“Zoti Rama, edhe Shpk ta kishit PS, nuk do t’i eliminonit kështu kundërshtarët tuaj”

463
Sigal

Nga fjala e Koço
Kokëdhimës, mbajtur në Asamblenë e PS, ditën e dorëheqje-shkarkimit nga postet
në PS

Zoti kryetar,
edhe Sh.p.k-në tuaj ta kishit PS, do ishit më institucional kur eliminoni kundërshtarët
tuaj”

Të nderuar
anëtarë, të Asamblesë Koambëtare!

Dua t’a pyes kryetarin e Partisë Socialiste: Çfarë
jeni duke bërë? Ku jeni duke e çuar Partinë Socialiste? Nuk mund të burgosen
dhe shantazhohen idetë. Lërini të lirë njerëzit se jeni bërë gazi i botës.
Merru me qeverisjen e vendit se ajo është detyra jote. Mos i përndiq
socialistët e thjeshtë. Mua nuk më izolon dot.

Mimi Kodheli që u caktua në vendin tim në Vlorë,
në vizitën e parë që bëri në Këshillin Koordinativ të Qarkut dhe në Asamblenë
PS rajonale, deklaroi: “Unë jam Edi Rama me flokë, tani e mbrapa këtu drejtoj
vetëm unë”

Propozimi i
Kryesisë së Partisë Socialiste për shkarkimin tim nga Sekretar, u justifikua
publikisht me mungesat e mia në mbledhje. Në të vërtetë, unë kam munguar në
mbledhjet e qershorit dhe të korrikut, ndërsa nga gushti e këtej, nuk jam
njoftuar në mënyrë të qëllimtë, për të mos marrë pjesë në asnjë mbledhje. Në 18
tetor 2016, i shkruajta kryetarit të partisë këtë mesazh: “Dje ishte mbledhja e
radhës e kryesisë së PS-së, për të cilën nuk më keni njoftuar dhe nuk më keni
mundësuar pjesëmarrjen, njësoj siç bëtë edhe në shtator. Kjo ndodh, me siguri
me urdhrin tuaj. Edhe sh.p.k.-në tuaj ta kishit atë parti, do ishit më formal e
më institucional, edhe kur eliminoni ata që i shpallni kundërshtarët tuaj”! E
njëjta situatë ndodhi edhe në mbledhjen e dy javëve më parë, kur, megjithëse u
diskutua për shkarkimin tim, drejtuesit e partisë nuk më thirrën që të më
dëgjonit, të më jepnit mundësi për t’u shpjeguar e për t’u mbrojtur. Kjo është
një dëshmi tjetër se shkarkimi im kishte nisur shumë kohë më parë, pikërisht
kur Gjykata Kushtetuese hoqi mandatin tim në datën 9 maj 2016. Vetëm një ditë
më pas, u mblodh kryesia e partisë. Mua, qëllimisht, nuk më njoftuan që të marr
pjesë. Në këtë mbledhje, u zëvendësova nga funksionet e mia në Vlorë, pa asnjë
diskutim paraprak, pa asnjë njoftim, pa asnjë këshillim. Shoqja Mimi Kodheli që
u caktua në vendin tim në Vlorë, në vizitën e parë që bëri në Këshillin
Koordinativ të Qarkut dhe në asamblenë e partisë, deklaroi: “Unë jam Edi Rama
me flokë” dhe “tani e mbrapa këtu drejtoj vetëm unë”! Pasi drejtuesit e partisë
e kuptuan se sa i cekët e vetë-diskreditues ishte argumenti i mungesave të mia
në mbledhje, dje dhe parëdje bënë këtë mocion duke u marrë firmat 150 anëtarëve
të asamblesë.

