Zhupa: Sapo PD të vijë në pushtet, anulojmë projektin e “Qemal Stafës”

35
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama për korrupsion me ndërtimin e stadiumit “Qemal Stafa”. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa tha se “Rama kërkon ta kthejë stadiumin kombëtar, në një qendër të madhe tregtare dhe biznesi dhe ta trajtojë si pronën e tij, duke shpërndarë hapësirat sipas interesave personale në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës.”

“Plani i Edi Ramës për stadiumin Qemal Stafa, është një skemë e mirëfilltë korruptive, projekti ndoshta më fitimprurës për të, miqtë dhe klientelën e tij. Për Edi Ramën nuk është prioritet fusha dhe sporti, por dyqanet, baret dhe njësitë tregtare që parashikon skema e tij.”- deklaroi Zhupa.
“Partia Demokratike lajmëron të interesuarit dhe sipërmarrësit që janë thirrur të bëhen pjesë e këtij plani korruptiv e financiar të Edi Ramës, se ne nuk e njohim dhe do ta anullojmë menjëherë këtë projekt hajdutërie, sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit. Eshtë në rriskun e tyre personal dhe në përgjegjësinë e tyre nëse hedhin para në një projekt që Edi Rama kërkon ta trajtojë si pronën e tij, një projekt që do të hidhet poshtë nga Partia Demokratike”- vijoi Zhupa.
“Partia Demokratike është në favor të një stadiumi serioz, sipas të gjitha standarteve olimpike moderne, ku prioritet do të ketë loja, sporti dhe spektatori, dhe jo klientela e kryeministrit që kërkon të zaptojë hapësirat fitimprurëse të impiantit më të rëndësishëm në vend. Do të ketë stadium për futbollin e për sportet e tjera, dhe jo stadium për bizneset e Edi Ramës, për tu majmur ai dhe miqtë e tij.”- përfundoi zëdhënësja e PD-së.