Zhvillimet në Kuvend, ja si e kanë lexuar analistët, Nazarko, Qafoku, Kikia, Çollaku

446
Analistë të njohur në vend janë të bindur se situata e krijuar ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, ka qenë e pritshme. Teksa i bëjnë një pasqyrë të gjithë zhvillimeve dhe debateve mes forcave politike, Mentor Kikia e Roland Qafoku dy gazetarë të njohur dhe me përvojë, shprehen se kjo nuk është ajo që i duhet vendit. Për Qafokun, Gramoz Ruçi është duke e drejtuar keq Kuvendin, ndërsa lidhur me qëndrimin e liderit të PD-së ai shprehet se kjo situatë i jep pikë dhe e bënë të dukshëm. Më i prerë në qëndrimin e tij është gazetari Mentor Kikia. Ai shprehet se ky Kuvend dhe ky kryetar nuk i duhet vendit. Të njëjtin përkufizim thotë edhe për opozitën. Ndërsa analisti Shpëtim Nazarko shprehet fare shkurt. Ai thotë se gjitha kjo është akt dëshpërimi krijuar nga fraksioni djeshëm i saj. Ndërsa gazetari dhe analisti Basir Çollaku thotë se ngjarja e djeshme u krijua nga kreu i kuvendit për të larguar vëmendjen nga ngjarjet e fundit, nga deklaratat e ambasadorit amerikanë. 
Shpëtim Nazarko, analist
Analisti i njohur Shpëtrim Nazarko është tepër racional në fjalët e tij. Zhvillimit e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë ai i komenton vetëm me një fjali. Thotë se gjithë atë skenë e lexon si akt dëshpërimi të krijuar nga fraksioni i djeshëm i saj. 
Roland Qafoku, gazetar, drejtues i emisionit “Debati në Channel One”
Në fakt kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmons Spaho, e paralajmëroi në emisionin tim “Debati në Chanel One” ditën e hënë teksa deklaroi se Gramos Ruçi po e drejtonte keq kuvendin dhe se PD do ndërmerrte hapa për ta ndaluar këtë deri në bojkot. Duket se sot hapi i parë u mor dhe tashmë kemi një përballje të re në kuvend. Unë në fakt këtë përballje do ta shikoja në dy plane. E para Lulzim Basha në këtë moment po rrit kuotat e veta. Mungesa e gjatë në kuvend e bënte kryetarin e PD gati inekzistent, ndërkohë tashmë jo vetëm përballet me mazhorancën në seanca por bëhet edhe viktimë. Sa më shumë lakohet emri i tij, sa më shumë bëhet protagonist në debate deri në dënime për shkelje të rregullores nga kryetari Ruçi, aq më shumë duket si kryetar real i Partisë Demokratike. I vetmi problem për Bashën mbetet fakti se qendra e gravitetetit në grupin parlamentar të PD është te Sali Berisha. Duket si një duel i heshtur mes Bashës dhe Berishës në të cilin i pari ka të drejtë të jetë protagonist si kryetar i PD dhe i dyti si lider historik i saj. 

Por nga ana tjetër kemi sjelljen e kryetarit Gramos Ruçi. Njëshi për të qenë dysh i PS-së, është vendosur në atë post për të mos qëndruar “urtë” si në katër vitet që shkuan, por të marrë mbi vete përgjegjësi dhe përgjegjësia e tij i shkon për shtat që të mos e bëjë seancën e të enjtes siç thotë Ramë “pazarin e gjësë së gjallë”. Mirëpo kjo metodë e ka një rrezik. Për opozitën sjellja me dorë të fortë në mbarëvajtjen e parlamentit do të thotë një rast i artë për të fërkuar duart sepse vetëm kështu mund të rrisnin kuotat. Koha e Ilir Metës që u kritikua aq shumë nga Rama se shkelte rregulloren e Kuvendit duke e lënë Berishën të fliste sa të donte rezulton të ketë qenë më komode se sa një përballje dhe përplasje verbale që bën opozita për fjalën e lirë. Të presim se sa do rezistojë Basha dhe të tijtë nga njëra anë dhe Ruçi dhe Rama me të tyret në anën tjetër.
Mentor Kikia, Drejtor Informacioni në TV “Klan Plus”
Kjo nuk është as opozita as parlamenti që na duhet. Parlamenti rikthehet të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Të grindet mes vetit pa bërë asnjë punë të dobishme në shërbim të shoqërisë dhe vendit. I është rikthyer sherrnajës së vjetër, me grindje, sharje dhe protesta. Në fakt unë prisja dje miratimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ligjit më të rëndësishëm dhe më emergjent. Sepse pa u reformuar sistemi zgjedhor, nuk ka për tu reformuar as parlamenti, as qeveria e as politika në tërësi. Sepse sistemi zgjedhor është struktura që ndikon në ngritjen e ngrehinës së demokracisë, dhe kjo strukturë tek ne është e degraduar, e ndryshkur, e kalbur, e deformuar. Dhe falë kësaj strukture në parlament futen edhe horrat, edhe hajdutët edhe injorantët, sepse populli nuk di kë voton, sepse deputetët i emëron partia. Por në vend të komisionit të kësaj reforme, pamë sërish përplasje. Përplasje për të folur! Jo zotërinj, nuk na duhen demagogji. Na duhet punë konkrete. Po, na duhen përplasje, edhe grushte madje po qe nevoja, por na duhen për të mbrojur interesat e popullit, për të penguar një ligj të mbrapshtë, për të penguar një vendim që nxit vjedhjen dhe abuzimin, për të penguar një koncesion hajdutësh. Por këto ju votoni të gjithë, unanimisht, pa bërë zë, si hije, të tërë. Kjo nuk është politika që duam, nuk është as opozita që duhet.
Basi Çollaku, gazetar, analist
Seanca e djeshme në Kuvend ishte një paaftësi dinake e kryetarit të Parlamentit. Mendoni të jetë kreu i Bundestagut një nga drejtuesit e Gestapos, që të komandojë politikën gjermane. Përpos kësaj mazhoranca ka një hall të madh dhe seancën e djeshme e ka përdorur për të ç’fokusuar vëmendjen e ngjarjeve. Dhe për këtë i duhet sulmi ndaj opozitës. Perse? Sepse ka një javë që ajo është në akuzat më të rënda të bëra ndonjëherë nga SHBA, për krimin dhe Mafian që kontrollojnë Shqipërinë, për pushtetin ortak me drogën, me 20 familje kriminale e katër klane mafioze. E ndërkohë Ruçi është një ndër personat që është refuzuar nga USA dhe kjo jo për shkak të të qenit të tij komunist e sigurims i lashtë. Jo telashe me drejtësinë për afera të dyshuara në botën e krimit. Njëlloj KM Rama dhe disa ministra. Ndaj duhet një rrëmujë e madhe që të shuhet efekti i akuzave të drejta e të rënda të bëra nga ambasadori amerikan. Rrëzoje qeverinë, nëse ajo nuk ju përgjigjet, ishte një ndër mesazhet e Lu dhe kjo është thelbësore. Raporti i OSBE -ODHIR për zgjedhjet ishte blozë. Ndaj Reforma është boshti i ndryshimeve bashkë me dekriminalizimin. PD kërkon largimin e dy deputetëve dhe droga është historia e tyre. Ndaj Kuvendi dhe kryetari kanë marrë flakë dhe nuk fiken pa i fikur drejtësia.
Sigal