Zv Kryeministrja Senida Mesi zhvillon takim me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi

418
Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi është takuar sot me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi. 
Gjatë takimit, të dyja palët janë dakordësuar për të vijuar më tej intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në çdo lloj niveli dhe kanë ndarë bindjen se Mbledhja e Parë e Përbashkët mes dy qeverive pak ditë më parë në Pogradec dhe marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të saj, do të shërbejnë si një mekanizëm i qëndrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Nismat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria e Maqedonisë janë vlerësuar nga Znj. Mesi si tejet inkurajuese dhe pozitive për bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë.
Në kuadër të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, Zëvendës Kryeministrja Mesi ka ndarë mendimin për të pasur një pikë kufitare të vetme dhe ku zbatohen procedura më të thjeshtëzuara për qarkullimin e mallrave. Njëkohësisht, ajo ka shprehur bindjen se ndërtimi i linjës së konektivitetit prej 400 kilovoltësh mes Shqipërisë e Maqedonisë, Rruga e Arbrit dhe shumë projektet të tjera potenciale do t’i shërbejnë dukshëm një komunikimi më të gjerë ekonomik mes dy vendeve. 
Duke i garantuar Z. Xhaferi vijimin e mbështetjes së Shqipërisë për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë, ndër të tjera Znj. Mesi shtoi: “Procedura e njohjes së ndërsjellë të diplomave, gradave dhe titujve shkencorë, si dhe rihapja e linjës së tragetëve “Ohër-Shën Naum-Pogradec” gjatë sezonit të verës, janë të tjerë hapa inkurajues që mund t’i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve tona.
Nga ana tjetër, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, duke nënvizuar faktin se Shqipëria e Maqedonia janë në rrugën e duhur në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes tyre, shprehu mendimin se ka hapësirë për rritjen e bashkëpunimit dypalësh veçanërisht në fushën e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë. 
Ndër të tjera gjatë takimit, Z. Xhaferi është ndalur edhe tek nisma e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, për të cilën shprehu bindjen se do të kalojë brenda një kohe shumë të shkurtër. 


Sigal