Zoti Imami! Me dorëheqjen tuaj “çlironi” qeverinë?!

482
Sigal

Skandali në Ministrinë e Mbrojtjes. Janë shitur territoret e ushtrisë, pa ligj nga Kuvendi

Ka gati dy javë që deputeti i PS-së, Erjon Braçe publikon përditë dokumente të trafikut të armëve që ka bërë ministria e Mbrojtjes, ku është ministër Arben Imami. Reagimi i ministrit Imami, nuk ka qenë bindës, por më shumë është munduar që të shpërqendrojë akuzat politike për korrupsion e trafik armësh, në akuzën që ai i bëri deputetit Braçe, për nxjerrje e publikim të sekretit shtetëror. Dje deputeti Braçe, në vijimësi të publikimit të akuzave, solli një fakt të ri. Ministri i Mbrojtjes, sikurse deklaron Braçe, ka shitur 17.000.000 metra katrorë sipërfaqe të ushtrisë, pa pyetur fare Kuvendin e Shqipërisë. Braçe, në deklaratën e tij thotë: “Nuk ka fund. Arben Imami, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë zhveshi ushtrinë nga  17. 000. 000 metra katror prona! Përse? Për t’i shitur!  Metër për metër, të gjitha! Janë troje brenda vijave të verdha të qyteteve kryesore dhe në vijën bregdetare nga Velipoja në Sarandë. Pa lejen e pa pyetur hiç Kuvendin. Në fshehtësi të plotë!”. Edhe deputeti Balla, në një prononcim publik, e rikonfirmoi shitjen e trojeve ushtarake nga ministri Imami, duke shtuar, se shitja është bërë me çmime qesharake, madje, siç pohon deputeti Balla, kjo shitje është bërë pa asnjë ligj, duke anashkaluar Kuvendin e Shqipërisë. “Denoncojmë Ministrinë e Mbrojtjes dhe drejtuesin e saj Arben Imami për pazare dhe përfshirje në trafik ndërkombëtar armësh. Prej sot do shfaqim dosjen e plotë të korrupsionit nga Ministria e Mbrojtjes. Prej 3 vitesh nën drejtimin e Arben Imamit, ushtria shqiptare është zhveshur nga pronat e paluajtshme në pronësi të saj. Përmes një procesi jo transparent janë shitur me vlera qesharake objekte dhe troje të divizioneve, depove të armatimit, poligoneve të qitjes, pa asnjë ligj duke anashkaluar Kuvendin e Shqipërinë”,- denoncoi Balla. Deputeti socialist akuzoi ministrin Imami se po zhvat pronat e ushtarakëve, duke mos marrë në konsideratë nevojat e Forcave të Armatosura, ndërkohë bëri me dije se te hënën do të bëjë publike mënyrën e tjetërsimit të pronave nga ministri Imami. “Në një errësirë të plotë ministri Imami ka kryer dhe po kryen proces zhvatjeje të pronave. Janë plot 70 milionë objekte dhe troje, prona të ushtrisë që Arben Imami po i shpronëson nga ushtria në drejtim të privatëve. Bisht Palla, Kalaja e Alipashës, Shkolla e Marinës që po ju jepen privatëve, rëra e hedhur në Shëngjin, Durrës, Kavajë, Fier dhe Vlorë… Në këtë proces jo transparent dhe të paligjshëm nuk janë marrë në konsideratë nevojat e Forcat e Armatosura. Pronat shumë mirë mund të përdoreshin për të pastrehët si nuk u morën parasysh nevojat e tyre apo të ish- të përndjekurve. Prej nesër do u tregojmë qytetarëve shqiptarë këto prona të tjetërsuara, nga ky proces antikombëtar i drejtuar nga Arben Imami, që do e kishte zili dhe ushtria më e egër”,- theksoi deputeti Balla. Pas gjithë këtyre akuzave të vazhdueshme që po publikohen, pyetja është e thjeshtë. Përse nuk jep dorëheqjen ministri Imami? Dorëheqja nuk është provë e fajësisë, por tregues i ndjeshmërisë politike. Kokëfortësia e ministrit Imami,  për të mos dhënë dorëheqjen, veç të tjerave, dëshmon, për peshën e fajit dhe manovrat politike nga Imami, për të gjetur sadopak, me postin e ministrit, një azil juridik ndaj akuzave që i publikojnë deputetët e PS-së për trafik armësh dhe shitje të territoreve ushtarake, pa asnjë ligj dhe me çmime qesharake.