Zv/Kryeministrja Mesi në ceremoninë “Dyert e së Nesërmes”: “Duhet forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit Shqipëri-Itali”

477
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë ambienteve të Kryeministrisë, u mbajt ceremonia e hapjes e ciklit të aktiviteteve “DoorsofTomorrow” (Dyert e së Nesërmes), organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe partnerë të tjerë. 
Pjesëmarrës në këtë organizim ishin Zv/Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, Ambasadori Italian AlbertoCutillo, përfaqësues të trupit diplomatik, politikanë, sipërmarrës, dhe anëtarë të ndryshëm nga media e shoqëria civile. 
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv/Kryeministrja Mesi vuri theksin tek miqësia e gjatë, marrëdhëniet e gjithanshme mes vendit tonë dhe Italisë, komunikimi i hapur e bashkëkohor mes tyre, si edhe tek bashkëpunimi i ngushtë që ekziston në çdo spektër. 
Duke nënvizuar rëndësinë e Italisë si një partner strategjik i vendit tonë dhe duke theksuar njëkohësisht mbështetjen e dhënë në çdo kohë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, Znj. Mesi shprehu bindjen gjithashtu se cikli i aktiviteteve “Dyert e së Nesërmes” përbën një potencial të jashtëzakonshëm në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në çdo sferë institucionale e shoqërore. 
Ky organizim i Sistemit Italian të Bashkëpunimit për Zhvillim në Shqipëri, i cili do të zhvillohet mes datave 1-8 Nëntor, 2017, nxjerr në pah rëndësinë e bashkëpunimit në çdo projekt mes Shqipërisë dhe Italisë, si rrugë e hapur drejt paqes, zhvillimit, stabilitetit dhe adresimit të sfidave të përbashkëta. 
Sigal