Zhduket nga Raport-Progresi i KE, skandali i VKM klienteliste

157
Tetë ditë më parë, KE dorëzoi Raport-Progresin” për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Në këtë raport, shqiptarëve iu mbajt i fshehur një skandal i rëndë, që ka lidhje me faktin e debatuar fuqishëm ditët e fundit, për futjen e shtetit në “thonjtë” krimit ekonomik-financiar prej një grupi ministrash e deputetësh të mazhorancës, të akuzuar për afera korruptive, por të pa çuar përpara ligjit e të pa shqetësuar nga drejtësia edhe pse përditë u publikohen skandale në detyrë. Kujtojmë, që vetëm gazeta “Telegraf”, qysh prej janarit 2015 e deri sot ka publikuar 56 investigime dhe 415 denoncime të faktuara me dokumente zyrtare, për lidhje të shtetarëve qendrorë e lokalë shqiptarë të çdo niveli, me tenderë e afera korruptive që nga rrugët, energjia, ilaçet, trafiqet, shërbimet e sigurisë kufitare detare, tokësore e ajrore, koncesionet e pista në shërbimet mjekësore etj. Të gjitha këto, natyrisht që janë bërë me VKM, udhëzime, urdhra, marrëveshje, kontrata, ligje e dekrete, disa edhe me “Nr. Extra”. Por çfarë ka ndodhur” Çfarë ka zbuluar investigimi i bërë nga KE, gjatë fazës përgatitore të hartimit të Raport Progresit që u dorëzuar 6 ditë më parë?
Skandali/ 893 VKM, ligje, dekrete të futur në zbatim, por të pa publikuar në “Fletore Zyrtare”
Skandali që u zbulua nga KE, që u shënua në Raport-Progres, por që mungon në “variantin” që do të prezantohet për shqiptarët prej shtetit shqiptar, ka lidhje me faktin që në “Fletoret Zyrtare” të viteve 2008-2015 nuk janë publikuar 893 VKM, ligje, udhëzime, urdhra, dekrete, marrëveshje e kontrata koncesionare të nënshkruara ilegalisht e në kundërshtim me ligjin, në pazare me kompani të huaja e vendase. Këto akte ligjore janë futur në fuqi, janë në veprim, vazhdojnë të bëjnë biznes me pasuritë dhe financat kombëtare shqiptare, por nuk janë publikuar në “Fletoret Zyrtare”. Në 7 vitet që ka investiguar KE, ka konstatuar “krimin shtetëror” të shtetit shqiptar të miratimit, por të mos publikimit të qëllimshëm të këtyre akteve ligjore, duke i mbajtur sekret. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, prej organizmave përfaqësuese të BE në Shqipëri, mendohet se do të nis një “investigim” i plotë për të zbardhur këtë skandal për vitet 1992-2015, periudhë në të cilën mendohet se nuk janë publikuar por janë futur në fuqi e në veprim, por edhe nuk janë zbatuar afro 2100 akte zyrtare e ligjore, sidomos në sektorin e kthim-kompensimit të pronave, privatizimet e ekonomisë kombëtare, pazaret diplomatike, problemet e integrimit të ish-të dënuarve politikë, paketës social-ekonomike integruese të jetimëve, romëve e invalidëve, caktimit dhe shpalljes së minimit jetik, hidrokarbureve, tregtisë së armëve, marrjes dhe shlyerjes së borxheve, komisioneve hetimore parlamentare për piramidat dhe ngjarjet e vitit 1997, koncesioneve, projekteve dhe investimeve e sigurisë në transportin rrugor, ajror e detar, sigurimeve shoqërore e shëndetësore, Zbulimi i bërë prej KE, nuk ka qenë qëllim në vetvete, por ka nisur, i nxitur prej disa ankesave të bërë nga individë, biznese e komunitete për mos gjetjen dot të ligjeve në “Fletoret Zyrtare”, për të kërkuar të drejtat e cënuara, të mohuara e të munguara, kryesisht pronarët, romët, jetimët, invalidët, të