Zhupa: Rama tjetër tender për Sadriun, 220 milionë lek më shumë se sa oferta më e ulët

418
Sigal

Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa

Duke ndjerë humbjen e thellë të 11 shtatorit, Edi Rama ka vendosur të japë akoma më shumë nga paratë e shqiptarëve Sadriut qe ai t’i përdorë për të blerë vota. Vetëm dy ditë më parë Sadriu i Ramës ka marrë një tjetër tender në kundërshtim me ligjin prej 1.73 miliard lekësh për rivitalizimin e hapësirave publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës në Dibër. Oferta e kompanisë “ALKO Impex”, ishte 220 milion lekë më shumë se oferta më e ulët.

Por Edi Rama nuk do t’ia dijë për ligjin, nuk do t’ia dijë për lekët e shqiptarëve. Shqetësimi i tij i vetëm është që Sadriu të blejë sa më shumë vota në zgjedhjet në Dibër, ndaj dhe nuk ndalen tenderat korruptivë për të.

220 milionë lek më shumë që Rama i fal Sadriut, mjaftonin për të paguar 3170 pagesa papunësie për mijëra familje në gjendje të rëndë ekonomike në Dibër, mund të përdoreshin për të punësuar 987 dibranë me pagë minimale nga lista prej mijëra te papunësh në Dibër. Me 220 milionë lekë të korrupsionit Rama-Sadri, mund të paguheshin 1447 pensione mesatare ne qytet ose 2632 pensione mesatare në fshat. Por Edi Rama e ka treguar se nuk e ka prioritet qytetarin, e aq më pak dibranët që i urren dhe i përbuz. Ndaj dibranët ia bënë të qartë dje me braktisjen totale, se koha e Edi Ramës ka mbaruar. Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën.