Zjarret nuk ndalen, tetë vatra rrezikojnë pyjet, ndërhyjnë avionët grekë

506
Vazhdon problematika e zjarreve në të gjithë vendin. Dita e djeshme ka shënuar tetë vatra në të gjithë vendin, ndihma nga fqinjët e pranishme
Vendi vazhdon të mbetet nën pushtetin e flakëve. Në të gjithë territorin ditën e djeshme sipas Emergjencave Civile kanë qenë të aktivizuara tetë vatra zjarri, ndërkohë raste të tjera më të vogla ka pasur disa. Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 84 punonjës zjarrfikës, 17 automjete zjarrfikëse, 90 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, punonjës vullnetarë, të Pyjores dhe nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura, të mbështetur dhe nga helikopterë. Përveç helikopterëve, në ndihmë janë edhe dy avionë të vegjël nga shteti grek, të angazhuar për shuarjen e zjarreve në Llogara. Specialistët e Emergjencave Civile, gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsëriti thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që, në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128. Orët e pasdites së djeshme ka rënë zjarr shumë pranë tunelit Tiranë-Elbasan. Vazhdojnë të regjistrohen vatra të reja. Shkaqet e zjarrit nuk dihen. Shuarja e flakëve nga toka është e pamundur për shkak të mungesës së infrastrukturës, ndërsa shihet si e vetmja zgjidhje ndërhyrja nga ajri.

Qarku Tiranë
Në fshatin Vrap, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit të mbështetur nga forcat ushtarake kanë ndërhyrë duke e shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe disa rrënjë ulli.

Në Derje pranë fshatit Shëngjergj, bashkia Tiranë ka vazhduar të jetë aktiv vatra e zjarrit. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar dhe po punojnë zjarrfikësit, forca nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura Tiranë, si dhe forca ushtarake, por për shkak të terrenit të thyer malor ka qenë e pamundur shuarja e plotë e vatrave të zjarrit.

Qarku Vlorë
Në fshatin Dukat, bashkia Vlorë, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë vazhdon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit. Në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar forca ushtarake dhe nga personal nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, të mbështetur edhe nga 2 avionë nga Greqia. Vatra nuk janë shuar ende dhe operacioni është në zhvillim edhe ditën e sotme.

Qarku Dibër
Në fshatin Sllatinë, bashkia Dibër, vijon zjarri prej disa ditësh në zonën e pyllit me pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve dhe punonjësve të tjerë, është edhe një helikopter por nuk ka qenë e mundur të shuhet. Operacioni është në vazhdim edhe ditën e sotme.
Në Ulëz, bashkia Mat, është riaktivizuar një vatër zjarri. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë dhe pritet të vijë në ndihmë një helikopter. Operacioni është në vazhdim.

Qarku Fier
Në fshatin Ardenicë, bashkia Lushnjë ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete për të shuar vatrat agresive. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 10 ha me pisha dhe shkurre.

Qarku Elbasan
Vatrat e zjarri në malin e Xhyrës dhe në malin e Dardhës, bashkia Librazhd janë shuar. Zjarrfikësit janë ndihmuar edhe nga banorë të zonës si dhe punonjës së Zonave të Mbrojtura. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 11 ha me shkurre dhe lisa.

Qarku Berat
Në fshatin Kakrruk të bashkisë Skrapar ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë ahu. Zjarrfikësit po monitorojnë vatrat e zjarrit që mos të afrohen pranë zonave të banuara.
Sigal