Zhurma mediatike dhe debati i vërtetë në PS

566
Sa herë që ka evenimente në Partinë Socialiste ose partitë e tjera kryesore, fillon zhurma mediatike. Çfarë ka ndodhur? Janë ulur rrogat e punonjësve, apo ka rënë ndonjë epidemi e rëndë në vend? Edhe kur ishte Fatos Nano në krye të Partisë Socialiste, pati debate, pati dhe largime nga partia, po asgjë nuk ndryshoi. Nano konkuroi i vetëm dhe e rimori partinë. Nëse në një parti nuk ka debate, nuk ka as demokraci, as parti, por një grumbull njerëzish, që çfarëdo propozimi të bëhet, ngrejnë të dyja duart. E keqja e këtyre partive është se vijnë nga një sistem, ku po të dilte një votë kundër, bëhej nami me ndëshkime. Kjo mendësi vazhdon të sundojë tek të gjitha partitë. Partitë e vogla nuk ndihen fare, por zgjohen vetëm kur vijnë votimet që të struken nën sqetullat e partive të mëdha për të marrë ndonjë këshilltar. Mirë ato, që vetëm zvogëlohen, po PD, që është partia më e madhe opozitare, përse është bërë si shtëllungë leshi dhe nuk guxon kush të thotë mendimin e tij? Edhe Mesila Doda, që deshi ta fuste partinë në debate konstruktive, nuk e zuri mëngjesi në parti. Këto nuk janë parti, por grumbuj iteresaxhinjsh, të futura në vatha, nga kanë frikë të dalin.
Shpifjet në vend të alternativave
Anëtarët e partisë e bëjnë luftën brenda organizatës, jo me shpifje e sharje, por me alternativa. Nëse ajo alternativë është më e mira e të gjithave, atëherë kemi një organizatë kompakte, jo nga frika, por nga shoshitja dhe pranimi i alternativës më të mirë. Në këto kushte nuk ka nevojë të dalësh si individ me një alternativë, që nuk ta pranojnë si reziultative,por lufta bëhet si organizatë kundër. Kjo votë ka peshë dhe nuk e torolis partinë, por e bën më aktive. Ka kohë, që zoti Blushi ka dalë i vetëm për ato që mendon se i prishin punë partisë. Natyrisht fillimisht kishte dhe ka të drejtë për shkeljet që i janë bërë statutit. Dihet që statuti është Kushtetuta e partisë nga i cili s’duhet të lëvizim. Mirëpo kohët e fundit ka nisur të flasë edhe kundër papunësisë dhe probleme te tjera që lidhen me qeverinë, për të cilat e drejton gishtin tek zoti Rama. Partia Socialiste ka një qeveri dhe një grup kuvendor, që punojnë e përgjigjen në bllok, ku pjesën më të madhe të përgjegjësisë e ka Kryeministri. Unë nuk lëviz nga zbatimi i statutit edhe pse partia është në një riorganizim të ri, sepse deri sa të merren vendime të reja në Kongres, duhet të zbatohet ky statut. Është shumë normale që zoti Blushi, të cilin unë e njoh si njeri me kulturë të gjerë, punon e lufton brenda partisë. Ai e njeh më mirë situatën, por më duket sikur ndonjëherë fjala e tij ka një dozë denigrimi kur flet për Edi Ramën në lidhje me qeverisjen. Të duket sikur ka patur ndonjë bërryl kundër tij. Problemet e qeverisjes janë të përbashkëta, ku dhe zoti Blushi ka pjesën e tij si njeri i zgjedhur. Kur dëgjon Blushin të akuzojë deputetët e PS, se kanë vjedhur, këtu hyn në atë pjesë të opozitës qe ka dy vjet që ngre akuza të tilla dhe nuk ka denoncuar asnjë në organet e drejtësisë. Unë nuk e di nëse ka apo jo të tillë në PS, por nëse ka dhe nuk i denoncon në drejtësi, bëhesh ortak me ta ose kthehesh në zhurmues. Një anëtar partie i ndërgjegjshëm, që unë nuk ja mohoj zotit Blushi, nuk mund të rrijë bashkë me vjedhësit. Ose t’i shpjerë atje ku e kanë vendin hajdutët, ose të shkojë vetë. Kësisoj të krijohet bindja, se zoti Blushi po e mbulon akuzën kryesore për të zbatuar statutin e partisë dhe mbledh ç’të mundë si opozita që të bindë anërarësinë e partisë me të pavërteta. Ai e di si e morën ekonominë nga qeveria e kaluar dhe ndryshimi nuk mund të ndodhë aq shpejt si ishte katandisur ekonomia. Megjithatë ne kemi dëgjuar vetëm konstatime,por asnjë argument se si mund të ndryshojë gjendja. 
