarit europian e njoftoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
“Ditën e martë, më datë 14 korrik në orën 11:00, të gjithë deputetët janë të ftuar këtu për të marrë pjesë në seancën ku do të përshëndesi Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz”.
Schulz pritet të ketë takime me krerë të lartë të shtetit dhe politikës, por axhenda zyrtare ende nuk është bërë e ditur.
Ndërkaq Viktoria Nuland do të vizitojë Ballkanin Perëndimor nga 11-14 korrik. Nuland do të nisë turin me pjesmarrjen në forumin e Kroacisë me 11 korrik, ku pritet të mbajë një fjalim lidhur me marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor dhe ato Transatlantike.
Me 12 korrik Nuland do të ndalet në Mal të Zi dhe Shqipëri, ku sipas lajmërimit të Departamentit Amerikan të Shtetit do të takojë krerët e shtetit dhe do të diskutojë mbi marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe ato të integrimit euroatlantik.
Axhenda e zyrtares amerikane vijon me datën 13 korrik në Kosovë e Serbi dhe 14 korrik në Maqedoni.
Më pas Nuland udhëton drejt Britanisë së Madhe dhe me 17 korrik do të jetë në Bruksel