Zhvillimi i territorit, Gjermeni: Synojnë rregullime në ligjin ekzistues

529
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni deklaroi të enjten gjatë seancës plenare të Kuvendit se ndryshimet në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” synojnë rregullime në ligjin ekzistues.Këto rregullime tha ajo, vijnë kryesisht për shkak të reformës së ndërmarrë nga Ministria e Zhvillimit Urban për ndarjen e funksioneve dhe reformimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT). “Qëllimi është realizimi dhe finalizimi i procesit të ristrukturimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Kjo synohet përmes ndarjes dhe kalimit të funksioneve të sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit (funksione që aktualisht i ka AKPT-ja) dhe procesit të kontrollit të përputhshmërisë në një strukturë të re të tipit “Customer Care””, deklaroi Gjermeni. 
Me këto ndryshime ligjore të propozuara, tha ndër të tjera ministrja, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të ketë të njëjtat kompetenca planifikuese dhe bashkërenduese, të parashikuara në ligjin e vitit 2014. “Funksionet e sekretarisë teknike të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe kontrolli i përputhshmërisë së lejeve do të bëhen nga një strukturë tjetër, e cila do të krijohet, do të organizohet dhe do të funksionojë në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili ngarkohet për ngritjen e kësaj strukture. Pra, është propozuar një shkëputje e funksioneve planifikuese të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit me funksionet teknike, kontrolluese e monitoruese të zhvillimit të territorit, si sekretari teknike e KKT-së. Me këto ndryshime ligjore synohet fuqizimi i strukturës së AKPT-së, në kuadrin e përqendrimit dhe forcimit të procesit të planifikimit të territorit, si proces mjaft i rëndësishëm në fushën e zhvillimit urban”, deklaroi Gjermeni.
Një aspekt tjetër që paraqitet me këtë projektligj, sipas saj, është dhe përcaktimi i një koncepti dhe përkufizimi të rëndësishëm në procedurën e planifikimit e të zhvillimit të territorit, siç është ai i “hapësirave publike”. Ministrja sqaroi se këto ndryshime janë në linjë me të gjitha nismat e ndërmarra nga qeveria, në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së administratës publike ndaj qytetarëve.
Sigal