Zhvendosja e DAR dhe mos rritja e pagave, kreu i sindikatës së arsimit paralajmëron protesta: Vendim i turpshëm!

153

Mos rritja e pagave dhe zhvendosja e drejtorisë arsimore rajonale nga Shkodra në Lezhë ka bërë që kryetari i sindikates së arsimit në Shkodër Arjan Peraj, të paralajmërojë protesta.

“Është një vendim i turpshëm që ministria e arsimit ka marrë në lidhje me drejtorinë rajonale arsimore. Nuk i bëhet Shkodrës kjo gjë. Shkodra si në planin pedagogjik dhe historik e meriton të jetë kryeqendra e arsimit të Shqipërisë dhe jo vetëm e veriut.

Nëse në epokën e diktaturës u vendos që shkolla të hapet e para në Korçë, po u them që Shkodra ka shkolla që janë hapur më parë se në Korçë.

Në planin numerik, vetëm Shkodra ka 1740 mësues, në një kohë kur Lezha ka vetëm 700 mësues me të gjithë rrethinat e saj.

Ky është një veprim politik dhe cenim i identiteti kombëtar. Të shkatërrosh identitetin shqiptar është veprimi më antipopullor që mund të bësh. U bëj thirrje të gjitha sindikatave, të gjithë njerëzve dhe kryebashkiakes së Shkodrës. Të mblidhemi të gjithë dhe të reagojmë,”- tha Peraj.

Një ditë më parë në një deklaratë për shtyp, ministrja e arsimit Besa Shahini u shpreh se do të zvogëlohen zyrat arsimore, por pa patur shkarkime.

“Kemi vendosur që të mos ketë dy drejtori rajonale në të njëjtin qytet, kështu që DAR i Shkodrës do të zhvendoset në Lezhë,”– u shpreh Shahini ndër të tjera.

Ky vendim nuk është pritur mirë as nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila i ka dërguar një shkresë zyrtare prefektit Valdrin Pjetrit.

Ademi e cilëson vendimin diskriminues kërkon që të ndërhyhet. Kryebashkiakja u shpreh se do të ndërmarrë çdo hap ligjor për ta anuluar një vendim të tillë duke e quajtur një çmenduri lëvizjen e DAR.