Nuk jam duke ju treguar një histori personale, jam duke ju shpjeguar një
situatë politike shumë të mprehtë për ju dhe për gjithë veprimtarët anë e kënd
Shqipërisë, që kanë ambicie që të bëjnë karrierë politike në Partinë
Socialiste. Të gjithë e dinë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim
i urdhëruar politikisht. Unë nuk kam kryer asnjë veprim të gabuar dhe asnjë
shkelje ligjore. Megjithatë, u gjenda pothuajse krejtësisht i vetëm përballë
sulmeve të Saliut dhe të opozitës. Gjatë gjithë vitit të fundit të mandatit
isha vazhdimisht mes dy zjarresh, nga brenda Partisë Socialiste dhe nga
opozita. Gjyqi në Kushtetuese nuk ishte një betejë ligjore, nuk ishte as betejë
politike mes meje dhe Saliut. Gjyqi im në Kushtetuese ishte vazhdim i luftës së
brendshme politike në Partinë Socialiste, me duar e me mjete të tjera nga
jashtë partisë. Drejtuesit më të lartë të partisë sonë komplotuan kundër
mandatit tim, me qëllim që të eleminonin rolin, ndikimin dhe funksionet e mia
si deputet dhe si drejtues partie. Qeveria jonë ishte në dijeni përpara se të
shqyrtohej çështja në Kushtetuese, për vendimin që do të merrej nga kjo
gjykatë. Thelbësore është të kuptohet se në partinë tonë ka kaq shumë intriga,
keqdashje dhe pabesi. Në bazë kemi militantë të devotshëm e njerëz të
shkëlqyer, por kulturë të keqe e të mbrapshtë në drejtim. Jam shumë krenar për
qindra e mijëra socialistë dhe qytetarë, me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë
këtyre viteve. Krah për krah me ta, fituam të gjitha betejat elektorale e
politike në 5 bashkitë e jugut dhe në qarkun e Vlorës.
Në gjithë këtë komunikim të madh hartuam projektin për ta reformuar dhe
demokratizuar Partinë Socialiste. Struktura politike ishte e mbuluar nga
fiktiviteti, e marrë peng nga një grusht njerëzish, me organizata socialiste pa
anëtarë dhe me kryetarë të përjetshëm, që nuk zgjidheshin, por e kishin Organizatat
Socialiste, si pronë private. Një strukturë politike e shpartalluar, që nuk
garantonte asnjë standard e të drejtë statutore në zbatim. Unë udhëhoqa një
punë shumë të madhe, të bërë së bashku me kolegët e mi, ku u angazhuan me
mijëra vetë. E hapëm dhe 3-4 fishuam partinë. Të rinjtë vërshuan si kurrë më
parë. Anëtarësuam 16 mijë djem e vajza. U ngrit struktura rajonale dhe u trajnuan
shumë njerëz që prodhonin raporte çdo ditë. Përpunuam e trajtuam 20 deri në 30
mijë komunikime në muaj me qytetarët. Ne punuam në kushte shumë të vështira.
Ndërsa unë punoja ditë-natë, disa këtu në udhëheqjen e partisë e shkonin kohën
duke thurur intriga dhe shpifje. Reforma që zhvilluam kishte kundërshtarë të
egër, pikërisht ata funksionarë e zyrtarë të partisë që e kanë shaluar
sistematikisht pushtetin dhe Partinë Socialiste për interesat e tyre personale.
Mbas largimit tim, në qarkun e Vlorës u shpërbënë institucionet e reformës, u
mbyll struktura rajonale, po hiqen drejtues me arsim të vërtetë e integritet
dhe po vendosen drejtorë pa arsim e me diploma të blera; është rikthyer
arroganca në institucione, paraja në emërime dhe në shërbimet shtetërore.. PS-ja
ka një anëtarësi të shkëlqyer, njerëz besnikë e atdhetarë, qytetarë shembullorë
dhe familjarë të dhimbsur. Ajo vuan nga mungesa e demokracisë së brendshme, nuk
ka debat të shëndoshë, është një parti autokratike dhe drejtimi i saj është
arbitrar. Është e mbyllur për debatin, për mendimin ndryshe, nuk është në
gjendje që të përfshijë qytetarët në politikë-bërje e në mirëqeverisje.
Drejtuesit e partisë sonë kanë reaguar në mënyrën më të keqe. Me urdhrin e
Kryeministrit Rama, janë flakur nga puna dhe ju është hequr buka e gojës shumë
njerëzve, vetëm sepse ata besojnë se PS duhet të demokratizohet. Pse i keni
pushuar nga puna tre anëtarë të Asamblesë Kombëtare, zoti Kryeministër? E quani
pjesë të lojës politike këtë? Dua t’a pyes kryetarin e Partisë Socialiste:
Çfarë jeni duke bërë? Ku jeni duke e çuar Partinë Socialiste? Nuk mund të
burgosen dhe shantazhohen idetë. Lërini të lirë njerëzit se jeni bërë gazi i
botës. Merru me qeverisjen e vendit se ajo është detyra jote. Mos i përndiq
socialistët e thjeshtë. Mua nuk më izolon dot. Jemi vetëm 6 muaj përpara
zgjedhjeve dhe këto veprime e sjellje, përçajnë Partinë Socialiste. Vija e
partisë nuk janë urdhrat tuaja në telefon, për të pushuar socialistët nga puna.
Sot populli shqiptar nuk zgjedh drejtpërdrejt asnjë përfaqësues, as
presidentin, as kryeministrin, as deputetin, as kryetarin e bashkisë, as
këshilltarin, as gjyqtarë, as prokurorë, asnjë për be. Në se populli nuk e do
një deputet, nuk ndodh asgjë, por ai do jetë prapë deputet, sepse e do kryetari
i partisë. Në se deputeti diskreditohet, nuk ndodh asgjë. Kryetari e riciklon,
duke e transferuar në një qark tjetër në zgjedhjet e radhës. Nëse populli të
do, nuk ndodh asgjë, deputet bëhesh vetëm kur të do kryetari. Po s’të do
kryetari, nuk ke vend në parti. Populli voton, kryetari i partisë zgjedh.
Kryetari është bërë si pronar i partisë. Ky është sistemi i partitokracisë, një
sistem i kalbur e i dështuar. 
Drejtuesit e partisë janë pranë popullit vetëm në fushata elektorale. Pastaj
nuk e njohin më, nuk e dëgjojnë, nuk i hapin telefonin, nuk e respektojnë, nuk
e kuptojnë, nuk e konsiderojnë. Qytetarët duan një Shqipëri ku të kenë shpresë
dhe të ndihen mirë edhe më të varfrit, edhe elitat, edhe të rinjtë edhe të
moshuarit, edhe punonjësit edhe sipërmarrësit që nuk kanë miqësi me
qeveritarët. 
Lëvizja jonë kërkon që në parti të mos denigrohet askush, por të debatohet për
idetë, projektet dhe platformat. Që në këtë parti të mos dëgjohet vetëm
kryetari, por të dëgjohen edhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë dhe
anëtarësia e partisë, të dëgjohen dhe pyeten edhe forumet e saj, edhe kjo Asamble
Kombëtare që nuk pyetet për asgjë; që në këtë parti të mos i mbyllet goja
njeriut, të mos jenë të lumtur vetëm ata që marrin pushtet, por të luftohet për
lumturinë e të gjithëve, të lejohen njerëzit t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit,
t’i zgjedhin vetë kandidatët për deputetë, këshilltarë e kryetarë bashkish, përmes
zgjedhjeve paraprake etj. U kthye ligji i importit të mbetjeve, vetëm për të
ushqyer këto monstra me plehra të valorizuara të Italisë. Rama i preu në besë
qytetarët dhe ambientalistët dhe i ka lënë të gdhihen jashtë në gjithë këto
netë dimri. Ky është një turp i madh. 
Nëse duam që të marrë fund ekonomia kriminale e hashashit, duhet që kandidatët
për deputetë t’i zgjedhë baza, nëse duam që të pastrohen të inkriminuarit e
tutkunët e paaftë nga punët e shtetit, nuk duhet që të lejohet më tej që
kandidatët për deputetë t’i zgjedhë kryetari; nëse duam që të ndalim emigrimin
e frikshëm dhe t’u japim një shans për të jetuar në Shqipëri emigrantëve që
kthehen, duhet të pranojmë një sistem primaresh për kandidatët për deputetë. Lëvizja
jonë do të fillojë këto ditë, nënshkrimin e peticionit: “Unë e zgjedh deputetin
që dua”! Kjo lëvizje është edhe shkaku, që sot po kërkohet shkarkimi formal nga
funksioni i sekretarit. Kjo po kërkohet, sepse drejtuesit e partisë i shqetëson
komunikimi im me qytetarët dhe socialistët e bazës. I keni parë si mbushen
sallat plot e përplot edhe pse qeveria paguan gjithë ata njerëz, që të
sabotojnë këto takime. Njerëzit janë entuziastë dhe i pëlqejnë idetë e kësaj
lëvizjeje. Në pak javë do kemi në dorë programin e plotë të saj.