Solidarizimi me kryetarin e partisë
Natyrisht zoti Blushi mund të ketë ndonjë platformë, siç ka deklaruar, por anëtarësia e partisë nuk di gjë.
Të mos harrojmë në çfarë terreni jetojmë. Me përjashtim të Nanos që fitoi i vetëm ndaj alternativës tjetër në parti, nuk ka bërë vaki që të përmbyset njëshi. Ne e inkurajojmë që ta vazhdojë debatin në parti, por të mos harrojë se në Kongres do të votojë anëtarësia, që nuk i di alternativat e tij, por as i kupton. Ai mund t’i shpallë ato në Kongres, por brenda ditës nuk ndryshon njeriu. Anëtarësia e partisë nuk ka nivelin e Blushit. Blushi ka aftësi drejtimi në parti e qeveri, por kur hedh akuza në media, duhet të shikojë edhe rrotull tij. Një ditë kur udhëtoja me autobuz kam dëgjuar një dialog politik midis dy vetave, që kishin lëvizur nga partia e tyre dhe ishin hedhur me një tjetër. Mirëpo pse nuk ishte bërë një copë rrugë nja 50 metra, konkluduan që të largoheshin nga ajo parti që kishin votuar. E shikon, i dashur Blushi çfarë anëtarësie kemi nëpër parti? Në parti nuk hyhet për interesa, por as të largohesh për një copë rrugë, por të luftosh, që ajo rrugë të bëhet. Po të mos harrojmë se të gjitha rrugët e Shqipërisë kanë nevojë për t’u rregulluar, po ato s’mund të mbarohen brenda një mandati. Mirëpo në anëtarësinë e partive nuk gjykohet kështu dhe pa thënë një fjalë për të metat ose shkeljet, ndryshojnë partinë. Këto janë kalamallëqe. Ka nja dhjetë vjet e ca që na dalin nja pesë a gjashtë shkëlqimër me pankarta në duar e ulërijnë se do të ketë protesta të fuqishme dhe pastaj as vetë nuk e dinë përse dalin e çfarë kërkojnë. Kjo është më shumë një tallje me partinë se këmbëngulje për ta reformuar atë. Puna në parti do njerëz seriozë e me alternativa bindëse, jo alabakë, që vetëm zhurmojnë. Zoti Blushi e di në ç’nivel është anëtarësia në krahasim me të. Shumë mirë bëri deputetja Hafizi, që doli në mbështetje të Blushit për zbatimin e statutit. Le të dalin dhe të tjerë e të thonë mendimin e tyre, sepse nuk e dëmtojnë partinë, por e bëjnë më demokratike. Nuk jemi me një mendje me Blushin për të mos pranuar bizesmenët në parti e pushtet. Statuti nuk vë kufij të tillë pavarsisht se është parti e shtresave të varfëra. Por të mos harrojmë, këta njerëz nuk do të rrinë gjithmonë të varfër. Pasurimi i të gjithëve do të thotë shkrirje e partisë. Është tjetër gjë në kanë apo jo aftësi drejtuese. 
Enver CAKAJ
Sigal