“Zhduket” Lulzim Basha, humbet opozita

492
Prej 31 korrikut nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të kreut të Partisë Demokratike për zhvillimet në vend
Prej rreth 10 ditësh, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ka bërë asnjë komunikim për medien dhe nuk është shfaqur në asnjë aktivitet publik. Lajmi i fundit nga kreu i opozitës mbetet ai i datës 31 korrik, ku kritikohej kryeministri Edi Rama për deklaratat ndaj kanabisit. Më pas, asnjë deklaratë. I ndodhur zyrtarisht me pushime, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe fitores së garës për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur të heshtë edhe për zhvillimet më të fundit. Situata e rëndë në të cilën ndodhet vendi për shkak të zjarreve dhe disa vendime të kryeministrit lidhur me shkarkimet në shëndetësi, nuk kanë pasur një reagim zyrtar nga kryetari Basha. Pas fitores së garës brenda partisë, Lulzim Basha pritet të bëjë edhe një riorganizim të strukturave. Megjithatë hapi i parë do të jetë zgjedhja e drejtuesve të grupit parlamentar dhe përfaqësimi me një nënkryetar të Kuvendit. Basha ka zhvilluar vetëm një takim me deputetët e legjislaturës së re, që pritet të nisë në shtator, dhe nuk ende njoftime për momentin e mbledhjes së grupit parlamentar. Rikthimi në detyrë i kryetarit të rizgjedhur të PD-së pritet të jetë edhe momenti i saktësimit të kalendarit politik të opozitës.

Ironia e Patozit
Deputeti Astrit Patozi ka ironizuar dje mënyrën e veprimit të opozitës dhe mungesën e zgjatur të reagimeve të Partisë Demokratike. “Daljet e Lulzim Bashës kanë qenë gati ekzotike, që pas pllakosjes së humbjes së 25 qershorit e deri më sot që po flasim. Por deri më 22 korrik avokatët e tij ishin të justifikuar me “vetëngrirjen”, një mekanizëm hileqar, që u përdor nga përgjegjësi kryesor për humbjen e Partisë Demokratike për të mos dhënë dorëheqjen. Por pas fitores së tij “plebishitare” ndaj Eduard Selamit kanë rënë të gjitha argumentet që Lulzim Basha fliste edhe me heshtjen e tij”, shprehet Patozi në një koment. Sipas tij, ka një kontrast të thellë mes shqetësimit natyral të shtypit dhe qetësisë, me të cilën po i shtyn këto ditë të nxehta gushti Lulzim Basha. “Gazetarët dhe analistët, që po e kërkojnë prej kohësh, nuk kanë pse presin kaq shumë prej tij. Sepse Lulzim Basha ka pasur raste që ishte i paqenë edhe kur ndodhej pa ndërprerje dhe për ditë të tëra në Shqipëri. Ndaj është e padrejtë t’i kërkosh atij që të jetë më aktiv, në kushtet kur edhe fizikisht nuk gjendet në atdhe, por ndodhet jashtë shtetit”, shkruan Patozi. Për kundërshtarin e Bashës brenda PD-së, “Edi Rama po shfaqet i relaksuar dhe i pa shqetësuar, madje edhe nga zjarret, që po djegin gjysmën e pyjeve të vendit, sepse ka arritur objektivin e vet të dyfishtë, edhe me ndihmën e bashkë-nënshkruesit të marrëveshjes së 18 majit; të fitojë zgjedhjet dhe të mbajë i vetëm timonin”. “Lulzim Bashës i janë mbaruar fjalët dhe po shijon i qetë pushimet e këtij gushti përvëlues, sepse ka arritur të vetmin objektiv, që i kishte vendosur vetes, të rimerrte edhe një herë timonin e Partisë Demokratike, edhe pse prej autobusit të saj kishte zbritur gjysma e pasagjerëve. I pari e kishte betejën më 25 qershor, ndërsa i dyti më 22 korrik. Të dy kanë fituar në mënyrën e tyre, ndaj duhet pritur shtatori, se mbase shirat sjellin me vete, jo vetëm fundin e vapës dhe shuarjen e zjarreve, por mbase edhe ndezjen e opozitës së Lulzim Bashës”, shprehet Patozi.
Sigal