“Zhduket” kreu i SHISH-it, Visho Ajazi, prej 10 ditësh nuk paraqitet në zyrë

468
Sigal

Pritja e një grupi deputetësh për përgjimet antiligjore të ministrave e deputetëve, ka sjellë situatë problematike në institucion

Prej gati dhjetë ditësh, kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar Visho Ajazi (Lika) nuk ka shkelur në institucionin që drejton, ndërkohë, situata kriminale e kohëve të fundit në vend, krahas institucioneve të tjera shtetërore, kërkon një impenjim të veçantë dhe nga SHISH. Ndërkohë, denoncimet zyrtare të bëra në kuvend për implikimin e SHISH në përgjimin e ministrave, që vlerësohet antikushtetues dhe hetimi i pritshëm parlamentar, ka sjellë një situatë problematike në këtë institucion.

KREU I SHISH-it

Burime konfidenciale nga ky institucion pohuan se, “kreu i SHISH-it, Visho Ajazi, nuk është paraqitur në zyrën e tij që nga dita, kur dështoi mbledhja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, për shkakun se, vetë Ajazi, ishte i pa pajisur me certifikatën e sigurisë, element i domosdoshëm ligjor për të gjithë pjesëmarrësit në këtë komision. Burimet nuk japin detaje të sigurta apo motivin e mosparaqitjes së Ajazit në zyrë, duke hamendësuar për disa pista. “Një prej tyre është mospasja e certifikatës së sigurisë nga Visha. Për këtë, vetë ai mendohet se tregohet shumë i kujdesshëm, për faktin se mund të përflitet në vazhdim për këtë fakt, pra drejtimin e institucionit të rëndësishëm pa certifikatë sigurie. Gjithsesi, mungesa e titullarit në një situatë të vështirë nga kriminaliteti në vend por dhe situata ndërkombëtare, ka ndikim dhe në rezultatet e pritshme nga ky institucion”- shton burimi i mësipërm. Kohët e fundit, kreu i SHISH është vënë në qendër të akuzave të shumta të qeverisë lidhur me mungesën e informacionit paraprak për parandalimin e akteve terroriste të ndodhura në vend. Njëkohësisht, edhe rasti i arrestimit të më shumë se 10 besimtarëve myslimanë dy dit më parë nën akuzën e rekrutimit të ushtarëve për në Siri.

PËRGJIMET E DEPUTETËVE

Akuzat e opozitës si dhe në media për përgjimet antiligjore të SHISH për ministra dhe deputetë të Parlamentit(gjë për të cilën u publikua dhe një shkresë zyrtare), siç përflitet, e kanë rënduar situatën e urdhëruesve të këtij përgjimi, pasi ai përflitet si i paligjshëm dhe në dëm të interesave kombëtare.  Qeveria dhe media, disa dit më parë denoncuan se në përgjim nga Visho Ajazi janë ministrat kryesorë të kabinetit “Rama”, përkatësisht ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj si dhe zyrtarë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe të Kuvendit. Burime nga SHISH thonë se, ky përgjim, ku përveç urdhërdhënësve janë përfshirë dhe persona të tjerë, mund të ketë pasoja jo vetëm administrative nëse provohet. Për më tepër, ku sipas akuzave të bëra nga deputetët e së majtës në pushtet, këto përgjime dyshohet të kanalizohen tek ish-drejtuesi i qeverisë “Berisha”. Për këtë, siç konfirmohet zyrtarisht, do të punojë një grup deputetësh me vendim të veçantë të Parlamentit. Këtë e konfirmojnë dhe specialistë të njohur të kësaj fushe. “Përgjimi i ministrave, deputetëve apo funksionarëve të lartë pa vendim gjykate, siç po akuzohet konkretisht, është një shkelje flagrante e titullarit të këtij shërbimi dhe personave të tjerë që e kanë realizuar këtë përgjim. Nuk është kompetencë apo detyrë e SHISH ky përgjim, ai ka detyra të përcaktuara qartë në Kushtetutë, mbrojtjen  e sigurisë së vendit. Është një shkelje e rëndë administrative e ligjore që duhet të verifikohet urgjent nga Kuvendi e të ndëshkohen autorët, pasi cenohet siguria”,- shtojnë specialistët.