Gazeta Telegraf/
Zëvendës Ministrja e Integrimit Europian, znj. Erisa Xhixho mori pjesë në ceremoninë
e ndarjes së certifikatave të përfaqësuesve të medias të cilët u bënë pjesë e trajnimit tre
ditor “Komunikimin
për Europën dhe Çështjet e Integrimit Europian”.
Ky trajnim vjen si një bashkëpunim i
Ministrisë së Integrimit Europian me EU-info Center dhe Delegacionin e
Bashkimit Europian dhe të pranishëm ishin gazetarë nga Tirana, Shkodra dhe
Vlora.
Gjatë përshëndetjes së saj, zv. Ministrja Xhixho vlerësoi kontributin e
gazetarëve në informimin e qytetarëve për vijimësinë e procesit të integrimit
duke e cilësuar atë të vështirë dhe kompleks.
“Ministria e Integrimit Europian, ka prioritetin e saj kryesor informimin e
publikut për çdo hap që ne hedhim drejt BE-së, pa ju ky informim do të ishte i
pamundur. Procesi i integrimit mund të jetë i suksesshëm vetëm me hapjen e shoqërisë,
dhe roli juaj për tejçimin e informacionit është thelbësor ”, tha Xhixho.
Zv. Ministrja Xhixho tha se mbështetja e publikut për procesin e integrimit
nuk do të ishte kaq e madhe sa sot nëse media nuk do të luante këtë rol.
“Jam e bindur se media, është një
nga fokus grupet që duhet ta njohë në thellësi këtë proces, në mënyrë që të
përcjellë te qytetarët mesazhet e
duhura, përmbajtjen e duhur, por dhe të jetë nxitëse për axhendën europiane të
Shqipërisë”, u shpreh zv. Ministrja Xhixho