Zyrtare! Halim Kosova kandidat i PD-së për Bashkinë e Tiranës

185
TIRANE – Erion Veliaj dhe Halim Kosova do të jenë dy emrat që do të përballen në garën për Bashkinë e Tiranës. Dy emrat u prezantuan thuajse në të njëjtën kohë nga krerët e partive, përkatësisht Edi Rama dhe Lulzim Basha. 
“Kemi finalizuar edhe procesin e Tiranës. Për këtë do të flasim edhe më gjatë. Por shkurtimisht kandidati ynë për Tiranën do të jetë Erion Veliaj.”- tha kryeministri Rama, njeherazi kryetari i Partisë Socialiste në një dalje të shkurtër për mediat pas takimit që ka zhvilluar me deputetët e PS në ambientet e selisë rozë.
Ndërsa Partia Demokratike ka shpalluar zyrtarisht Halim Kosovën, si kandidatin e opozitës për Bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës. Dr. Halim Kasova nuk është prezantuar në selinë e Partinë Demokratike, por tek lulishtja përballë Muzeut Kombëtar, për të ruajtur profilin e tij jopartiak dhe të pëlqyer nga qytetarët. Muajt e fundit të mandatit të qeverisë Berisha, Halim Kosova mbajti postin e ministrit të Shëndetësisë ndërsa për shumë vite ishte drejtor i spitalit “Mbretërsha Geraldinë”. 
Basha: Qytetarët e Tiranës donin një mjek, jo një politikan
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se qyteti i Tiranës kërkon “një përqasje dhe një përkushtim të ri” dhe për këtë arsye, kandidati i PD-së do të jetë një mjek e jo një politikan. “Sot, i jap zë një ndjenje konsensusi të përgjithshëm që ka rrokur të djathtë e të majtë. Njoftoj një vendim që nuk i takon vetëm PD-së, por është zëri i mijëra qytetarëve të cilët kanë vendosur t’i besojnë qytetin e tyre një përqasjeje dhe përkushtimi të ri, që vjen duke zgjedhur një mjek dhe një politikan. Një njeri që i ka shërbyer qytetarëve dhe që ka luftuar klientelizmin: Halim Kosova”, deklaroi Basha.
Halim Kosova: E di që duhet punë, do përvesh mëngët
“Falenderoj Partinë Demokratike që më kandidoi, falenderoj strukturat dhe qytetarët e Tiranës. E di sa punë duhet për ndryshimin, por jam i bindur dhe besoj që çdo njeri që ka mundësi të kontribuojë, duhet të punojë për ta çuar Tiranën tonë të dashur aty ku duhet”, tha kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës”, tha Halim Kosova.

Po ashtu Partia Demokratike ka vijuar me zyrtarizimin e kandidaturave për bashkitë e vendit. Kështu për bashkinë e Rrogozhinës PD kandidon Eqerem Deliun, në Konispol është kandidati Malo Myrtaj, në Përmet kandidon për të djathtën Niko Shupuliu, ndërsa në Pogradec PD vendosi të kandidojë Eduart Kaprin ndërsa në Mallakastër PD kandidon Agron Kapllanajn.
Kandidatët e zyrtarizuar deri më tani nga PD
Bashkia Rrogozhinë – Eqerem Deliu
Bashkia Konispol – Malo Myrtaj
Bashkia Përmet – Niko Shupuli
Bashkia Pogradec – Eduart Kapri
Bashkia Mallakastër -Agron Kapllanaj
Bashkia Durres -Grida Duma
Bashkia Berat – Kasem Mahmutaj
Bashkia Kucovë – Muslim Haxhia
Bashkia Kukës – Bashkim Shehu
Bashkia Korcë – Gjergji Mero
Bashkia Fushë Arrëz – Gëzim Vata
Bashkia Përrenjas – Bajazit Karriqi
Bashkia Maliq – Xhevdet Belishta
Bashkia Lushnje – Darien Xhindoli
Bashkia Peqin – Albert Kreci
Bashkia Pukë – Rrok Doda
Bashkia Burrel – Nezir Rizvani 
Bashkia Klos – Basir Cupa
Bashkia Divjakë – Irakli Gorea
Bashkia Belsh – Asqeri Kuqja
Bashkia Tropojë – Besnik Dushaj
Bashkia Elbasan – Ardian Turku
Bashkia Kamzë – Xhelal Mziu
Bashkia Gjirokastër – Igli Kokalari
Bashkia Libohovë – Altim Çomo
Bashkia Gramsh – Kodhel Cala
Bashkia Ura vajgurore – Buaj Hoxha
Bashkia Patos – Luan Mustafaj
Bashkia Vau i Dejes – Zef Hila
Bashkia Delvinë – Dhurim Alinani
Bashkia Roskovec – Gëzim Caushi