dënuarit me burg, bizneset dhe komunitete të ndryshme. Për të kërkuar të drejtat e tyre, ata nuk kanë mundur të kenë dot kontakt me ligje, VKM, urdhra, udhëzime, mbasi nuk i gjenin do këto akte zyrtare në asnjë dokument e në asnjë zyrë. Pse? Sipas raport progresit të KE, këto akte ligjore nuk janë publikuar prej shtetit shtetit shqiptar, duke u mbajtur sekret. Po përse?! Mjafton të shikosh objektin e këtyre ligjeve e vendimeve dhe konstaton se motivi mos publikimit të tyre, ka lidhje me faktin që janë ligje, VKM, udhëtime, urdhra, marrëveshje koncesionare e ndërshtetërore antikushtetuese. Janë akte ligjore të miratuara në konflikt interesi, në pazare aferash korruptive, janë marrëveshje koncesioni e privatizimit të shërbimeve e pasurive kombëtare me objekt interesash të shtetarëve e ortakëve të tyre, ku bien në sy marrëveshjet në lidhje me sigurinë kombëtare në shërbimet e kontrollit kufitar detar, ajror e tokësor. Flitet, se 113 nga këto akte ligjore i përkasin periudhës 2014-2015. Mjafton të shikosh rendin numerik të akteve ligjore të botuar në “”Fletoret Zyrtare” dhe konstaton se mungojnë disa prej tyre, të cilët edhe pse janë futur në fuqi, nuk janë publikuar në “Fletoren Zyrtare”, kur Kushtetuta e përcakton: Hynë në fuqi se çdo ligj, VKM, udhëzim, urdhër, marrëveshje apo çdo dokument tjetër me fuqi kushtetuese, nis zbatimin vetëm pasi të jetë botuar në “Fletore Zyrtare”. Ka edhe skandale të tillë: për vitin 2008, “Fletoret zyrtare” nga numri 1-9, janë zhdukur totalisht, pra ekzistojnë në arkivën elektronike por nuk hapen si akte ligjore! E po kështu në fletore të tjera zyrtare, nuk hapen ligje e VKM të veçanta, të cilat rezultojnë ose se nuk ekzistojnë, ose se janë bllokuar! Faktikisht, 893 lige, dekrete, VKM, urdhra e marrëveshje nuk janë botuar, edhe sot pas 1, 2, 5, 10 e 20 vitesh dhe janë në fuqi, ashti siç edhe ka 60% të tyre që janë botuar në Fletore zyrtare por nuk zbatohen! Kujtojmë, që nuk bëhet fjalë për mos publik të akteve “Sekret shtetëror”, por vetëm të akteve që nuk janë sekret shtetëror, por që përdoren si … “sekret privat” i shtetarëve!
Neni 117 i Kushtetutës, përcakton: Ligjet dhe VKM marrin fuqi juridike kur botohen në “Fletore Zyrtare”
Në të gjithë këto akte ligjore të miratuara, të futur në fuqi por të pa bërë publik, citohet Neni 100 i Kushtetutës, citohen si pikë e bazë referimi ligje, VKM, dekrete e marrëveshje të mëparshme. Por edhe pse nuk publikohen, ato zbatohen, paçka se në Nenin 117 të Kushtetutës së Shqipërisë, përcaktohet kështu: “Ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, ministrave, të institucioneve të tjera qendrore, marrin fuqi juridike vetëm pasi të botohen në “Fletore Zyrtare”. Kjo e drejtë dhe mënyrë e hyrjes së tyre në fuqi, përforcohet nga Neni 29, i Ligjit Nr. 9000, datë 30. 01. 