Dorëheqja e
Kokëdhimës, ia la në xhep Ramës “pretencën e shkarkimit të Koços

Kupola e
“Rilindjes” së PS, zbatoi urdhrin e “kryerilindësit” dhe skenarin e saj, për të
shkarkuar nga të gjithë funksionet në PS, Sekretarin për Reformën dhe
Emigracionin, ish-deputetin Koço Kokëdhima. Edhe pse Edi Rama ama dhe “çeta” e
tij e re e “rilindjes” dhe “çeta plakë” e “rilindur”, shkuan në mbledhejn e
Asamblesë së PS me vendim në xhep për të bërë këtë spastrim të “armikut të
brendshëm” Koço Kokëdhima, ata dolën blof mbasi edhe “armiku Kokëdhima”, kishte
shkuar në atë mbledhje me vendim në xhep për… dorëheqje, që e lexoi më parë
se sa “rilindësit” të lexonin vendimin e shkarkimit të tij, duke ua lënë
“pretencën” në xhep! Vendimin e tij për dorëheqje, Kokëdhima e shoqëroi me një
promemorie që në fakt ishte akt-akuzë që ish-deputeti i bënte “kryerilindësit”
Edi Rama, si njeriu që kishte inskenuar shkarkimin dhe largimin e tij nga PS
dhe si kryetar-turori që po e conte PS në rrokullimë, për shkak të mbrojtjes së
interesave korruptive e kriminale të klanit të tij në parti, në parlament, në
qeveri dhe në pushtetin vendor! Por njëherazi, fjala e Kokëdhimës e mbajtur në
Asamblenë e PS ditën e dorëheqjes, ishte apel për anëtarësinë dhe strukturat e
PS në bazë e në qendër, për të marrë në dorë fatet e PS! Sot, po publikojmë një
pjesë nga fjala e Koço Kokëdhimës, ish-deputet dhe ish-Sekretar i reformës dhe
Emigracionit në PS.