Zonja Calavera, a ndiheni bashkëfajtore dështimin e reformës në drejtësi?

588
Sigal

Nga Jakup B. Gjoça:

Genoveva Ruiz Calavera është shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian. Deri tani, përveçse disa cicërimeve që ka bërë duke quajtur “sukses të madh” Reformën në drejtësi, çuditërisht ka heshtur edhe në ato raste kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, domethënë Vettingu, ka shpërfillur plotësisht ONM, gati në të gjitha rastet, kur ONM-ja ka gjetur shkelje të etikës profesionale, moralit, dhe për çështje të korrupsionit për ata gjyqtarë dhe prokurorë të cilët, KPK-ja i ka kualifikuar. Rasti më flagrant është vettingu që iu bë Arta Markut dhe Donika Prelës, kur përfaqësuesi i ONM haptazi deklaroi se të dyja prokuroret kanë probleme me kualifikimin e tyre, si edhe me mos-justifikimin e pasurisë me të ardhurat. Çuditërisht, shefja e ONM-së zonja Calavera deri tani ka heshtur që në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka bërë që, në Shqipëri të mos ketë më rend kushtetues, me pasoja katastrofike për një shtet të së Drejtës, kaq sa edhe një nënkryetar i KQZ, të marrë fuqi pushteti dhe të bëhet vetë Gjykatë Kushtetuese dhe të rrëzojë dekretin e Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve. E tha qartë edhe shefja e ODIHR-it, që KQZ dhe Kolegji Zgjedhor nuk kanë kompetenca ligjore që të gjykojnë Dekretin e Presidentit. Çuditërisht, shefja e ONM-së zonja Calavera ka heshtur gati 3 vjet që Shqipëria nuk ka Prokuror të Përgjithshëm dhe ende po hesht që Shqipëria tanimë ka mbetur edhe pa Gjykatë të Lartë.

  • Atëherë zonja Calavera, ku e shikoni Ju suksesin “madhështor” të reformës në Drejtësi?
  • A është dënuar ndonjë zyrtar i lartë për korrupsion?
  • Besoj se ju, zonja Calavera i lexoni raportet e DASH që çdo vit e cilësojnë Shqipërinë vendim më të korruptuar në Evropë!
  • Si shefe e ONM-së, zonja Calavera si e shpjegoni që gjyqtarët miliarderë kanë kaluar nga vettingu?
  • A keni lexuar, a keni dëgjuar në Shqipëri politikanë, gazetarë, shqiptarët që tashmë nuk kanë më asnjë besim tek vettingu, sepse vettingu gjykon me 2 standarde, sipas orientimeve të Partisë?
  • Ju, zonja Calavera, si shefe e ONM-së a ndjeni përgjegjësi që shqiptarët e kanë humbur plotësisht besimin tek vettingu, i cili po përdoret si shpata e Demokleut nga Ekzekutivi dhe Legjislativi ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve?
  • Ju, zonja Calavera a keni dëgjuar gjë audio-përgjimet e dosjeve ‘339’ dhe ‘184’ të publikuara nga VOA dhe “Bild”, ku prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka vullnet ligjor që të hetojë?
  • E dini ju, shefja e ONM-së që prokurorët që e hetonin dosjet ‘339’ dhe ‘184’ çuditërisht janë përjashtuar nga vettingu, ndërsa ata prokurorë që tani këto dosje i mbajnë në sirtar dhe nuk i zbardhin, e kanë kaluar me “sukses” vettingun?
  • Zonja Calavera, meqë ju u shqetësuat kaq shumë nga kritikat publike të Presidentit të Republikës për katandisjen e Reformës në Drejtësi në … “Ramaformë”, a mund t’ u shpjegoni shqiptarëve, për çfarë ju i atakoni kritikat e Presidentit të Republikës?
  • Mos vallë është Presidenti i Republikës që nuk zgjedh anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe SPAK dhe nuk e ka bërë?!

Zonja Calavera misioni i ONM ka dështuar në procesin e vettingut, derisa zbatohen 2 standarde saqë shqiptarët, vetë prokurorët dhe gjyqtarët e kanë humbur besimin e vettingut. ONM-ja mban përgjegjësi, si palë, edhe për heshtjen, nëse nuk është bashkëpërgjegjëse për veprimet dhe mosveprimet e gjykimeve që ka dhënë vettingu. Ju, zonja Calavera duhet të pranoni përgjegjësitë tuaja, që Shqipëria është i vetmi vend pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa Prokuror të Përgjithshëm dhe këto, në mos është e qëllimshme nga politika, është pasojë edhe e zbatimit të keq të Reformës në Drejtësi, ku ju si Shefe e ONM-së keni përgjegjësinë tuaj të dështimit total të Reformës në Drejtësi.