2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, që përcakton: “ Aktet normative, me fuqinë e ligjit, të Këshillit të Ministrave botohen menjëherë në “Fletoren Zyrtare. Vendimet e Këshillit të Ministrave marrin fuqi juridike vetëm pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. Në plotësim të këtij detyrimi kushtetues, u krijua dhe “Qendra e Publikimeve Zyrtare”, me Ligjin Nr. 8502, datë 29.6.1999, i ndryshuar me Ligjin nr. 9091, datë 26.6.2003, me qëllim përmirësimin e praktikës së botimit të akteve zyrtare. Krijimi i kësaj qendre u bë falë mbështetjes në kuadër të një projekti të përbashkët të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe Bankës Botërore. Një ndër shkaqet kryesore që motivoi këtë projekt të rëndësishëm ishte edhe konstatimi i mungesave në botimin e akteve zyrtare, sidomos të Vendimeve të Këshillit të Ministrave, VKM. Kujtojmë, që “Fletorja Zyrtare” dhe e drejta e botimit të saj janë në varësi institucionale të Këshillit të Ministrave. Pikërisht këtë skandal dhe “krim dokumentar” të paramenduar ka konstatuar edhe KE në procesin e monitorimit dhe investigimit të zbatimit prej shtetit shqiptar, të detyrimeve për integrimin në BE. Skandalin e fshehjes së mbi 35% të VKM, ligjeve e akteve juridike me mospublikim të tyre në “Fletore Zyrtare”, KE e ka pasqyruara në Raport Progresin e paraqitur 8 ditë më parë, duke e lënë si detyrë që ky skandal të “pastrohet” brenda muajit dhjetor 2015, me publikimin e këtyre akteve, duke njoftuar edhe listën e ligjeve të mbajtur “sekret”, me njoftime “extra” në mediat e shkruara dhe ato elektronike qendrore e lokale shqiptare!
——————————–
Ligji Nr. 8502, datë 30. 06. 1999
“Për Krijimin e Qendrës së Publikimeve Zyrtare” (Ndryshuar me ligjin Nr.9091, datë 26. 06.2003)
Neni 2
Qendra boton: a) marrëveshje ndërkombëtare, të ratifikuara ose në të cilat aderohet, ligje, dekrete të Presidentit të Republikës, akte normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore, vendime të Gjykatës Kushtetuese së bashku me mendimin e pakicës, vendime të Gjykatës së Lartë për njësimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore, si dhe çdo akt e dokument tjetër të organeve shtetërore, botimi i të cilave është i detyruar me ligj; b) akte të tjera nënligjore, që nuk përfshihen në shkronjën “a” të këtij neni; c) raporte zyrtare ose dokumente të tjera të organeve dhe institucioneve shtetërore, përmbajtja e të cilave paraqet interes shtetëror dhe publik; ç) revistën periodike “Drejtësia”; d) tekste juridike universitare, periodike, të organeve dhe institucioneve qendrore në fushën e së drejtës dhe të literaturës juridike; dh) indekse të përgjithshme dhe indekse për fusha të veçanta në ndihmë të subjekteve të interesuara dhe të publikut.
Neni 5
Qendra nuk publikon aktet normative nënligjore, të cilat janë cilësuar nga vetë akti me karakter sekret, sipas përcaktimeve të ligjit.
Neni 6
Organi përgjegjës, sipas ligjit, është i detyruar të paraqesë për botim në Qendrën e Publikimeve Zyrtare aktet e parashikuara në shkronjën “a” të nenit 2 të këtij ligji brenda 3 ditëve nga miratimi i tyre dhe, në raste të veçanta, jo më vonë se 15 ditë. Qendra duhet të realizojë botimin në Fletoren Zyrtare të akteve të parashikuara në shkronjën “a” të nenit 2 të këtij ligji brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së tyre për botim nga organi përgjegjës sipas ligjit.
Neni 9
Përmbledhësi i Pergjithshëm i Legjislacionit është korpusi i të gjitha dispozitave ligjore në fuqi dhe i akteve të tjera që përmbahen në Fletoren Zyrtare, plotësuar periodikisht me botime vjetore të akteve të reja.
Neni 30
Ky ligj, hyn në fuqi me 1 dhjetor 1999.
Shpallur me Dekretin Nr. 2408, date 14.7.1999 të Presidentit të Republikës së Shqiperisë,
Rexhep Meidani